Afrodiziaku nacionalist i Edi Ramës për argëtim të popullit

16 Prill 2015, 10:51Blog TEMA

Nga Enver Robelli*

 

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka zbuluar nacionalizmin për dëfrim popullor. Thirrjet e tij për bashkim të Shqipërisë me Kosovën janë përpjekje për t’i ikur ballafaqimit me problemet e vërteta që shqiptarët kanë sot në Ballkan

Për Edi Ramën gjërat janë shumë të thjeshta. Nëse Bashkimi Evropian nuk i pranon në radhët e veta Shqipërinë dhe Kosovën për të mundësuar kështu bashkimin e kombit shqiptar, atëherë kjo do të ndodhë, sipas tij, jashtë BE-së.

Që nga rrëzimi i komunizmit në Shqipëri në fillim të viteve 90 dhe që nga nisja e lëvizjes kosovare për pavarësi në po atë kohë si në mesin e politikanëve në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë, por edhe në Tetovë ka ekzistuar një konsensus: synim parësor i shqiptarëve në Ballkan është integrimi në Bashkimin Evropian. Edi Rama me deklaratën e tij se bashkimi mund të ndodhë edhe jashtë BE-së bëhet kështu politikani i parë që e vë në dyshim procesin e integrimeve evropiane dhe përmend alternativa karshi tij. Derisa deklarata të tilla absurde Ramës do të mund t’i lejoheshin si publicist e piktor që kalon ditët në sallonet e Parisit apo në kafenetë e Tiranës, si kryeministër i Shqipërisë ai me këso prononcimesh vetëm shkakton skandale.

Nuk është këtu çështja se si do të reagojë bashkësia ndërkombëtare ndaj deklaratave të Ramës: ata, në Bruksel e Washington, kanë qëndrimet e tyre të bazuara në investimet mbi njëzetvjeçare në arkitekturën e paqes në Ballkan. Skandaloze këtu janë deklaratat e Ramës për shkak se përmes tyre po bëhet aleat i nacionalistëve serbomëdhenj, të cilët po ashtu kontestojnë kufijtë në Ballkan dhe mbi të gjitha pavarësinë e Kosovës.

Por, ka një dallim të madh në këtë mes: nacionalistët serbë në përpjekje për të ndarë Bosnjën nuk kanë ngurruar të kryejnë edhe gjenocid, ndërsa shqiptarët e Kosovës i ka bërë të pavarur Perëndimi për t’i shpëtuar nga rreziku i gjenocidit serb. Deklaratat ambivalente të Ramës janë të rrezikshme sidomos në këtë moment kur BE-ja dhe SHBA-ja po përballen me hegjemoninë ruse, me Vladimir Putinin, i cili vë në dyshim sovranitetin e shteteve të ish-Paktit të Varshavës. Paradoksi është ky: tani janë Putini, Edi Rama, ndonjë budalla nacionalist në Prishtinë dhe nacionalistët radikalë serbë që kërkojnë ndryshim kufijsh në Evropë! Në të njëjtën kohë krejt politikanët shqiptarë në Ballkan pohojnë me kokë në shenjë miratimi kur ministra të jashtëm të vendeve të rëndësishme perëndimore thonë: “Me pavarësinë e Kosovës kufijtë në Evropën Juglindore janë skicuar tashmë”.

I etur për famë, i etur për të qenë një lloj “babai i shqiptarëve në Ballkan” (ndonëse Kosova e ka të vulosur atësinë në Kushtetutën e saj, në projektin për pavarësi dhe përmes liderëve të saj historikë) – Edi Rama po bëhet gjithnjë e më shumë një figurë e zakonshme në llafazanërinë politike shqiptare. Kosova po keqpërdoret prej tij dhe qarqeve të tjera politike e kuazipublicistike në Tiranë si temë komerciale – për dehje patriotike dhe për mbushje të xhepave të aksionarëve të Digitalbit.

Është lehtë të bërtasësh nga plazhi i Ulqinit për bashkim, është zor – ose së paku kërkohet shumë guxim të ballafaqohesh me tema të nxehta, me deputetë me njolla krimi që rrinë në kolltukët e Kuvendit të Shqipërisë, me trafiqe të paligjshme, me drogën që shkarkohet e ngarkohet në vijën bregdetare, me korrupsionin e madh, me diplomatë shqiptarë që kryeqyteteve të Evropës ecin me raki Skrapari në qese, me fajtorët për shkatërrimin e ambientit. Të gjitha këto çështje të ndjeshme po mbulohen duke e kontestuar me apo pa dashje shtetësinë e Kosovës dhe duke i çuar peshë zemrat e nacionalistëve që gërvallen gjatë ndeshjeve të futbollit. Nacionalizmi si afrodiziak për dëfrim popullor.

Kosova nuk është shtet në pazar. Ajo ka identitetin e vet shtetëror. Shtetësia e Kosovës e forcon faktorin shqiptar në Ballkan. Edi Rama nuk duhet ta njollosë edhe më tutje orën e fatit që nisi të matë kohën e lirisë në qershor 1999, pas intervenimit të NATO-s. Këtë orë Edi Rama mund të përpiqet ta shkatërrojë nga dëshira për të qenë i duartrokitur si nacionalist dhe i manipuluar nga qarqet komerciale që patriotizmin e shohin vetëm me syze të lekut. Por, si Sali Berisha edhe Rama nuk do të ketë sukses në këtë mbrapshti populliste.

Ka shumë zhurmë rreth bashkimit dhe nuk ka asnjë projekt konkret, as analiza serioze të mundësive reale, as vlerësim të saktë të rrethanave gjeostrategjike. Përpjekjet e Ramës për të shantazhuar BE-në askush nga faktorët vendimmarrës në botën perëndimore nuk i merr seriozisht. Por, deklaratat e Ramës për bashkim janë një rast i mirë për diplomacinë serbe të bëjë zhurmë kudo në forume ndërkombëtare mbi rrezikun e krijimit të së ashtuquajturës “Shqipëri e Madhe”.

Edi Rama mund t’i ndihmojë Kosovës nëse punon për shtetin e tij – Shqipërinë. Puna më e mirë për Shqipërinë është kur politikanët në Tiranë e kuptojnë se gjatë çerekshekullit të fundit janë humbur plot shanse të mëdha për integrimin e Shqipërisë në Evropë, për shkak të zënkave mesjetare mes klasës politike shqiptare. Nga pësimet e deritanishme duhet urgjentisht të nxirren mësime. Pjesë jo përherë e lavdishme e klasës politike shqiptare ka qenë dhe vazhdon të jetë edhe Edi Rama – herë me karakterin e tij arrogant e shpërthyes, herë me aksione me bojëra sa për të prodhuar ndonjë titull për ndonjë gazetë perëndimore.

Tash këtij kokteji i është shtuar edhe nacionalizmi zhurmëmadh. Më mirë do të ishte sikur Shqipëria të prodhonte tituj të tjerë për mediet perëndimore: për shembull me dhjetë prokurorë të rinj, të arsimuar në Perëndim, të cilët pa asnjë kompromis godasin krimin e organizuar dhe korrupsionin nga Vermoshi në Konispol. Meqë ballafaqimi me krimin në Shqipëri në shumë raste domethënë të presh degën ku rrinë segmente të partisë në pushtet apo të opozitës, jo pak politikanë të Tiranës e shfrytëzojnë Kosovën si arenë për pehlivanllëk patriotik. E njëjta vlen edhe për jo pak politikanë të Kosovës: pasi e kanë bërë punën pis me vite, duke u bërë pjesë të krimit e korrupsionit, paradat bajate patriotike i shohin si mundësi për të dalë më të pastër para popullit.

Edi Rama po shfaq njëfarë nervozizmi në opinion kundër Bashkimit Evropian, i cili, sipas tij, po e mban Kosovën të izoluar, duke mos ia hequr regjimin e vizave. Natyrisht që karantina kosovare e Schengenit është e padurueshme, por Rama do të duhej ta dinte përse gjendja është e tillë: policia e Kosovës nuk ka arritur të zbulojë asnjë krim serioz, në dhomën e dëshmive të policisë janë vjedhur 50 kilogramë drogë, shtypja e pasaportave biometrike është shoqëruar me një aferë të madhe korrupsioni, segmente të rëndësishme të policisë së Kosovës janë degë të nëntokës politike brenda institucioneve, Agjencia Kosovare e Inteligjencës ende mbetet një trupë për spiunazh kafehanesh dhe larg synimit për të qenë garantuese e sigurisë së shtetit të Kosovës.

Në këto rrethana është iluzion të presësh liberalizim vizash dhe ta mallkosh Evropën “plakë e kurvë” për politika antishqiptare. Nëse prej një vendi si Kosova brenda pak muajsh ikin 50 mijë njerëz, atëherë nuk duhet pritur që vendet e Schengenit do t’i hapin dyert gjerë e gjatë për kosovarët. Liberalizimi i vizave domethënë qëndrim në hapësirën e Schengenit për një kohë të caktuar, por pa të drejtë pune.

Edi Rama duhet të mësojë shumë për Kosovën dhe të flasë sa më pak për të. Kështu i ndihmon shumë Shqipërisë. Dhe shqiptarëve kudo në Ballkan.

