Hakmarrja e Vjosës

11 Shkurt 2015, 09:38Sociale TEMA

Nga Ben Andoni, JAVA

 

Banorët janë mësuar me përmbytjet e viteve të fundit të Vjosës, Gjanicës, Osumit, etj, aqsa tani duket se e mirëpresin. Anipse, këtë vit, Vjosa lajthiti vërtet. Çuditërisht, bizneset nuk i sigurojnë bizneset e tyre, kurse banorët vazhdojnë e ndërtojnë sërish afër lumit! Por, ka dhe më…

Kështu, p.sh., investimi i një rruge, që është paralel me lumin Vjosa, ka mbyllur kanalet e shkarkimit të ujit prej një lagje në Mifol, dhe askush s’do t’ia dijë, madje edhe tani që janë nën ujë, kurse prej vitesh që s’mbahen më mend, ekskavatorët që thellonin lumenjtë nuk janë parë më…Fshatarët flasin pa përcaktim dhe bëjnë garë kush të dalë para kamerave të televizioneve. Të gjithë kundër të gjithëve, e askush nuk ia ka thënë hallin Edi Ramës, nga njerëzit, që tash ankohen më shumë…! Po kush e ka fajin vallë?!

Karrige të ngritura. Frigoriferi qëndron mbi tavolinë. Një vizë 50 centimetërsh si kuotë lartësie, mbetur nga përmbytja e fundit nga Vjosa, i qarkon ngado muret e brendshme të shtëpisë. Rrobat janë përcjellë të gjitha në katet e dyta. Pulat vëzhgojnë, teksa qëndrojnë mbi mure, kurse shenjat e llumit edhe pas pastrimit, janë ilustrimi i katrahurës, që ka lënë një ndjesi të vërtetë katastrofe. Kjo është butaforia e përmbytjes në Myzeqenë e Vlorës.Të gjithë banorët e Mifolit mbajnë çizme, të lerosura dhe pantallonat e shpërvjela. “I kam këtu të regjistruara të gjitha. (Më tregon krenarisht celularin e vet t’madh ‘Samsung’!) Erdhi lumi natën dhe e kuptuam se do të vinte më shumë. Nuk na lajmëroi askush. Nuk na do shumë ai i kryetari i komunës. Pastaj ditën në mesditë bëri atë që bëri. Vinte si det…”. Burri që na flet e ka shtëpinë pak dhjetëra metra nga Vjosa ‘e tërbuar’, mu tek Ura e Mifolit. Flet shtruar dhe lëviz me çizme pa përcaktim. Autoriteti i duket hapur, teksa i ka vendosur të gjitha gratë e shtëpisë në punë. Djali i vet baret aty-këtu, nën hijen e të atit. Askush prej tyre s’na e kthen përshëndetjen. Gruaja dhe vajza nxjerrin llumin që ka lënë fryrja e Vjosës në shtëpi me disa lecka, që lëvizin nën lëvizjet ritmike të shkopinjve të gjatë. Nuk flasin. “Nuk di sa dëm më ka bërë! A i pe magazinat? Më përmbyti t’gjithë atë sherebel, rrënjë breshke…”. Rreshton.

“Po. Dëm i pallogaritshëm. 150 milion ose 180 milion, më ka pohuar roja i tij, pak minuta më parë. Unë, roje jam, po dëmi i pronarit është i pallogaritshëm”. Me gjithë këtë dëm, mendoj se një njeri mund të shkonte drejt vetëvrasjes, por Manushi e ka shtruar dhe të tjerët si ai më duket se më qesëndisin me celularët e fundit. “Na ka ardhur sërish për vizitë Vjosa, por këtë herë ishte gati një metër në shtëpi. E dija që do përmbyteshim dhe kur ndërtova e ngrita shtëpinë rreth një metër nga trualli bazë, kurse të gjithë mallin e magazinave e vura shumë më sipër nga niveli më i lartë që kish ardhur i lumit, por këtë herë ishte damllaja..Ehhh”. I ke pasur të siguruara? “Jo. Provova pak vite më parë, por kompanitë nuk ma njohën dëmin. Nuk ia vlen. Sa për komunën!? As kanë ardhur të na shikojnë”. S’kam çfarë të të qeras, e përfundon dhe kontrollon andej-këndej. Është e fundit gjë që të shkon ndërmend në këtë katrahurë. Ia bëjmë me shenjë se kjo është e tepërt në këtë hall, por sërish të habit fakti, sesi një njëri mund të jetë kaq i qetë. Rreth 300 metra më tutje në vijë ajrore ka disa magazina të mëdha, ku ai strehon bimë medicinale, që na i ka treguar roja i tij i ngeshëm. Disa magazina të vërteta. Nën pushtetin e llucës, roja thjesht me krahë hapur, më thotë: nuk kishim ç’të bënim më? E kanë inatin me kryetarin e komunës, kurse sa për shtetin nuk e llogarisin fare. “Erdhën të na jepnin bukë e sallam dhe ujë…Ç’më duhet buka me sallam? A janë në të apo jo?”, më tregon një moment Manushi. Qesh.

 

E pushon të qeshurën, që kthehet në shumë cinike pas pak. Një bashkëfshatar më tregon biznesin e tij të rrobave dhe llumin, që i ka hyrë ngado. Ç’të bëj, më thotë. Ngre supet. Ndërsa flasim me burrin, gazetarë të mediave vizive japin informacione duke u sajuar sa më shumë në pozicione të këqija! Dy ditë më vonë, raporti paraprak rrëfen për gati 17.000 hektarë të pushtuar prej ujit. Vajza dhe djem të rinj të televizioneve lokale, zakonisht me prepotencën e profesionit të gazetarit, bëjnë kompetentin. Banorët u rrëfejnë, por shumica e gazetarëve thjesht duan atë të veçantën (skupin), që të justifikojnë kënaqësinë e shefit në Tiranë. Ky i fundit rëndom e mendoj teksa rri ngrohtë dhe në internet kontrollon për qejfin e vet ndonjë lajm të tipit Kardashian. “Ehë, edhe pastaj”, ia bën njëra syresh e një televizioni të madh, banorit, që i tregon udhëzën deri te shtëpia, e pushtuar nga pellg me më shumë se 40 centimetra ujë. Çfarë pastaj? Hë, këmbëngul vajza. Ja pra,-më ka mbyt. Ehhhë. Një tjetër: “Po të them, që bënë këtë argjinaturën këtu, se bënë rrugën dhe s’kanë bërë kanalet, që uji të kthehet pas. Edi Rama erdhi dhe s’kishim mundësi t’i thonim”. D.m.th. Edi nuk donte t’ju dëgjonte!-i thotë gazetarja.

Është një ditë e qetë pas përmbytjes dhe falë një makine të rastit, kam ardhur nga kryqëzimi, që ikën për në Vlorë e Tepelenë, deri këtu. Dy policë më kanë ndihur me një makinë, që e nget një burrë i Mifolit. Ka merkatën më të mirë në fshat dhe dikur ka qenë oficer policie. Më shpjegon gjeografikisht fryrjen e Vjosës, atë që është bërë ndër vite…dhe nënshtrimin. “Me sa duket nuk mësojmë. Si pasojë e prurjeve të mbushura menjëherë prej nga Gjirokastra, Tepelena dhe Përmeti, niveli i Vjosës arriti mbi rreth 1 metër e gjysmë mbi nivelin e saj normal”. Dhe, fshatrat që e pësuan më shumë ishin Mifoli dhe Darzeza, kjo e fundit i ka evakuar në kohë të gjithë banorët. Burri është po kaq i qetë kur më tregon dhe dëmin në merkatën e tij, që është model. Kaq të papërgatitur? Nuk të lajmëroj askush. Pushteti lokal fle, më thotë. Të kap trishtimi kur kujton të gjithë ata zyrtarë të ujërave që përplasen e bëjnë show para televizioneve. Zgjidhja dhe problemi janë mu aty para të gjithëve, teksa kemi ndërtuar afër digave të kanaleve, kudo në çdo segment të lumit, poshtë në fusha që përmbytën me një lugë shi apo madje edhe deri rrëzë kodrave nga ku shpesh lëshohen rrëke e përrenj të rrëmbyeshëm. Manushi, që kam takuar në fillim, ka ndërtuar fare afër lumit dhe më thotë se ka marrë masa!!! Çudia ime me të është se në bisedë e sipër do më thotë se ka qenë dikur vrojtuesi i Institutit Hidrometeorologjik. “Në kohën para ’90, kur isha vrojtues, këtu niveli maksimal në urë ishte 13.5 metra, që më pas në vitet pas ‘90 arriti në 6.5 metra e më pak. E kupton? Askush nuk kujtohej më të pastronte dhe të bënte atë punë që bëhej më parë”. Ç’ti them, kur ai se ka kuptuar si mund të flasim makro: për shkatërrimin e strukturave të ndërmarrjeve të ujërave, me fodullëkun, korrupsionin, me pazotësinë e pushtetit lokal e qendror, që nuk drejtojnë, por thjesht marrin mandate, për të na e bërë jetën më të vështirë. Çfarë t’i them. Askush s’do të mësojë.

Hegeli ka të drejtë: Historia na mëson se njeriu nuk mëson kurrë prej historisë. Laborator në natyrë ky vendi ynë.

Dhe rezultati: 17 mijë ha tokë bujqësore e zona të banuara nën ujë; 5 mijë ha shtëpi, zona të banuara ku janë përqendruar ndihmat; 500 familje të evakuara drejt konvikteve të shkollave të Vlorës dhe Fierit; 2100 forca e qindra mjete, emergjencat civile, policitë lokale, Delta Force, FNSH Fier, RENEA, FA, shërbimet e zjarrfikësve, bordet e kullimit, qendrat vullnetare të emergjencave civile…Po pse vallë? Në kohën e socializmit, këtë e zgjidhte një dragë që punonte gjithë vitin. I gjithë karburanti i saj do mjaftonte të shpëtonte këtë katrahurë.

 

Dhe pastaj

Që më 28 janar, Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave civile u njoftua nga metereologët për situatën e rënduar të reshjeve dhe një ditë më vonë u ngrit Shtabi i Emergjencave Civile, u ngritën shtabet në çdo prefekturë, u njoftuan banorët për rrezikun, sipas autoriteteve. Por, Instituti Hidrometeorologjik, që duhej të funksiononte dhe të lajmëronte nuk funksionoi. Sado që autoritetet rreken të tregojnë punën diçka çalon dhe shumë madje. Një pjesë e banorëve pranë Vjosës, as nuk pranuan të lëvizin, ndërsa politika shqiptare e shfrytëzoi thjesht të derdhte breshër inati mbi Ramën. Dhe, askush prej politikanëve nuk hesht të mos flasë më i pari për dëmet që po shkakton ky lum në pjesën urbane të Shqipërisë, dëme që realisht lidhen me mungesën e profesionalizmit të të gjitha qeverive pas vitit 1990, ku ndërtimet në zonat e ndaluara buzë lumit, mospastrimi në kohën e duhur e lumenjve, pritat e asgjësuara dhe grabitja pa kriter e zhavorrit, pritat e hidrocentraleve në lumenjtë që bashkohen me të, por edhe shumë pika të hedhjes së mbeturinave të qyteteve dhe komunave buzë Vjosës, që po merren prej saj për t’u çuar në det, janë pjesë e këtij mozaiku vrastar. Po kush e ka fajin? Ai është jetim sërish. Rama, vjen nga Mifoli dhe i përmend një raport Berishës: Ja kaq na latë, i thatë.

Burri që më merr me makinë qëllon shumë mikpritës. Ai më jep një punëtorin e tij që më përcjell kudo. “Nga dymbëdhjetë e gjysma e gjitha katrahura mori shumë. U rrit aq shumë niveli sa nuk kishim se çfarë t’i bënim”, më thotë djali. Është shumë i qetë dhe nuk bën panik, por edhe shumë i sjellshëm. Pronari i tij, që më bën të gjithë kortezinë, jo vetëm e ka situatën në kontroll, por është edhe tejet i zoti. Kjo kuptohet lehtë prej biznesit që ka. Njësoj me të është edhe Shezai Aliaj, që ka disa biznese. Më i madhi i tre vëllezërve, edhe ndërtimin e shtëpive, e ka bërë në një lloj hierarkie. Më orienton në të gjitha shtëpitë, ku të angazhuar që nga e ëma e deri te nuset dhe vëllezërit punojnë duke pastruar. Muret kanë ruajtur edhe këtu si masë, në një tregues te gati 50-60 centimetra nivelin e lumit. Nuk kishit marrë masa? “Jemi mësuar, e nëse nuk vjen si erdhi këtë herë, atëherë themi që diçka ka ndodhur, thotë një nga vëllezërit. “Jo nuk ka ndodhur kështu,-ia pret rrëfimin i vëllai duke më udhëhequr te paneli që përdor për televizionin e tij të vogël kabllor. “Uji vjen dhe nga poshtë. Vjen ngado.  E nuk ka ardhur askush të na ngushëllojë, e jo më për ndihma”…

Pak metra më tutje, teksa e lëmë burrin, që të merret me panelin e tij, për Tv kabllor, buzë argjinaturës, që është ngritur paralel me Vjosën, banorët qajnë hallin, që ky ndërtim s’ka të llogaritur kanalet kulluese, në mënyrë që uji të kthehej pas. Bëjnë garë se kush e kush të marri gazetarët e televizioneve, që u duken si zgjidhja e problemeve të tyre dhe një lloj ngushëllimi. Dy kolegët tanë, që punojnë për agjenci të huaja janë më të preferuarit, prej objektivave gjigandë që i tërheqin me vete. Aparati im foshnjarak më lë jashtë kërkesave dhe interesit të tyre ndërsa vazhdoj e punoj i qetë. Pse nuk bëheni bashkë dhe t’i bëni një letër shtabit të emergjencave të sjelli një pompë për ujërat sepse uji te ju nuk mund të largohet më, i them. Pse nuk i thatë Edi Ramës, që erdhi pak orë më parë? Keni kryetarin e komunës? Fshatarët ndahen. “Edi Rama ka qenë i rrethuar nga servilët dhe ata që s’kanë pasur dëme, kurse kryetari s’do t’ia dijë….Tjetri ia pret: ”Jo kryetari është i mirë, por janë ca të tjerë”. …Vras mendjen për solidaritetin dhe kujtoj se paraardhësit e këtyre burrave që kanë bërë tashmë biznese impozante, si një burrë që kam përballë dhe më tregon me krenari një gjenerator shumë milionësh dhe kamjen e tij, nuk kanë qenë gjithsesi kaq të shkolluar sa sot. Edhe ata përmbyteshin, por e njihnin Vjosën më mirë se pjellat e tyre dhe kur erdhën komunistët iu bindën duke mos e zënë bregun e lumit me ndërtime dhe duke e tallur, si të sotmit. Dhe, natyra i ka ndëshkuar bajagi njerëzit që nuk janë të vetëdijshëm për kamjen e tyre.

Burrat më kanë lënë dhe vazhdojnë e bëjnë sherr me njëri-tjetrin për kryetarin e komunës. Ia ka behur një deputet i PD-së dhe të gjithë i janë qepur atij tani. Ai nxjerr një bllok dhe shënon. Çfarë vallë? Dy ditë më vonë, Paloka dhe zëvendëskryeministri Peleshi do zihen për kot. Shahet kryeministri Rama, shahet qeveria. Të gjithë kundër të gjithëve. Vjosa, ndërkohë, këqyr dhe ka deklaruar në botën e saj se nuk e ka mbaruar ndëshkimin. Dhe ndëshkimi i saj është nëmje. Nga ato të natyrës. Burri vazhdon të pastroj, kurse muzgu ka filluar rënien.

 

2 komente në “Hakmarrja e Vjosës”

  1. tfgs says:

    me keq ta gjeni,popull zulu…………..

  2. h says:

    Perse duhet te harxhojme taksat per te shperblyer makuterine e injorances?
    Qeverite shqiptare kane qene te papergjegjshme persa. i perket mirembajtjes se sistemit te kullimeve por kjo nuk justifikon asgje, per me teper kur qeveria eshte e dobet individi duhet te vetfrenohet dhe te mendoj dyfish per cdo hap qe hedh!
    Nuk e di ku e gjen Rama dhe Saliu guximin te harxhojme parate e Tiranes (qe ka 1001 halle) per dembshperblime privatesh qe normalisht duhet te kene siguracion privat ose tua paguaj komuna.
    Rama po sillet si pronar i Shqiptareve jo si kryeminister i nje republike demokratike dhe kapitaliste.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje