Në futboll gjërat ndryshojnë menjëherë dhe pavarësisht se nuk është një sport shpejtësie, ritmi është i lartë njësoj si në garat motorike kur kilometrazhi tregon mbi 250 km në orë.
Jemi mësuar që situata të tilla të ndryshojnë në kampionatet elitare të Europës, por së fundmi po mësohemi edhe me Kategorinë Superiore.
Kjo, falë cilësisë në rritje të saj.
Rasti konkret se si mund të ndryshojë gjithcka në harkun e pak javëve është ekipi i Partizanit dhe në vecanti trajneri Shpëtim Duro, shkruan Sport News.
Skuadra e kuqe e nisi sezonin si një nëndetëse, me premtimin se do të rivalizonte me pretendentët për titull, pa e përmendur këtë të fundit si objektiv.
Por, gara tregoi që 15 herë kampionët kishin mundësi reale për të synuar maksimumin, pasi në harkun e 22 apo 23 javëve ishin në vendin e parë dhe kishin superioritet në përballjet direkte me rivalët.
Megjithatë, situata ndryshoi me barazimin ndaj Skënderbeut dhe humbjen në Kukës, teksa eleminimi nga Kupa në dëm të Lacit ftohu marëdhëniet me tifozët.
Më pas humbja në Shkodër me Vllazninë vuri në pikëpyetje jo vetëm objektivin e Partizanit, por dhe pozicionin e trajnerit Duro, pasi skuadra e tij u distancua me kreun.
Pikërisht ky ishte momenti më kritik i të kuqve në këtë sezon, që u duk sikur mori të tatëpjetën.
Por, fitorja ndaj Tiranës në derbi dhe suksesi ndaj Elbasanit jo vetëm konsoliduan të kuqtë në garën për titull, por përforcuan edhe pozitat e trajnerit Duro në krye të skuadrës.
Futbolli të dhuron të tilla emocione, që nga ferri mund të kalosh shumë shpejt në parajsë dhe kjo mbi të gjitha ndodh në një kompeticion të luftuar dhe me garë deri në fund.