Zëvendëskryeministri së bashku me Ambasadoren e Delegacionit të Bashkimit Europian, Romana Vlahutin, vizitoi sot fshatin Darëzezë të Fierit.
ZvKryeministri theksoi se mbështetja e banorëve me ndihma emergjence është veç faza e parë e ndërhyrjes.
“Ky është vetëm fillimi, por jo fundi, i një mbështetje programore,” u shpreh ai.
“Kjo është vetëm faza e parë. Fazat e tjera janë rekuperimi i krerëve të humbur, i pajisjeve por edhe i prodhimit dhe i infrastrukturës prodhuese. Faza tjetër pastaj, por edhe më e rëndësishmja është parandalimi i fatkeqësive të tilla, i përmbytjeve të tilla përmes investimeve.
Ne do të punojmë me profesionalizëm për të ngritur një strukturë që sapo të kalojmë këto faza të mbështetjes së parë të emergjencës të ndërtojmë një plan ndërhyrje në argjinatura, kanale kulluese dhe gjithçka tjetër duhet për t’i parandaluar këto përmbytje.
Ky është në fakt misioni që ne i japim vetes si qeveri, me gjithë partnerët tanë kaq solidarë në këtë emergjencë, pra si të ndërtojmë një të ardhme më të sigurt për qytetarët dhe jo thjesht si t’i mbështesim ata me ndihma humanitare.”
Ambasadorja Vlahutin u shpreh se reagimi i Shqipërisë ndaj përmbytjeve ka qenë adekuat, por se nevojitet të investohet në parandalimin e hershëm të këtyre fatkeqësive.
“Jam sot këtu me ju për të ndarë solidaritetin evropian dhe për të nënvizuar se BE do t’ju ndihmojë në të gjitha fazat, përfshirë nevojat emergjente dhe ripërtëritjen nga dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e fundit,” tha Ambasadorja Vlahutin.
“Do të bëhet një vlerësim i nevojave pas katastrofës me qëllim që të përcaktohet një program ripërtëritjeje.”