*Koha Ditore

17 komente në “Afrodiziaku nacionalist i Edi Ramës për argëtim të popullit”

  1. astrit says:

    Pse edhe ti o kosovar i vrerosur na qenke kunder bashkimit, d.m.th. qenke filo serb dhe une te dija burre te mire.

    1. tfgs says:

      Nuk eshte autori fajtor se ti je nje sunit kokebosh e nuk kupton ato per te cilat autori[i cili meriton nje bravo te madhe] shkruan…….
      ……..diplomatet e Rames bredhin neper Evrope me shishe raki permeti ne xhep……….hahahahahaha!
      Une do te shtoja se keta plehra politikane ne evrope do te mblidhnin kanoce,ne Shqiperi bejne VIP-in apo patriotin e leshit………..

  2. Gattamelata says:

    Shkrim fantastik!

    Bravo!

  3. niazi says:

    Guximi i Edi Rames per t’i kujtuar Europes se duhet te shpejtoje integrimin per shqiptaret eshte nje gje per t’u lavderuar dhe jo per t’u kritikuar mor zoteri ! E si eshte e mundur qe kjo Europe qe vendosi per fatin e shqipetareve ne 1913 duke e bere copa – copa dhe duke i lene shqiptaret ne 5 shtete te vazhdoje t’i trajtoje ata si afrikane duke mos u njohur madje dhe si shtet nga 5 vende te BE ?
    Pse duhet te heshtim ? Luftenxitese Shqiperia s’ka qene ndonjehere , vende te tjera nuk ka pushtuar si Serbia ,faktor stabiliteti ne Ballkan eshte aktualisht . E vecanta eshte se Edi i kujton Europes se cilat jane aspiratat e shqiptareve : Bashkim nepermjet Europes apo ne se humbet durimi bashkim natyral !
    Me te madhe duhet thene : Bravo Edi Rama qe guxon te thuash nje te vertete te cilen europa nuk guxon ta thote !

  4. gazi says:

    Si gjithenje i papre je Enver.E shijova kafen e mengjesit me kete shkrim te bukur faleminderoj Temen per hapsiren qe ja ka afrouar Enverit.

  5. shpatar says:

    Ja qe na doli dhe nje Enver ,emer i bukur per ne shqiptaret, Rebolli nuk e kam iden sa ngjane me ne shqiptaret ,te na flasi si dikur shqiptaret qe i thane I .Qemalit :He bre burra cash ky Ismail qe na do Mevetesine pa pyte Turkine .Kujt ti marrim leje mor zotni per se koti atyreve qe na coptuan e na mbajne dhe ne demokraci nen presjonin e qejfeve.Po as sa palistanezet nuk na krahesoke qe kane 80 vjete qe nuk mposhten per te drejtat e tyre .Turp qe na del me teori kapitulluese .Llogjika eshte Shqiperi nje komb i bashkuar .

  6. mëno says:

    Deri sa Kombi te shpetoj nga servilizmi dhe mercenarizmi i nje numuri te konsiderueshem “intelektualesh” nuk do kete asnje premis te mire per shqiptaret. Historia ne meson se antaret e kombit tone qe u kane sherbyer te huajve me lavdi, jane shume here me te shumte se ata qe jane shkrire per kete toke e kete popull. Kur lutesh te komshiu, e ai ste pranon brenda, quhesh lypes, ose njeri qe qurravitesh. Uroj qe ata qe kane besim te Evropianet te kene te drejte dhe une ta kem gabim, por çdo gje qe mesoj nga e kalauara me jep te kuptoj se dashamiresia e tyre eshte e njellojte me ate te vitit 1880. Prandaj shikoni ti zgjidhni punet mes vetit dhe mos prisni nga dashamiresia Franceze bie fjala, se ajo eshte baras dashamiresi Serbe.

  7. Labi Kurveleshi says:

    Është me të vërtetë e trishtueshme kur ideja për të kundërshtuar kundërshtarin, edhe kur ai të thotë “shendet” , ti i thua ‘plaç” nuk ka të bëjë aspak me faktin se Edi Rama dashka të quhet baba i Kosovës.Kosova e ndërtuar , e rikonstruktuar keqas, e ndihmuar keqas ka nevojë për një mbështetje më të madhe kombëtare, ndërsa bij si Robelli as që çajnë kokën për mjerimin e e ri që po shtohet mbi nje popull me 50 % të papunë, me ikjet masive drejt Perëndimit e zbrazjes së vendit. Natyrisht Edi Rama nuk është i zoti të kryej bashkimin e shqiptarëve së pari pa dëshirën e këtyre farë Robellëve, por as pa dëshirën e komunitetit ndërkombëtar. Por përulja e servilizmi ndaj tyre, edhe kur kanë kaluar 16 vite nga ndihma e vërtetë, nuk shkon me dinjitetin e popujve. Prandaj duhet një zë të bërtasë- edhe kur thotë të pamundura, – se sa një zog thiu që përpëlitet në baltën e vte.Robellë ka mjaftë Kosova, dhe në se nuk u dhimbset atyre vendi i tyre, sigurisht Edi Rama është për një mandat të caktuar në krye të Shqipërisë e nesër mund të jetë dikush tjetër. Por teoritë e mbrapshta të kritikave për kritikë kthhen gjithmonë në bumerang..

  8. Dani says:

    Cfare ka ketu per tu kritikuar o gazetare,po nuk kerkove ste jep njeri gje,as nena nuk I jep gje femijes po nuk qau.Na cmendi inferioriteti I ketyre gazetareve.

  9. No comment says:

    Rama piktor eshte, eshte dhe pak batakci por edhe trap i cili nuk ka nuhatje politike. Rama harron se u be KM ne shqiperi per arsye te rotacionit “demokratik”, i cili eshte i domosdoshem me c’do kusht per nje vend antar te NATOS. Megjithate, une nuk do ti jepja shume rendesi se c’fare llomotit Rama, deri sa llomotitja mos te krijoje probleme.

    Me sa duket, llomotitja e piktorit, ka krijuar disa probleme dhe kjo duket nga reagimi i nderkombetareve. Por piktori, piktor eshte dhe me mendjen qe ka, mendon se eshte ne seline e PS-se kur flet per ceshtjet e Ballkanit dhe Europes. Nuk ka faj, eshte thjesht nje politikan Shqiptar, te cilit i polli mushka ne pashallekun e Albanistanit.

  10. latif biba says:

    kur mbaron leximin e ketij artikulli kupton se sa mungesa ka ne median tone per te pasqyruar realitetin ashtu sic duhet!Mbas shkrimeve te perditshme idioteske se meros per (gomeret e temes) dhe boshllekun ne mediat tona, ky shkrim le te sherbeje si nje thirrje per me teper vertetesi nivel e profesionalizem ne botimet e gazetareve e analisteve tane!

  11. Gjoli says:

    Perse nje te vertete therese e presin ne kete menyre servilet e Edvinit?
    Ku ka mendere te bashkoje shqiptaret ky njeri qe si Thaçi ne Kosove ka leshur rrugeve te Europes varferine sa po behemi si Sirianet ku lufta ka bere kerdine?
    Jane me mijera qe po lene shtepi e katandi nga Kosova e tani edhe nga shqiperia,e po rine si lypsare urave te Frances,te Belgjikes,te Gjermanise,Austrise Hollandes,e perse; SEPSE KETA QE TALLEN SOT I DHANE PUNE,I DHANE SHPRESE,SE LUFTUAN KORUPSIONIN,SE LUFTUAN POSHTERSITE,SE ZHVILLUAN ARSIMIN,SHENDETESINE,SA HARUAN GRABITJET E PASURIVE KOMBETARE,ETJ,ETJ,DHE TANI I KA MBETUR PA BERE BASHKIMIN E KOMBIT? POSHTERSIA S;KA FUND,POR DHE TE POSHTER DO KETE GJITHMONE E NE SHQIPTARET E KEMI PATUR NE GJAK.

  12. Butrinti says:

    dergojeni kete shqiptar qe tregohet kaq i dijshem te pij nje kafe me te madhin profesorin dhe dijetarin e shquar te shqiptarizmit Rexhep Qosen , mbase mund te mesoj dicka .

    1. alb says:

      Ai eshte i madh vetem tek librat ,per politike nuk ja thote fare ,prandaj
      nuk merret kush me ate te madhin tend .

  13. albanistanat says:

    Rama ne pamundesi te realizoj detyrat konkrete qe preet Shqiperia prej
    merret me te hudhme .

  14. muço says:

    Kosova në Kosovë dhe Shqipëria në Shqipëri. Jemi shumë larg në psikologji dhe në karakter. Ato që na lidhin me Kosovën janë Flamuri dhe gjuha. Vetëm referendumi e ndan këtë punë. Nuk besoj se shqiptarët e Shqipërisë do të votojnë “pro!”Të presim kohën kur të na pranojë Evropa. Kështu si e tregojmë veten gjatë dy viteve të fundit, zor se Evropa do të na thotë “Po”! Sherr, vrasje, korrupsion, pisllëk ekologjik, politik, kriminelë e hajdutë në qeveri e ish qeveri!!! E përse do të na dojë Evropa, apo që të na ketë si WC-në e saj?

  15. mimmo says:

    Z.Enver Robelli ! Je i vetmi gazetar realist e me kembe ne toke ! Mos ndegjo ignorantet ose aventurieret ! ! Pershnetje !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje