Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani ka dërguar një mesazh urimi Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga në të cilin thuhet se në këto shtatë vjet pavarësi, Kosova ka qenë një shembull suksesi dhe se koha po tregon se mbështetja e pavarësisë së Kosovës i ka shërbyer jo vetëm Kosovës, por edhe paqes e sigurisë në rajonin e Ballkanit si dhe të hapësirës evropiane.
E nderuar Zonja Presidente,
7-vjetori i Ditës së shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, më jep kënaqësinë e madhe e të veçantë, që në emër të qytetarëve shqiptarë dhe timin personal, t’Ju përcjell urimet më të mira e vëllazërore për mirëqenien dhe begatinë e Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj.
Marrëdhëniet mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, përtej marrëdhënieve ndërshtetërore, janë marrëdhënie vëllazërore, që i shërbejnë më së miri bashkëpunimit të gjithanshëm e strategjik në të mirë të qytetarëve të dy vendeve tona, por dhe bashkëpunimit në nivel rajonal e evropian.
Kosova sot është një shtet i pavarur dhe unë ndjehem shumë i lumtur që në këto shtatë vjet pavarësi, Kosova ka qenë një shembull suksesi. Pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe koha po tregon se mbështetja e pavarësisë së Kosovës i ka shërbyer jo vetëm Kosovës dhe qytetarëve të saj, por edhe paqes e sigurisë në rajonin e Ballkanit si dhe të hapësirës evropiane.
Kam, gjithashtu, kënaqësinë që në këtë Ditë të Pavarësisë, të përshëndes të gjitha arritjet e deritanishme të Republikës së Kosovës, si brenda vendit ashtu edhe në nivel ndërkombëtar, si dhe të shpreh mbështetjen e palëkundur të të gjitha institucioneve të Repu
blikës së Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në organizatat rajonale dhe ato ndërkombëtare. Jam i bindur se shumë shpejt, Kosova do të zërë vendin që meriton në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Me urimet më të mira për këtë ditë të shënuar për Republikën e Kosovës, Ju lutem pranoni e nderuar Zonja Presidente, konsideratat e mia më të larta.” – përfundon mesazhi i Presidentit Nishani.