Reshjet intensive të shiut kanë nisur prej orës 03.00 të mëngjesit të të premtes duke krijuar probleme në disa nga segmentet rrugore në qytetin e Vlorës.
Situata më shqetësuese është në rrugën Skelë-Uji i Ftohtë në afërsi të ish- Postës së Vjetër, ku uji është në një lartësi të konsiderueshme në një gjatësi prej disa dhjetra metrash. Gjithashtu probleme shfaqen edhe në disa zona periferike të qytetit të Vlorës.
Nga ana tjetër, banorët e Vlorës kanë nisur të rikthehen në banesat e tyre, pavarësisht se shumë hektarë mbeten ende nën ujë. Rreth 93 nga 110 familje të evakuuara janë rikthyer në familjet e tyre ndërsa 15 ton ushqime po shpërndahen nga FA dhe Shtabi i Emergjencave
Shërbimi Meteorologjik të Forcave të Armatosura njoftojnë se, këtë fundjavë do të rikthehen sërish reshjet e shiut, të shoqëruara këto me temperatura të ulëta. Sipas meteorologëve parashikohen 10-20 mm shi përgjatë 12 orëve dhe reshjet do të jenë të vazhdueshme./Elisa Dedja