Shirat e rrëmbyer e kanë çuar në pikën kritike lumin e Vjosës, që rrezikon të përmbytë zonën e Novoselës. Alarmi vjen nga kryekomunari i Novoselës Kanan Shakaj pasi për shkak të situatës së krijuar nën ujë mund të gjenden fshatrat Fitore dhe Bishan.
“Niveli i Vjosës po ngrihet dhe ka kaluar pikën kritike. Kemi njoftuar popullatën për tu larguar ato familje që rrezikojnë të përmbyten. Që në orët e para të mëngjesit janë marrë masa për të evakuar banorët.
Situata pritet të vështirësohet, për shkak të prurjeve të mëdha që priten të vijnë nga Tepela e Memaliaj.
Janë 20 familje që kanë banesat pranë shtratit të lumit që rrezikojnë të përmbyten. Kemi kërkuar ndihmë nga bordi i kullimit dhe prefektura e Vlorës. Duhet të ndërhyhet urgjentisht në Murriz të Bishanit.
Nëse nuk ndëryhet me mjete të rënda do të ketë pasoja të rënda, fshati Bishan e Poro përmbyten. Banorët janë të gatshëm të evakuohen.
Është bërë gati vendi ku do të strehohen. Prurjet që vijnë nga Gjirokastra, Tepelena dhe Përmeti janë shumë të mëdha. Bordi I kullimit punon me kapacitet të plotë 4 pompa”, tha kryekomunari.
Ndërkohë për situatën është mbledhur dhe Shtabi i Emergjencave ku janë përcaktuar masat për të shmangur këtë kërcënim që vjen nga lumi Vjosa që rrezikon një numër të madh banorësh. /gj.k/