Erdhi momenti… Po, u formua Komisioni i reformës në drejtësi dhe pritet që së shpejti të fillojë nga puna. Kuptohet Komisioni do të jetë parlamentar, pra e thënë troç, do të ketë politikanë në përbërje e sigurisht edhe zgjidhjet e reja që do të mund të ofrojë në pushtetin e drejtësisë në Shqipëri do të marrin ngjyrën e politikës së radhës.
Skemi të drejtë të paragjykojmë këtë Komision por na lind e drejta që të njohim axhendën e këtij Komisioni. Kjo e drejtë na lind pikë së pari sepse, pritshmëritë që sistemi i drejtësisë të ndryshojë për mirë jane shpresë e të gjithë bashkëkombasve dhe gati e gjithë vendeve që mbështesin bindshëm vendin tonë në sfidën e anëtarësimit europian, së dyti kjo e drejtë na lind nga një sërë të drejtash kushtetuese dhe ligjore që garantojnë të drejtën e informimit, së treti reforma në drejtësi nuk është vetëm “punë” e politikës dhe së katërti të gjithë ne, në konceptin inferior të fjalës të caktuar si taksapagues, jemi “aksionerë” të sistemit.
Reforma në sistemin e drejtësisëmund të ngatërrohet me një reformë që do të mund të prekë, nëpërmjet modifikimeve të ligjit për KLD-në, ligjit per organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor apo ligje të tjera të ndërlidhura, vetëm pushtetin gjyqësor dhe jo atë të drejtësisë në tërësi. Kemi një sistem drejtësie që përfshin shumë institucione kushtetuese (Presidenti i Republikës, KLD, Ministria e Drejtësisë, Prokuroria) por edhe disa profesione të lira si avokatia, noteria, permbarimi.Gjithashtu drejtësia nuk duhet parë e ndarë nga drejtësia e zbatuar në terren ndaj qytetarit dhe subjekteve juridikë. Problemi shpesh lind nga drejtësia si sistem në tërësi (duke filluar nga gjyqësori) por gjen terren, praktikisht, në zbatimin e gabuar të saj në përditshmërinë e zbatimit të normës nga funksionarë publikë me apo pa parti, me status apo jo.
Duke mos njohur axhendën e Komisionit, që uroj të bëhet publike së shpejti dhe të shtrohet për konsultim të gjerë nga aktorët e sistemit të drejtësisë dhe kryesisht të studiuesve të së drejtës dhe shoqerisë civile, nuk mund të shprehemi paraprakisht por mund të marrim dhe të marrin në konsideratë një tjetër element që ndikon jo pak në nivelin e jetesës dhe perceptimin e gabuar për drejtësinë. Dua të sjell në vemendjen tuaj procedura, praktika, kerkesa e shkresa që duhet të plotësojmë nëpër zyra publike që ju ka ikur vakti prej shumë kohësh.
Për shëmbull, çfarë rëndësie ka për një familje shqiptare të kuptojë se si do të jetë formula e zgjedhjes së anëtarëvë të KLD-sëkur deri më sot të gjitha këto procedura kanë qenë të “zgjidhura” brenda pallateve të pushtetit, ndërkohë pikërisht kur nga një anë zgjidhen e mandatohen anëtarë institucionesh nga ana tjetër i duhet të përballet përditë me të tjerë funksionarë publikë që aplikojnë ligjin si të ishin në mrizin e tyre personal. Edhe pse s’japin vendime gjyqësore dhe nuk janë pjesë e sistemit të drejtësisë (asaj që mendoj do të reformohet nga Komisioni), keta funksionarë institucionesh (bashki, minibashki, shëndetësi, arsim, dekanate, rektorate, polici e ushtri përfshirë etj.) janë pjesë e asaj vendimmarrje që qytetari konsideron,jo pa të drejtë, si e drejtë/drejtësi apo e padrejtë/padrejtësi. Për këtë arsye , në qoftë se nuk do të preken edhe shumë praktika abuzive të këtyre insitucioneve, perceptimi i drejtësisë do të mbetet problematik edhe sikur të bëhet nje reformë e sistemit të mirëfilltë të drejtësisë.Një lehtësim i shumë procedurave, të tejkaluara nga modernizimi teknologjik dhe nga garancitë e tjera ligjore, që sot janë në fuqi dhe ngarkojnë e stresojnë shqiptarët dhe, në të njëjtën kohë, bllokojnë administratën do të largonin përfundimisht problemin që mbart kjo pjesë e raportit person/insitucion duke bërë një hap të madh në çlirimin tonë ndaj robërisë së sporteleve. Do të ishte shumë efektive, për mendimin tim personal, puna e Komisionit për reformën në drejtësi, në qoftë se një pjesë e saj të reformonte edhe shumë padrejtësi që akoma sot gjejmë të mbjella e të aplikuara nga zyrtare e funksionarë nëpër zyra publike por edhe nga profesione të lira që aplikojnë tarifa të ligjëruara për shërbime që mund të jepen shumë më mirë dhe me kosto shumë të ulët nga zyra publike në territoret përkatëse.