Zgjedhjet vendore/ Debat për kandidatët e PD-së në Durrës, Korçë, Shkodër e Elbasan

25 Shkurt 2015, 09:48Politika TEMA

Kanë mbetur vetëm katër muaj prej ditës së zgjedhjeve vendore dhe PD është përfshirë në debate të ashpra në degët kryesore të saj, në ato bashki që janë përcaktuese për fitoren në zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Në se kryetari Basha nuk do të mund të qartësojë situatën dhe të shmangë debatet e brendshme nëpër degët e kësaj partie, por edhe në qëndër, pritet që kjo të sjellë kosto elektorale për këtë parti në zgjedhjet e 21 qershorit.

Burime nga PD-ja thonë se prej pak javësh, ka nisur një proces i testimit të elektoratit të PD-së nëpër qytetet kryesore dhe nga këto sondazhe brenda elektoratit ka të dhëna të qarta në dispozicion të kryetarit Basha. Megjithëse ato nuk përputhen në çdo rast me preferencat e tij për kandidatët më të sukseshëm nga këto sondazhe, duket se Basha do të jetë i detyruar të zgjedhë kundër këtyre preferencave personale, apo edhe të ish-kryetarit Berisha, për t’ju përshtatur kërkesave të bazës së partisë.

Ndërkohë që për Tiranën ende situata është e paqartë, në se do të rikandidojë Basha apo do të zgjedhë një tjetër kandidat, probleme shfaqen edhe në bashkitë kryesore në vend, Durrësi, Korça, Shkodra dhe Elbasani.

Partia Demokratike duhet të ketë kandidatin e saj për bashkinë e Durrësit, pavarësisht se aleati i kësaj partie, Partia Republikane ka shpallur kandidatin e saj, deputetin Agron Duka. Partia Demokratike është ende e paqartë për ta mbështetur atë, paqartësi që vjen edhe si pasojë e problemeve me të cilat përballet vetë dega e PD-së në Durrës.

Në këtë situatë, në PD-në e Durrësit kanë nisur të shfaqen edhe emra të tjerë si kandidatë të mundshëm për kryetar bashkie. Një prej tyre është Ardian Muka, i cili humbi garën për kryetar të kësaj partie në zgjedhjet e fundit brenda PD-së dhe me sa duket nuk ka mbështetjen e strukturave të partisë. Ndërkohë, burimet pranë PD-së së Durrësit thonë se një tjetër emër po lakohet si kandidat i mundshëm për këtë bashki. Është fjala për deputetin demokrat Igli Cara. Nga sondazhet që janë kryer deri tani, Cara ka rezultuar të jetë kandidatura më e pranuar për demokratët e Durrësit.

Në garë për këtë post ka shfaqur ambicie edhe Arqile Gorea, me një përvojë të hershme organizimi në PD, por që duket se nuk gëzon mbështetjen e kryetarit të PD-së Lulzim Basha.

Por kryetari Basha deri tani nuk ka marrë për bazë as preferencat e elektoratit për kandidimin e Cares dhe as lobimin e deputetëve demokratë për kandidaturën e Mukës, i cili mbështetet nga deputeti demokrat Eduard Halimi.

Në këtë situatë, kur në PD-në e Durrësit ka një numër të madh pretendentësh për kandidat, ai që do të vendosë është kryetari Basha, i cili do të duhet të përballet me aleatët e Partisë Republikane nëse refuzon Dukën, ose me demokratët e Durrësit nëse nuk përfillen preferencat e kësaj dege.

Probleme të kësja natyre shfaqen edhe në Korçë, Elbasan dhe Shkodër. Largimi i disa drejtuesve të kësaj partie në këto degë ka shkaktuar amulli në çështjet e organizimit, të cilat po reflektohen në këtë situatë parazgjedhore.

Në qytetin e Elbasanit, po diskutohet rreth mundësisë së kandidimit të kryetarit të degës së PD-së atje, Aurel Bylykbashi,  Bledi Himçi dhe Ilir Mimani.

