Misteri i avionit të rrëzuar qëllimisht

27 Mars 2015, 11:18Bota TEMA
Misteri i avionit të rrëzuar qëllimisht

Andreas Lubitz

Një ditë pasi autoritetet franceze deklaruan se ishte bashkë-piloti i fluturimit të Germanwings, ai që e kishte çuar avionin drejt përplasjes, shumë pyetje mbesin ende pa përgjigje.

Të martën, më 24 mars, avioni ishte nisur nga Barcelona për në Dyseldorf, dhe ishte përplasur në Alpet franceze, duke lënë të vrarë të 150 personat në bord, 144 udhëtarë dhe 6 pjesëtarë të ekuipazhit. Në mesin e tyre, më së shumti kishte gjermanë dhe spanjollë.

Dhe ndërkohë që 18 kombe mbajnë zi për qytetarët e tyre, që humbën jetën në këtë tragjedi, autoritetet gjermane kanë bastisur shtëpinë e bashkë-pilotit, Andreas Lubitz, 27 vjeçar, i cili jetonte në Dyseldorf, për të kuptuar arsyen e veprimit të tij.

Raporte jo të konfirmuara zyrtarisht, flasin se ai mund të ketë vuajtur nga depresioni.

Autoritetet gjermane dhe ato franceze, thonë se nuk ka pasur asnjë shenjë që do të dëshmonte ndërlidhjen e tij me ndonjë organizatë terroriste, ndërsa ata që e kanë njohur, thonë se Lubitz asnjëherë nuk ka dhënë shenja të keqbërjes.

Të dhënat e analizuara nga një pjesë e incizimeve që janë gjetur në njërën nga kutitë e zeza, flasin se autopiloti ishte riprogramuar për të nisur rënien e shpejtë të avionit.

“Ne në Lufthansa kemi mbetur pa fjalë”, ka thënë Carsten Spohr, drejtor ekzekutiv i linjës ajrore gjermane Lufthansa, e cila në pronë ka edhe linjën Germanwings.

Britmat në avion

Kutia e Zezë e cila ka regjistruar zërat në kabinën e pilotit përmban britma rrënqethëse. Kapiteni, i cili ishte bllokuar jashtë kabinës, dëgjohet duke trokitur fuqishëm në derë dhe duke kërkuar të hyjë në kabinë.

Ndërkohë, frymëmarrja e bashkë-pilotit ishte stabile dhe e qetë, pa ndonjë shenjë të ndonjë sulmi të mundshëm në zemër apo sëmundjeje tjetër, thonë autoritetet.

Pasagjerët e frikësuar dëgjohen duke bërtitur deri në çastin e fundit të këtij fluturimi.

Kapiteni ka mbetur jashtë kabinës, pasi kishte shkuar në tualet dhe kishte kërkuar që bashkë-piloti ta marrë drejtimin e avionit.

Që nga sulmet e 11 shtatorit 2001, linjat ajrore janë detyruar që hyrjen në kabinën e pilotëve ta mundësojnë vetëm brenda kabinës.

Operacionet e kërkimit

Operacionet e kërkimit tashme janë përqëndruar në gjetjen e kutisë së dytë të zezë, e cila gjithashtu mund të ofrojë më shumë informacione për minutat e fundit të këtij avioni.

Qeveria franceze ka kërkuar nga Byroja Federale e Hetimeve në Shtetet e Bashkuara, FBI, të ndihmojë në hetimet rreth këtij rasti.

Familjarët e viktimave tashmë gjenden në Francë dhe po presin trupat e pajetë të të afërmve të tyre, apo atë çfarë ka mbetur prej tyre, pasi të ketë përfunduar identifikimi i mbetjeve mortore.

Disa mbetje janë gjetur, por shumë të tjera jo. Vendi ku është përplasur avioni është zonë e thellë malore, qasja në të cilën mund të bëhet vetëm me helikopterë.

4 komente në “Misteri i avionit të rrëzuar qëllimisht”

  1. mirel says:

    jam kurioz si mund te ndihet frymemarja e qete perballe britmave te pasagjereve dhe trokitjeve te fuqishme qe kerkonin te rrezonin deren.

    1. XhungëlHesapi says:

      @mirel Renditja e fjalive në artikull nuk e sqaron mirë kronologjinë e ngjarjeve, ndaj të ka lindur edhe pyetja. Një përmbledhje e ngjarjeve bazuar në rregjistrimet e kutisë së zezë:
      1. Kapiteni shpjegon proçedurat routinë të uljes për në Duseldorf
      2. Kapiteni i kalon komandat, pilotit të dytë, dëgjohet lëvizja e ndenjëses dhe hapja dhe mbyllja e derës së kabinës (Kapiteni që me siguri shkon në tualet)
      3. Piloti i dytë me anë të një butoni, aktivizon komandën për ndryshimin e lartësisë. Fut koordinatat e reja dhe avioni fillon uljen.
      4. Kapiteni kthehet, identifikohet në interfon. Piloti i dytë nuk e zhbllokon derën. Kapiteni bën kodin që aktivon zhbllokimin e derës pas 30 sekondash. Piloti i dytë bllokon zhbllokimin në mënyrë manuale (me anë të një butoni në panel).
      5. Dëgjohen trokitjet e kapitenit në derë që intesifikohen me kalimin e kohës. Ndërkohë nga rregjistrimi i kabinës frymëmarrjet e pilotit janë normale.
      6. Kur avioni arrin në lartësinë rreth 2000m pasagjerët kuptojnë që avioni po drejtohesh drejtperdrejt në shpatet e maleve dhe vetëm atëhere fillojnë ulërimat. Në gjithë këtë tragjedi i vetmi ngushëllim për familjet e viktimave, është fakti që pasagjerët nuk kanë përjetuar një tmerr disa minutësh por vetëm sekondash…

      Gjithçka ka ndodhur në një hark kohor rreth 8min nga dalja e kapitenit prej kabinës.

    2. Artur Duka says:

      Me aplifikator kompjuterik te posatshem qe diferencon zerat/zhurmat qe vine nga drejtime/burime te ndryshme.

  2. ....... says:

    Do Zoti dhe nuk ndodh prape…se na mbyten skizofrenet!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje