Fair Play Financiar? Van Gal as që do t’ia dijë.
Trajneri holandez përgatit goditjen më të madhe në historinë e merkatos së shitblerjes së futbollistëve me një ofertë të çmendur për të afruar te Mançester Junaited, Garet Bejl.
Ullesiani po kthehet në një fiksim të vazhdueshëm për teknikun e “Djajve të Kuq”, i cili e dëshiron me çdo kusht në ekipin e tij.
150 milionë euro planifikon t’i ofrojë Realit të Madridit Van Gal për djaloshin nga Kardifi, një ofertë që vështirë se mund të kthehet mbrapsht edhe nga një njeri i fuqishëm si Florentino Perez.
Afrimet e vitit të shkuar, Di Maria, Ander Herrera, Mata e Falkao duket se nuk e kanë ngopur oreksin e trajnerit holandez, i cili ka premtuar se fushata e blerjeve të shtrenja do të vazhdojë edhe gjatë muajve të ardhshëm.
Mançester Junaited është skuadra me më shumë tituj në Angli, plot 20 të tillë dhe Van Gal kërkon që të ndërtojë një skuadër të frikshme për t’u rikthyer sërish në majën e ishullit pas një periudhe të vështirë, të ndikuar nga largimi i Aleks Ferguson.
Në transferimin e Bejl mund të përfshihet portieri David De Gea, për të cilin Anceloti ka shfaqur interes, por ky mbetet një operacion i vështirë sepse vetë uellsiani është shprehur se dëshiron ta vazhdojë karrierën në Madrid.
“Jam shumë i lumtur te Reali dhe dua të respektoj kontratën që skadon në vitin 2019”, u shpreh sulmuesi që u transferua në “Bernabeu” për 101 milionë euro.
Por, a do ta marrë parasysh Perez kërkesën e tij për të luajtur te kampionët e Europës edhe gjatë sezoneve të ardhshme?
Kjo do të mësohet në mbyllje të merkatos së verës ku Van Gal do të kërkojë ta bindë me çdo kusht kreun e klubit merengues.