Shqiptarët e kudondodhur aspirojnë integrimin në Familjen Europaine, dhe ky objektiv është shndërruar në postulat. Ky qëllim politik e kulturor, përbën konsensusin e vetëm ku bashkohet thuajse i gjithë spektri politik, dhe mbështet pa ndonjë rezervë të theksuar nga populli, elitat kulturore dhe mediatike.
Të kthehemi pak te filozofia e Bashkimit Europian. Etërit e tij, një ndër të cilët, Robert Schuman, ish-ministri francez dhe njëri nga ideatorët kryesorë të kësaj bashkësie politike, në librin “Në emër të Europës”, ndër të tjera shkroi: “Europa para se të jetë Aleancë ushtarake apo entitet ekonomik, duhet të jetë bashkësi kulturore në kuptimin më të lartë të kësaj fjale.”
Pa dyshim, Europa është faktor politik, ekonomik; një faktor paqe e stabiliteti, por mbi të gjitha është një prirje e shpirtit, një parim shpirtëror, një ndjenjë – mendojnë mendimtarë të ndryshëm europianë.
Ne, a e kuptojmë këtë dimension të Europës? Nëse po, cili është botëkuptimi ynë për këtë filozofi?
Po e zhvendosim këtë debat në raportet ndërshqiptare, dhe të reflektojmë pak për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Ato nuk janë për lakmi, por nuk janë as për t’u kritikuar aq shumë, siç ngjet në opinionin tonë publik. Ka ngecje, por ka edhe afri, komunikim intensiv dhe ndërveprime në fusha të ndryshme. Veçmas kulturore.
Dihet, rrethanat që u krijuan pas pavarësisë kombëtare të 1912, na detyruan të jetojmë të ndarë, mirëpo, kjo ndarje s’ka arrit të krijojë hendeqe aq të mëdha, sa tani të kemi më shumë probleme e moskuptim, sesa mundësi e mirëkuptim.
Realitet gjeopolitike të krijuara në fund të shek XX, kanë krijuar kondita të reja, dhe në sfondin e ambicieve për bashkim klasik kombëtar – çfarë kishim për dekada, tanimë qëndron aspirata për unifikimi në Familjen Europiane. Mirëpo, ç’na pengon që gjatë sendërtimit të kësaj aspirate, të afrohemi dhe të krijojmë strategji para integrimit? Mund ta bezdisim BE-në, nëse krijojmë një hapësirë bashkëvepruese ekonomike, kulturore, arsimore? Jo, assesi. Sepse koncepti i BE-së mbështet pikërisht në afrim dhe jo në ndarje. Sidomos në afrime kulturore.
Ndaj, sot, sa është i rrezikshëm turbo nacionalizmi primitiv, folklorik e romantik, po aq është i rrezikshëm diskursi refuzues ndaj marrëdhënieve natyrale mes Shqipërisë dhe Kosovës; marrëdhënie këto që janë më shuam kulturore e shpirtërore sesa politike.
Këto dy vende, pa pasur nevojë për bashkim klasik kombëtar, kanë nevojë për afrim, politika përbashkuese ekonomike, platforma kulturore të përbashkëta, dhe në këto pika, shumë ma shumë ka pika përbashkuese sesa vija ndarëse. Në fakt, vijat ndarëse janë të vogla dhe të papërfilleshme.
Pikërisht për këtë arsye, është e pakuptimtë të flitet më shumë për probleme mes Shqipërisë dhe Kosovës, sesa për përparësi e mundësi. Ne, aspirojmë integrime në Familjen Europiane; flasim me patetizëm e retorikë të lartë për këtë aspiratë, dhe shohim në anën tjetër shumë pengesa në afrimin me njëri-tjetrin.
Është e pamundur të përmbyset e kaluara, dhe askush nuk na kërkon këtë, sepse kemi shekuj kulturë, traditë, kujtesë historike dhe gjuhë të përbashkët.
Për këtë arsye, ligjërimi publik rreth këtyre çështjeve, është shumë larg realitetit.
Shqipëria dhe Kosova, mund të kenë dallimet e natyrshme, siç kanë popujt që kanë jetuar me shekuj nën një ombrellë kushtetuese- nën një rregullativ koheziv shtetërore, si italianët verior me ata jugor; suedezët verior me ata jugor. Mirëpo, këto dallime, s’janë aq të fuqishme dhe problematike, sa mos të shihet në horizont asnjë pikë dhe asnjë temë përbashkuese mes nesh.
As Kosove e as Shqipëria, nuk guxojnë ta shohin njëra-tjetrën si kontinjer për t’i derdhur emocionet negative, frustrimet, pasigurinë dhe përçapjet e ngadalta kah konsolidimi si shtete të mirëfillta demokratike dhe evropiane.
Ne aspirojmë të bashkohemi me popuj tjerë: polakët, francezët, suedezët, irlandezët e shumë të tjerë, dhe nuk shohim më shumë dallime sa me integrimet mes vete.
Një unifikim mes shqiptarëve, në planin kulturor, ekonomik, arsimor, nuk mund të jetë pengesë për Europën. Përkundrazi, është në funksion të idesë çka përfaqëson realisht ajo.
Sa për ilustrim, ia vlen të përmendet: Vendet skandinave, para se të integroheshin në BE (përveç Norvegjisë e cila as sot nuk është pjesë e BE-së), kishin politika përbashkuese dhe atë në shumë pika. Një gjë të tillë e kanë ruajtur edhe pas integrimit.
Shembujt e tillë, duhet t’i ndjekim.
Vizioni ynë kombëtar që të ankorohemi në familjen e kombeve të lira të Europës së Bashkuar, jetësohet më shpejt dhe më lehtë, nëse afrohemi me njëri-tjetrin, dhe jetësojmë filozofinë e etërve të Bashkimit Europian; ta kuptojmë Europën si bashkësi kulturore.