Realizimi i reformës në drejtësi kërkon kohën e vet. Kështu u shpreh Presidenti i Komisionit të Venecias Gianni Buquiçhio gjatë takimit me ministrin e Drejtësisë Nasip Naço, ndërsa ka ritheksuar rëndësinë e gjithëpërfshirjes në realizimin e kësaj reforme.
Takimi i zhvilluar në Ministrinë e Drejtësisë kishte në fokus të tij vijimin e bashkëpunimit të mëtejshëm me Komisionin e Venecias, përmes konsulencës ligjore, në drejtim të ndryshimeve kushtetuese, që janë përcaktuese, në proceset reformuese në sistemin e drejtësisë.
Ministri Naço e njohu Presidentin e Komisionit të Venecias me punën që po bëhet për finalizimin e një pakete iniciativash ligjvënëse, që do të kenë si objektiv reformimin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të sistemit të drejtësisë, nën asistencën dhe konsultimin e Komisionit të Venecias, si dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë.
Ministri Naço ka bërë prezente gjatë takimit një sërë shqetësimesh lidhur me gjendjen e sistemit, duke veçuar se ka qenë emergjente dhe e rëndësishme ndërhyrja e bërë në ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, si dhe ka evidentuar se po aq prioritare janë edhe ndërhyrjet që duhet të bëhën në Gjykatën e Lartë dhe atë kushtetuese.
Naço u ndal edhe në rëndësinë që paraqet ngritja e komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, ndërsa e ka informuar Buquiçhio lidhur me rolin e Ministrisë së Drejtësisë në këtë komision, duke garantuar se ndryshimet që do të propozohen pranë tij do të jenë në linjë me parimet evropiane dhe në shërbim të drejtimit të institucioneve në binarët e ligjit.
Duke e konsideruar të pazëvendësueshme ekspertizën e Komisionit të Venecias, Naço është shprehur se mirëpritet çdo opinion dhe rekomandim ligjor që do të ndikonte në një reformim të thellë dhe të qëndrueshëm. /gj.k/
Nga Naco e shoket e tij te LSI mos pritni reforme ne drejtesi.Edhe ne befshin dicka, do te jete siperfaqesore dhe vetem te sherbeje per ta vene drejtesine nen komanden e tyre.Me mentalitetin komunist nuk reformohet drejtesia.Mjere Shqiperia ku ka rene ne dore te ketyre!