Havier Maskerano i ka idetë e qarta: Serxhio Aguero nuk mund të krahasohet me Lionel Mesin.
Mesfushori argjentinas bën një dallim të qartë mes dy sulmuesve në prag të sfidës së UEFA Champions League mes Barcelonës dhe Mançester Sitit, ku dy sulmuesit e nënkampionëve të Botës do të sfidojnë njëri-tjetrin:
“Ata janë që të dy lojtarë shumë të talentuar.
Aguero është një lojtar i madh, me aftësi të jashtëzakonshme dhe shumë i shkathët në duelet një për një, por është shumë e vështirë të bësh një krahasim mes tij dhe Mesit, që për mendimin tim mbetet më i miri në botë dhe askush nuk mund të ngjitet në nivelin e tij”.
Në vijim të deklaratës, Maskerano analizon momentin pozitiv të Barcelonës, por kërkon nga shokët e skuadrës që ta vlerësojnë maksimalisht sfidën e mesjavës në “Etihad Stadium” edhe pse sezonin e shkuar katalanasit i eleminuan kampionët e Anglisë në të njëjtën fazë:
“Nëse luajmë si në ndeshjet e fundit do të kemi një mundësi të mirë për t’u kualifikuar për më tej.
I kemi të gjitha mundësitë që të zhvillojmë një ndeshje të mirë në Mancester.
Gjatë vitit të fundit në skuadrën tonë kanë ndryshuar shumë emra, madje edhe më shumë se tek Mancester Siti.
Ata kanë të njëjtin trajner por unë kam besim se do t’ia dalim mbanë”.
Ndeshja e parë e 1/8-ave mes Mancester Sitit dhe Barcelonës do të luhet në datën 24 shkurt.