Mbledhja e radhës në Komisionin hetimor parlamentar për Serverin e Tatimeve është shoqëruar me debate mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa deputetët e PD akuzuan drejtoreshën e Tatimeve Brisejda Shehu dhe Ministrinë e Financave për mos dhënie informacioni.
Kryetari i këtij komisioni, deputeti demokrat Arben Ristani ka paralajmëruar kallëzim penal për të gjithë ata që nuk japin informacione publike Komisionit Hetimor në lidhje me skandalin e vjedhjes së serverit të tatimeve.
Sipas tij, është Ministria e Financave e cila nuk ka dhënë informacionin e kërkuar, ndërsa ka akuzuar edhe drejtoreshën e Tatimeve Shehajn se nuk i është përgjigjur kërkesës së tij për informacione të kësaj ngjarje.
“Ka ardhur informacioni nga KLSH, por nuk kemi përgjigje nga Ministria e Financave. Ka reagim nga drejtoria e tatimeve, ata kanë kërkuar informacion nga Prokuroria për kufizimet.
Dhe me këtë argument nuk na japin informacion. S’kemi asnjë pengesë ligjore të na influencojë hetimin tonë. Ne kemi kërkuar informacion publik jo sekret. Nuk kemi kërkuar të dhëna të rezervuara. S’kemi asnjë pengesë ligjore për ta marrë këtë informacion.
Më lë për të dëshiruar etika e drejtoreshës së tatimeve. Sepse unë i kam kërkuar informacion, ajo ia ka kthyer sekretares së përgjithshme të Kuvendit. S’ka etikë institucionale. Kush nuk na kthen përgjigje do e çojmë për ndjekje penale pasi pengon hetimin”, tha Ristani.
Por deputeti i PS Blendi Klosi tha se për kërkesën e informacionit ka një procedurë që duhet ndjekur nga të gjitha institucionet. Sipas tij është Prokuroria e cila nuk i është përgjigjur kërkesës së Komisionit Hetimor lidhur me gjendje se në cilën fazë janë hetimet.
Në këtë kuadër Klosi ka propozuar që t’i jepen edhe disa ditë kohë Kryeprokurorit për të dhënë informacione, ndërsa shtoi se drejtoresha e tatimeve i është përgjigjur kërkesës së Komisionit sipas procedurës.
“Ka një komunikim mes sekretares së Kuvendit me Prokurorinë. Kemi raport të vështirë me Prokurorinë. Duhet t’i ridrejtohemi Prokurorisë për të na saktësuar qëndrimin e saj. T’i ridrejtohemi Prokurorit të Përgjithshëm, deri ku mund të hetojmë ne si komision.
S’mund t’i japim vetes atribute më shumë seç i kemi. Drejtoria e Tatimeve ka vepruar drejt. Shkresa ka ardhur dhe nuk është ky problemi.
Problemin e kemi me Prokurorinë. Duhet të na japë informacion të qartë. T’i japim 2-3 ditë kohë. Që t’i japim zgjidhje dhe mos bëjmë debate kot. Dhe t’i japim fund kësaj tymnaje”, theksoi Klosi.
Në përgjigje të Klosit, Ristani tha se do të kallëzojë penalisht Ministrinë e Financave, sepse s’na ka dhënë informacion.
“Ministria e financave ka neglizhuar kërkesën tonë. Dhe e vetmja mënyrë ligjore është kjo”, tha Ristani
Deputeti Klosi ka ngritur shqetësimin në lidhje me Drejtorinë e Tatimeve nbë kohën e qeverisjes së PD, ndërsa lidhur me Ministrinë e Financave, ai është shprehur se ka funksionuar në respekt të institucioneve.
“Nuk e dimë mirë se çfarë matrapazllëqesh janë bërë më parë në drejtorinë e tatimeve kur PD ishte në shtet. Ministria e Financave është në respekt të institucioneve”, u shpreh Klosi. /gj.k/