Meta në Prishtinë për promovimin e kulturës dhe produkteve shqiptare

20 Dhjetor 2014, 12:10Politika TEMA

Produktet shqiptare duhen promovuar edhe më shumë, jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, edhe më gjerë në vendet e Rajonit.

Ishte kjo kryefjalë e mbrëmjes së organizuar në Prishtinë me qëllim promovimin e kulturës dhe të produkteve shqiptare.

Në mbrëmjen e organizuar nga Ambasada Shqiptare në Kosovë, ishte i pranishëm edhe kryeparlamentari Ilir Meta, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, njëherësh deputete e Kuvendit të Shqipërisë dhe ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.

Ambasadori shqiptar në Prishtinë, Qemal Minxhozi  shprehu nevojën e bashkëpunimit të mëtejshme mes dy vendeve dhe rritjen e shkëmbimeve bujqësore.

Kryetari i Kuvendit z. Meta zhvilloi disa takime të rëndësishme me aktorë të jetës politike në Kosovë, akademikë si dhe me trupin diplomatik të akredituar në Prishtinë.

Gjatë takimit me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli, Kryetari Meta i përcolli urimet më të përzemërta për detyrën e re. Nga ana e tij, z. Kadri Veseli falënderoi Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën. Z. Meta dhe z. Veseli theksuan nevojën e intensifikimit të mëtejshëm të bashkëpunimit midis Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Një takim i veçantë ishte dhe ai me akademikun Rexhep Qosja si dhe me shumë personalitete të tjera të Kosovës.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Kryetari i Kuvendit u  takua me Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj me të cilin biseduan për zhvillimet politike në të dy vendet dhe ndanë bindjen për intensifikim e marrëdhënieve të mëtejshme mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta u takua edhe me  Ambasadore e SHBA-ve në Republikën e Kosovës, znj.  Tracey Ann Jacobson , ku u bisedua rreth zhvillimeve më të fundit në Kosovë dhe në rajon.  /gj.k/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje