Bekenbauer: Klop, ideali si pasues i Guardiolës

27 Prill 2015, 15:29Sport TEMA

Jurgen Klop në stolin e Bajernit të Mynihut nuk është diçka e paimagjinueshme.

Kështu mendon Franz Bekenbauer, për të cilin çdo opsion mbetet i hapur pas largimit të Klop nga Dortmundi pas 7 vjetësh.

Madje legjenda e bavarezëve zbulon disa detaje nga e kaluara dhe nëse gjërat do të kishin shkuar ndryshe, Jurgen Klop mund të ishte ulur shumë kohë më parë në pankinën e kampionëve të Gjermanisë:

“Sigurisht që mund ta imagjinoj Klop si pasues të Guardiolës. Kur isha president, kemi patur diskutime të shpeshta për të sepse unë mendoja se ai mund të përshtatej mjaft mirë të Bajerni. Ai vazhdon të jetë një opsion, por çështja është sa do të qëndrojë Guardiola. Unë shpresoj sa më gjatë, por e theksoj se Klop duhet marrë në konsideratë”.

Edhe në rast largimi të spanjollit, bavarezët duken se e kanë gati kandidatin për stolin, të paktën duke iu referuar fjalëve të Kaizerit.

Guardiola ndërkohë e ka bërë të qartë se jo vetëm kërkon ta çojë deri në fund kontratën aktuale, por madje është i gatshëm të ulet në diskutime për rinovimin përtej vitit 2016.

Në lidhje me përballjen në Champions, Bekenbauer mendon se Guardiolës i duhet një ekip sa më i plotë për të kaluar ish ekipin e tij Barcelonën:

“Mesi është një lojtar i jashtëzakonshëm. E gjithë skuadra bie dhe ngrihet bashkë me të. Nëse Bajerni arrin të ndalë Mesin, atëherë po që do të ketë shanse, por për të kaluar Barcelonën nevojitet një ekip sa më i kompletuar. Guardiolës i duhen Riberi, Alaba e Roben”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje