Alkimia e Pushtetit

5 Maj 2015, 20:42Blog TEMA

Nga Valbona Omeri

 

“Jungu besonte se në përpjekjet e tyre për të kthyer metalet bazë në  ar alkimistët në mënyrë simbolike ishin angazhuar në një proces të transformimit psikik. Me fjalë të tjera, alkimia ishte një metaforë për individualizmin. Ai thotë se të përballur me një fushë padijeje, ne projektojmë aty veprimtarinë tonë psikike dhe e mbushim atë me kuptim” (Anthony Stevens, Jung, një hyrje  e shkurtër, Ideart, 2007, Tiranë, f. 54.)

Kthehemi në situatën aktuale dhe  bëjmë një analogji me atë që kandidatja për kryebashkiake, zj. Grida Duma, shpreh se nuk vjen për të marrë pushtetin në Bashkinë e Durrësit, por për të menaxhuar. Pikërisht këto fjalë përqasen me veprimin e alkimistëve, teksa përpiqen të kthejnë në ar metalet. Këtë ndjesi japin sot fjalimet e kandidatëve në përgjithësi. Nuk e gjejmë me vend deklaratën e kandidates Duma për sa i përket pushtetit. A mendon ajo se duke mos kërkuar pushtet, të paktën jo drejtpërdrejt, përcaktohet si “e duhura”?

Pushteti është kapaciteti apo aftësia e për të drejtuar sjelljen e të tjerëve, apo e drejtimit të ngjarjeve. Këtu koncepti “pushtet” është përkufizuar në mënyrën më të thjeshtë të mundshme.

Menaxhimi është përcaktuar si një tërësi veprimesh: drejtim, organizim, marrje vendimesh, konsultime; ai kërkojnë disa aftësi të spikatura, si: aftësi për t’u dhënë drejtim problemeve, aftësi delegimi, aftësi për të dhënë urdhra, aftësi të kërkosh llogari etj.

Pa u zgjatur në përkufizime e fjalë që të gjithë i dinë, do të përqëndrohemi në atë që kandidatja  e djathtë për kryebashkiake e Durrësit i ndan këto të dyja, pra, pushtetin nga menaxhimi. Ajo zgjedh të injorojë të parin dhe të valëvisë flamurin e të dytit. Mund të themi me plot gojën transformim, sepse zj. Duma nuk është kjo që shohim sot. E kemi parë të përleshet në forume dhe të shpalosë gojëtarinë e saj që, për hir të së vërtetës, është gozhduese për dy arsye: 1) ka një logjikë të shëndoshë në debat; 2) kjo logjikë përshkohet fund e krye të nga një adhurim gati patologjik, që ajo ka për ish-liderin e partisë, ku aderon.

Sot Grida me të drejtë revoltohet kur sheh duar të rrudhura, sy që lotojnë nga skamja dhe nga pamundësia, papunësi, varfëri. Sot flet në popull me gjuhën e tij. Me të drejtë angazhohet për punë e dinjitet, por ato nuk vijnë vetëm me menaxhim dhe pa pushtet.

Nëse  padashje pohon se duke ardhur si menaxhere dhe jo si e pushtetshme në Bashki pushteti do të veprojë  nga “lart” si gjithmonë, në rregull, të vazhdojë me recitimet. Kujtdo që do të marrë në dorë menaxhimin e qytetit, e para gjë që do t’i nevojitet, është pushteti. Edhe më mirë nëse e ka të përforcuar me pushtetin qendror. Populli nuk jep vota për menaxherë.        Çfarë do të bënte një menaxher pa pushtet? Populli vlerëson kapacitetin për të drejtuar ngjarjet, të vë në krye dhe pret të kullandrisësh shtëpinë. Pushteti është çelësi dhe kandidatët e dinë mirë këtë, vetëm se po maskojnë dëshirat, lakmitë me shprehje dhe sjellje patetike. Politikanët  dhe personat që ata kandidojnë, kanë të drejtën legjitime ta kërkojnë pushtetin. Nuk kanë pse druhen, askush nuk i keqkupton. Pushteti  përdoret për të menaxhuar atë që premtohet. Pushteti përdoret për të menaxhuar atë që duhet të realizohet. Pushteti duhet për të ekzistuar. Nuk është asgjë e keqe të kërkosh pushtet. Individi i pushtetshëm rrit besueshmërinë tek ata që kërkojnë të realizohet një projekt apo një premtim a më shumë premtime. Fakt është se kandidatja Duma nuk mund ta ketë pushtetin. Nuk flasim për pushtetin ekzekutiv. Flasim për pushtetin që të jep forca politike ku aderon. Askush nuk ka pushtet aty, përveç liderit. Flasim për hapësirën që do të ketë  në qeverisjen e qytetit tonë. Përvoja e gjatë që kemi në këta 25 vjet na thotë të kundërtën, sidomos për forcën që  përfaqëson kandidatja. Përpos kësaj, nuk ka mbështetje as nga  pushteti qendror, nga qeveria e sotme. Edhe këtu përvoja na tregon se, kur pushteti qendror dhe lokal buron nga i njëjti krah, bashkia është e sukseshme relativisht.  Pra, mund ta besojmë kandidaten,  kur thotë se do të jetë vetëm menaxhere. Sa e zonja do të jetë si e tillë, nuk e dime.  Nuk ka asnjë të dhënë në këtë.Mbetet të na e tregojë kur të marrë në dorë pushtetin për të cilin nuk do të luftojë. Një tjetër faktor që do të përcaktojë dhe pushtetin e kryetarit, është këshilli bashkiak. Qoftë larg! të jenë trima e të ngrenë krye ndaj të madhit (jo kryebashkiakut).

Për ta përgjithësuar situatën, kudo në Shqipëri në këto ditë e në vazhdim premtohet e do të vazhdojnë të premtojnë. Problemi është çfarë premtojnë, kush i premton, si i premton. Problemi është se sa pushtet të atribuohet e si mund ta përdorësh. Problemi është se nuk duhet të shtiresh, të paktën jo në fushatë. Kur të fitosh, nëse ndodh, ke kohë dhe mundësi të vendosësh maskë. Duhet më shumë atëherë. Problemi është se në çdo premtim duhet t’i kesh këmbët të ngulura fort në tokë. Problemi është se a mund të rezistosh? A je i vetëdijshëm se do të duhet të tejkalosh përuljen ndaj liderëve për të menaxhuar pushtetin dhe të na shërbesh neve. Kjo vlen për të dy krahët. Populli  për një ditë të vetme i dallon ngjyrat, pastaj kërkon atë që i përket, dhe pse merr shumë pak.

Prandaj kandidatët, dhe pse iu referova kandidates së Durrësit,  më ngjasojnë  me alkimistët që po përpiqen të kthejnë metalin në ar dhe me këtë të ndërtojnë një figurë, e cila  të mund të jetojë dhe kur të ketë perënduar deliri që ka mbërthyer turmën.Prandaj unë e di që kandidatja e qytetit tim do luftojë fort për pushtetin dhe pse ia vë emrin “menaxhim”. E në  të gjithë këtë nuk ka asgjë të keqe.

 

 

 

1 komente në “Alkimia e Pushtetit”

  1. ina says:

    Menaxhimi i ka munguar gjithmon vendit. Keq menaxhimi fondeve, keq menaxhimi i taksave, sikur vetem me taksat e qytetareve pa asnje fond nga qeveria arrin te sistemosh nje vend.I vetmi problem esht se as fondet nga buxheti i shtetit dhe as taksat nuk jan menaxhuar ne menyr te duhur sa e sa her jan ber investime dhe esht investuar per her te dyt duke cuar dem investimin e par.Un kam besim te Grida pjesa tjeter mbetet per te par.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje