Pr/ligji për procedurat tatimore/ Cani: Lehtësi për biznesin. 2% e të ardhurave për investime e shpërblime

1 Dhjetor 2014, 12:46Ekonomia TEMA

Ministri i Financave Shkëlqim Cani deklaroi gjatë një raportimi në Komisionin parlamentar të Ekonomisë ku diskutohen ndryshimet në ligjin “Për procedurat tatimore” se ato do të sjellin lehtësi për biznesin.

Cani bëri të ditur se është synim i vazhdueshëm i qeverisë që të përmirësojë klimën e biznesit, të qartësojë, të thjeshtojë dhe të lehtësojë procedurat tatimore për tatimpaguesin.

Sipas tij,  ky projektligj synon ruajtjen e integritetit fiskal duke vendosur kushte të barabarta dhe konkurrencë të ndershme nëpërmjet luftës së informalitetit. Ai renditi tre lehtësitë e paraqitura përmes pr/ligjit.

“Pr/ligji parashikon vendosjen e detyrimit të administratës tatimore për të publikuar vendimet e gjykatave lidhur me çështjet tatimore, vendosjen e një afati minimal për garancinë bankare të vendosur nga subjekti tatimpagues me qëllim apelimin e vendimit të Drejtorisë së Apelimit etj, si dhe shkurtimin e afatit ligjor të vendimit të Drejtorisë së Apelimit tatimor, në 60 ditë nga 90 ditë që është afati i parashikuar në këtë ligj për dhënien e vendimit nga Drejtoria e Apelimit”, deklaroi ministri Cani.

Përsa i përket miradministrimit, luftës ndaj informalitetit dhe vendosjes së kushteve të barabarta të konkurrencës, projektligji propozon një sërë masash të rëndësishme në drejtim të shkëmbimit të informacionit, menaxhimit të regjistrit të tatimpaguesve, trajtimit të shmangies apo evazionit tatimor të mosdeklaruesve si dhe marrëdhënieve ndërmjet administratës tatimore dhe bankave apo administratës tatimore dhe personave të tretë debitorë të tatimpaguesve.

“Shmangia 3 herë nga detyrimi tatimor, do t’i çojë ato subjekte drejt ndjekjes penale, duke garantuar kështu funksionimin e rregullave dhe të ligjit”, tha Cani.

Në bazë të trajtimeve ligjore ekzistuese, paraqitja e një kërkese për rimbursim TVSH-je duhet të shoqërohet me kontroll në vend nga administrata tatimore, kontrolle këto të cilat përbëjnë kohë dhe kosto administrative për tatimpaguesin dhe administratën tatimore sidhe vonesa në respektimin e afatit të rimbursimit.

Për të ulur këtë kohë dhe kosto,  Cani tha se propozohet që kontrollet lidhur me rimbursimin e TVSH-së të bëhet
vetëm në bazë të analizës së riskut dhe kërkesat për rimbursim TVSH-je të cilat nuk janë me risk të procedohen automatikisht për rimbursim.

Po kështu për të garantuar dhënien në kohë të rimbursimit të TVSH-së është përcaktuar se pagesa e tepricës kreditore të rimbursueshme kryhet brenda pesë ditëve, nëpërmjet sistemit të thesarit.

Projektligji përcakton që 2 % e totalit të të ardhurave të mbledhura nga kjo administratë të shkojnë për shpërblime stimuluese te punonjesve te tatimeve dhe investime në infrastrukturë.

“Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve i lihen deri në 2% të të ardhurave tatimore të mbledhura, për t’u përdorur për shpërblime stimuluese të personelit të administratës tatimore dhe për investime për përmirësimin dhe modernizimin e infrastrukturës së mbledhjes të të ardhurave”, sqaroi ministri Cani.

Ai bëri të ditur se edhe për Adminsitratën Doganore është parashikuar një përcaktim i tillë ligjor në Kodin e ri Doganor.
Ndryshimet e propozuara në ligj propozojnë që personelit të administratës tatimore t’i jepen shpërblime stimuluese për efektivitetin e shërbimit të kryer në organet tatimore, apo kryerjen e një shërbimi me rrezikshmëri të veçantë.

Me vendim të Këshillit të Ministrave përcaktohen rregullat për dhënien e shpërblimeve dhe miratimin e investimeve. /gj.k/

1 komente në “Pr/ligji për procedurat tatimore/ Cani: Lehtësi për biznesin. 2% e të ardhurave për investime e shpërblime”

  1. Nora says:

    Sikur u fol ca si shume para zgjedhjeve,jo dy bilance etj,tani ti lehtesojme….Po ku ka biznes shqiptar qe te shkosh te punosh si duhet,madje edhe kur hapet nje vend pune thuhet ,duhet te punoj nen stres!
    Te rimbursohet TVSH-ja! Duhet te kontrollohet biznesi me pare ,a i deklaron si duhet TVSH e Mbledhshme dhe jo vetem ate te zbritshme.Lehtesira biznesit! Posi do te hapesh ,po shpejt! Po shihet nje here a ka te ngjashem ne ate vend ,etj e jo radhe tre rresht qofte i Vogel a i Madh biznesi.Po kujt ti thuash!!!!!! Mjere kush kthehet e ne Shqiperi e kerkon te jetoje me drejtesi!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje