Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, e shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjenera lmajor Jeronim Bazo, ishte në Batalionin e Këmbësorisë në Poshnje në Berat, ku është takuar me trupat e përfshirë në përballimin e situatës së krijuar si rezultat i reshjeve të ditëve të fundit në disa zona në jug të vendit.
Ministrja e Mbrojtjes Kodheli, duke iu drejtuar efektivit të rreshtuar në sheshin kryesor të këtij reparti, ndër të tjera, u shpreh: “Doja t’ju falënderoja për punën që keni bërë dhe për përkushtimin e madh që keni treguar gjatë operacionit për të ndihmuar banorët e zonave të përmbytura, duke vënë edhe jetën tuaj në rrezik. Falënderimi im, i kryeministrit Rama dhe i Qeverisë, nuk mjaftojnë, por ju falënderojnë të gjithë qytetarët që ju i keni ndihmuar në këto ditë tepër të vështira për ta”.
Më tej, ministrja Kodheli theksoi se,” ju treguat që jeni pjesa më e mirë e shoqërisë, ju mbani veshur një rrobë që është me e bukura në botë dhe keni një mision tepër fisnik. Ndjehem krenare personalisht dhe jam mirënjohëse për gjithçka keni bërë dhe do bëni edhe në të ardhmen. ”
Më pas, ministrja e Mbrojtjes Kodheli ka vijuar me një takim me drejtuesit e këtij operacioni të realizuar nga Forcat e Armatosura.
Ministrja e Mbrojtjes Kodheli dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Bazo, falënderuan të gjithë efektivat e FA-së të përfshirë në këtë proces dhe vlerësuan se zinxhiri i komandimit ka funksionuar më së miri përgjatë gjithë ditëve të operacionit. . Kodheli theksoi se, situata u përballua me sukses, por gjithashtu kërkoi prej tyre që të evidentojnë mangësitë dhe problematikën e hasur me qëllim që të mund të merren të gjitha masat për riparimin e tyre dhe për përballimin me sukses të situatave të tjera të ngjashme që mund të përsëriten në të ardhmen.
Në operacionet e zhvilluara këto ditë, Forcat e Armatosura kanë angazhuar 414 trupa, 63 mjete transporti, 2 qendra mobile, 1 ambulancë, 2 zjarrfikëse, 6 motorbarka, 10 pompa thithëse etj. Në mbështetje të kërkesave të shtabeve të emergjencave civile të ngritura për përballimin e situatës, strukturat e FA-së u angazhuan në këto operacione:
– në operacione kërkim-shpëtimi për evakuimin e 243 banorëve,
– në operacione SAR në Memaliaj-Gjirokastër,
– në zhbllokimin nga inertet dhe mbetjet e krijuara në disa akse rrugore,
– në transportim dhe shpërndarje ndihmash ushqimore për popullsinë dhe bazën ushqimore për bagëtinë,
– në forcim argjinature në Lagunën e Nartës dhe në Urën e Mifolit,
– në uljen e nivelit të ujit, si dhe në rikornicione mbi gjendjen e portave të shkarkimit nga polumbarët e Qendrës Kombëtare të Zhytjes në ujëmbledhësin e Manskurisë në Golem të Kavajës.
Gjithashtu në këtë operacion të emergjencës civile një kontribut të veçantë kanë dhënë edhe trupa dhe mjete nga Forca e Sigurisë së Kosovës.
Anisa Xhani