Elbasani ishte skuadra e fundit, që Flamurtari kishte fituar në Superiore, dhe ndaj Elbasanit vlonjatët arritën të rigjenin pikërisht suksesin duke fituar 2-0 me golin e parë kuqezi të Mendes në Superiore e realizimin e Abilaliajt, që i dhanë fund ecurisë negative të vlonjateve. Fitorja ishte dhe e para për Ramelën në stol, e rëndësishme mbi të gjitha për aspektin psikologjik, në një skuadër me emra cilësorë por ku rezultatet kishin munguar. Flamurtari, e nisi disi ngadalë sfidën teksa goditjen e parë drejt portës së Elbasanit e realizoi në të 22-tën me Erjon Vucajn, që u tregua i pasaktë. Rasti i parë i vërtetë u regjistrua në të 37-tën kur Abilaliaj në hyrje të zonës, provoi goditjen por pa gjetur katërkëndëshin. Pjesa e parë u mbyll sërish me një rast për Flamurtarin, që pati për protagonist Abilaliajn, i cili nuk shfrytëzoi sic duhet një harkim nga këndi të Vucajt. Goli i munguar në pjesën e parë erdhi në fillimin e së dytës, kur Vucaj dërgoi një top të saktë në zonë nga goditja e këndit për Kuqin. Përpjekja e këtij të fundit nuk u kontrollua sic duhet nga Kotorri. Douglas Mendes përfitoi dhe nga vetëm dy hapa e dërgoi topin në rrjetë, duke shënuar golin e parë për vlonjatet.
Disavantazhi zgjoi Elbasanin, që rrezikoi në të 62-tën me Malindin, por ky i fundit ishte në pozicion jashtë loje. Flamurtari kërkoi të mbyllë ndeshjen dhe shtoi ritmin, por kosovari Metaj ishte jo i saktë. Në të 79-tën, mundësia e artë ju paraqit dhe Muzakës, por ky i fundit me portën bosh nuk arriti të dërgojë topin në rrjetë. Nuk gaboi dy minuta më pas, Abilaliaj, që mposhti Kotorrin për herë të dytë.
Flamurtari rrezikoi të shënonte dhe golin e tretë, por këtë herë ishte shtylla që ndali vlonjatët, gjithsesi dhe 2-0 ishte mëse mjaftueshëm për të marrë tre pikët për vlonjatët, që pas tetë javësh rigjejnë fitoren duke u ngjitur tashmë në kuotën e 18 pikëve./SS