Edhe në Shkodër ka mosmarrëveshje të mëdha për kandidatët. Kryetari aktual i Bashkisë së Shkodrës Lorenc Luka është kandidat i mundshëm për këtë bashki dhe ka mbështetjen e ish-nënkryetares së PD-së Jozefina Topalli, por i mungon mbështetja nga qëndra e partisë për shkak edhe të raporteve jo të mira mes Bashës e Topallit. Në garë për bashkinë e Shkodrës është edhe një tjetër pretendent, Bardh Spahia, i cili e humbi garën për kryetar të PD-së së këtij rrethi në zgjedhjet e fundit brenda kësaj partie. Emër tjetër i mundshëm për të qenë pjesë e garës është edhe deputetja Voltana Ademi.

Një tjetër bashki problematike në procesin e selektimit të kandidatëve për kryetar bashkie është edhe Korça. Ka një debat të ashpër brenda degës së PD-së në Korçë. Kryetari i degës së PD-së atje, Andea Mano është në garë për t’u zgjedhur kandidat i PD-së për këtë bashki, por kundërshtohet nga një pjesë e rëndësishme e demokratëve korçarë. Mano, ka humbur garën për bashkinë e Korçës përballë Niko Peleshit në vitin 2011. Ai shihet me rezerva prej demokratëve edhe për faktin se ka qënë dikur në strukturat drejtuese të PDR-së, partia e drejtuar nga Genc Pollo. Në vitin 2001, PDR ndikoi në humbjen e PD në zgjedhjet vendore. Në garë përballë Manes është dhe Gjergji Mero, Rektor i universitetit te Korçës. Nga testimet e kryera në bazë, Mero gëzon mbështetje më të madhe përballë kandidatit tjetër.

Kanë mbetur edhe katër muaj në dispozicion të kryetarit Basha për të sheshuar debatet brenda partisë dhe për të përcaktuar kandidatët më të mirë për zgjedhjet e 21 qershorit. Kjo është gara e parë e Lulzim Bashës në krye të PD-së dhe rezultatet e saj do të varen shumë nga hapësira që do t’i japë ai degëve të PD-së nëpër rrethe për të paraqitur kandidaturat më të pranuara nga qytetarët.

lajmepolitike.com

4 komente në “Zgjedhjet vendore/ Debat për kandidatët e PD-së në Durrës, Korçë, Shkodër e Elbasan”

  1. Dauti says:

    o tema po merruni me keto socialistet qe po i tredh me radhe edi rama leri keta te marrin veten

  2. agroni durres says:

    Z.Baze dhe gazeta Tema tregohet shume e interesuar per zhvillimet dhe ngjarjet ne PD.Por nese behet fjale per zhvillime keto kohe ka ne PS.Duke filluar nga burgosja e ish-kryetareve,detyrimi per te mos kandiduar dhe sidomos tek show i A.Shkembit,duke u dorehequr 4 muaj par perfundimit te mandatit.Ne nje vend normal nje doreheqje e tille mund te ndodhe vetem ne rrethana te jashtezakonshme.Por ne jemi ne Shqiperi ku edhe shtypi “i lire” i kundervihet vetem opozites dhe nuk fokusohet fare tek qeveria.

  3. Aldo says:

    E cuditshme qe Tema merr vesh cdo perplasje ne PD, por nuk di asnje perplasje ne PS per luften per kreret e bashkive…
    Tema, sa per dijeni eshte po e njejta lufte brenda llojit…

  4. Blerina says:

    Ne durres vetem Igli Cara mund ta thyeje Dakon.. Durrsaket e dine mire kte gje si te majte ashtu edhe te djathte. Sa per Arqile dhe kompani i shof humbes..
    Z. Basha po e humbi durresin kete here Pd e Durresit do kthehet ne OJF

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje