Kuvendi debate për ligjin e energjisë/ Rama: Si e trashëguam sistemin dhe si po e reformojmë

23 Prill 2015, 12:23Politika TEMA

Kuvendi u përfshi nga debatet, akuzat dhe kundër-akuzat mes Qeverisë dhe opozitës në lidhje me ligjin për energjinë elektrike.

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të flasë me gjuhën e shifrave, pasi sic tha ai, kjo ishte e vetmja mënyrë  për tu kuptuar me opozitën.

Fillimisht Rama u ndal në situatën e vështirë që u ndesh Qeveria e tij në lidhje me  sektorin e energjisë, duke evidentuar borxhet e KESH-it, OST-së dhe ish- CEZ-it (tashmë OSHEE), të trashëguara nga Qeveria Berisha.

Sipas Kreut të Qeverisë, i gjithë ky kolaps në sektorin energjetik , u krijua pasi Qeveria Berisha zgjodhi  t’i lërë rrugë të hapur shkeljes së ligjit për të garantuar qëndrimin sa më gjatë në pushtet.

“Shkelja e ligjit ishin zgjedhje e qartë politike për të mbajtur pushtetin me çdo kusht duke e bërë shtetin copë copë”, u shpreh Rama.

“Është spektakolare të dëgjosh sesi përgjegjësit për gjendjen e trashëguar të sektorit energjetik kanë kurajën të flasin njësoj sikur vrojtojnë nga kullat e plazheve horizontin dhe jo sikur deri 18 muaj më parë kanë pasur në dorë t’i bëjnë gjërat që thonë sot.

KESH-in e lanë me 540 milionë dollarë borxhe të krijuara drejtpërdrejtë nga vendimmarrjet tërësisht qorre të qeverisë.

OST 20 milionë dollarë borxhe duke e bërë të pamundur përmbushjen e rolit të saj si operator nga mos shlyerja e detyrimeve ndaj shpërndarësit. Linjën e interkonjeksionit me Kosovën e lanë të bllokuar.

Operatorin e Shpërndarjes e lanë në një kolaps dhe një situatë absurde ligjore me 1 miliardë dollarë borxhe që tejkalonin me disa herë kapitalin e kompanisë dhe me një nivel faturash të pashlyera me 1.3 mld dollarësh në nivel historik humbjesh prej 48 % që në momentet e fundit përfunduan në 51 % humbje.  

Një sistem tarifor skandaloz që stimulonte abuzimin. Me një prodhim pjesërisht të liberalizuar por me kontrata që janë lak në fytin e sistemit dhe që janë borxhe që i shlyejnë akoma qytetarët që paguajnë energjinë dhe taksat. Me një kuadër ligjor që nuk i përgjigje realitetit të sektorit. Kjo është gjendja e trashëguar”, tha Rama.

Duke paraqitur reformat që qeveria e tij ka ndërmarrë në sektorin energjitik, Kreu i Qeverisë vuri theksin në shlyerjen e borxheve ndaj biznesit, uljen e nivelit të humbjeve në rrjet si dhe aktmarrëveshjet që debitorët ndër vite lidhën me OSHEE-në, duke mbledhur tha rama 50.5 miliardë lekë.

“Çfarë kemi bërë ne në vetëm 18 muaj? Përsëri më shifra dhe fakte, se ndryshe është e kotë të merresh me ta. Reduktuam nivelin e humbjeve vjetore dhe sot jemi në nivelin 31 % që është nata me ditën në raport me 18 muaj më parë.

Duke pasur stabilitet bazik në sektor do të shkojmë nën 30 %. Nivelin e arkëtimeve e kemi rritur me 100 milionë dollarë. Deri në prill 2015 në 18 muaj tejkaluam 300 mijë aktmarrëveshje me debitorët që këta i lanë rrugë se mendja e tyre ishte “rrugë rrugë”.

Vlera totale e tyre është 50.5 miliardë lekë ose 505 milionë dollarë. Vlera e kamatëvonesës së falur si pasojë e përfitimit nga skemat lehtësuese është 39 milionë dollar.

Në 2014 KESH-i ka blerë me një çmim 2.89 euro më të lirë se në 2013 dhe 15.98 euro më të lirë se çmimi mesatar i 5 vite të fundit.  Për 2015 KESH- shiti me 15.5 euro më shtrenjtë.

Krahasuar me 2013, ndonëse me 40 % prurje më pak në Fierzë, është rritur rezerva energjetike.  Është shlyer 70 % e borxheve të akumuluara nga prodhuesit e vegjël.

Me vizatime fëmijësh me tre fletë i gënjenin dhe barrën e financimit ua linin në kurriz”, u shpreh Rama.

Referuar mbështetjes që Qeveria ka marrë nga Banka Botërore, Rama tha se kjo mbështetje i ishte ofruar edhe ish-qeverisë Berisha, por se kryeministri në atë kohë kishte zgjdhur rrugën më të thjeshtë, atë të shklejes së ligjit për të mbajtur pushtetin.

“Mbështetja nga Banka Botërore dhe nga institucione të tjera është rezultat i drejtpërdrejtë në këtë sektor si parakusht për këtë mbështetje.

Më parë asnjë se ka përmbushur se kishin politikën e shkeljes së syrit para abuzuesve. Shkelja e ligjit ishin zgjedhje e qartë politike për të mbajtur pushtetin me çdo kusht duke e bërë shtetin copë copë.  Sot kemi 15.2 milionë euro grante për projekte të rritjes së eficencës së energjisë elektrike.

Kemi kompensuar në shtesë page të drejtpërdrejtë  mbi 210 mijë familje të klasifikuara si të varfra dhe në nevojë, që marrin çdo muaj shtesë në pagë, në pension për të përballuar efektin e reformës tarifore. Kemi reformuar formulën e caktimit të blerjes së energjisë nga entet private.

Shtuam me 40 mln dollarë financimet në gjenerim dhe kaluam në një fazë të re menaxhimi të kaskadës nëpërmjet kontrollit që i jep und ndërhyrjeve politike: lëre të mbushet se do ta shesim, e kur mbushej plot përmbytej gjithë shkodran dhe i thanë ka rënë shiu më i madh i 100 vjetëve të fundit.

Kemi filluar procedurat për prishje të kontratave koncensionare për mbi 30 HEC-e. Koha kur kontrata nënshkruhej e nuk monitorohej ka marrë fund. 9 milionë dollarë kemi investuar për sigurinë e digave në HEC-e”, theksoi Rama. /gj.k/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje