Meta uron homologun kosovar Veseli:Pavarësia e Kosovës, ditë e shënuar për gjithë shqiptarët

17 Shkurt 2015, 11:22Politika TEMA

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, i ka përcjellë një mesazh urimi homologut të tij kosovar Kadri Veseli, me rastin e 7-vjetorit të shpalljes së Pavrësisë së Kosovës.

Duke shprehur mirënjohje për luftëtarët dëshmorë në luftën çlirimtare , Meta shkruan se shpallja e pavarsisë së Kosovës i ka shërbër jo vetëm popullit kosovar, por edhe stabilitetit në rajon.

“‘Sot është një ditë e shënuar jo vetëm për popullin e Kosovës por për të gjithë shqiptarët, ndaj dhe i gjithë kombi ynë kujton me mirënjohje të thellë politikën e mençur dhe vizionare të Presidentit Ibrahim Rrugova dhe të gjithë së bashku nderojmë e përulemi përpara sakrificës së heronjve të UÇK-së me në krye Komandantin legjendar Adem Jasharin.
Shtatë vjet pas aktit të guximshëm e historik të shpalljes së pavarësisë, akt i cili i ka shërbyer jo vetëm lirisë dhe begatisë së popullit të Kosovës, por edhe paqes e stabilitetit në rajonin tonë, jemi krenarë për arritjet dhe sukseset e deritanishme, dhe ndjehemi shpresëplotë për të ardhmen e sigurt të Kosovës në Bashkimin Evropian” , shkruan Meta në letrën e urimit.

Kryeparlamentari Meta thekson në letrën e tij se Shqipëria do vijojë të lobojë për njohje e Kosovës  nga shtete të tjera si dhe në konsolidimin e perspektivës evropiane

“Shqipëria dhe partnerët tanë ndërkombëtarë do vazhdojnë t’a mbështesin fuqimisht forcimin demokratik e institucional të Kosovës, shtimin e njohjeve të saj ndërkombëtare si dhe konsolidimin e perspektivës evropiane për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Duke shprehur dhe një herë urimet e mia më të ngrohta, si dhe dëshirën për lumturi e prosperitet për të gjithë qytetarët e Kosovës, lutem pranoni, i nderuar Zoti Veseli, ndjenjat e konsideratës time më të lartë”, shkruan Meta./A.XH

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje