Një prokuror dhe një gjyqtar janë pezulluar nga detyra me vendim të Gjykatës së Tiranës pas kërkesës së Task-Force pranë Prokuorisë së Tiranës.
Gjyqtari Qani Hasa dhe Prokurori Pertef Asllani prej dy muajsh po hetohen nga prokuroria, pas pas kallëzimit të inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, i cili ka konkluduar në konsumimin e veprës penale fshehje dhe deklarim i rremë pasurie.
Mësohet se nëpërmjet një kontrate fiktive gjyqtari Hasa ka deklaruar se i ka blerë në qytetin e Elbasanit një banesë në pronësi të prokurorit Asllani.
Banesa është blerë me një kredi të marrë në Entin e Banesave, por realisht lekët e marra si kredi nuk janë përdorur për blerjen e banesës në Elbasan por një banesë të dytë për gjyqtarin Kasa në kryeqytet.
Nga hetimi i Prokurorisë së Tiranës rezultoi se Qani Hasa, pavarësisht se ka deklaruar blerjen e apartamentit të Pertef Asllanit, në realitet ka blerë një apartament në Tiranë.
Ndërkohë, prokurori Pertef Asllani, pavarësisht se ka deklaruar se ka marrë shumën e parave nga Qani Hasa, në fakt nuk i ka marrë këto para nga Qani Hasa, por ka jetuar në atë apartament që prej vitit 2003, kur Hasa ka deklaruar që e ka blerë, deri në vitin 2013 kur këtë apartament ia ka shitur një shtetasi tjetër.
Një tjetër pasuri e pa deklaruar sipas hetimeve rezulton dhe një sasi prej 2 milionë lekësh të cilën gjyqtari Hasa nuk e ka deklaruar.
Inspektorati i Pasurisë ngriti pretendimin se gjyqtari Hasa tentoi të korruptonte dhe një inspektor të pasurive, por sipas akuzës ky pretendim nuk u arrit të faktohej gjatë hetimeve të kryera.
Pritet që javën e ardhshme prokuroria t’i kërkojë gjykatës gjykimin e dy zyrtarëve të sistemit të drejtësisë, ndërsa rasti i Hasës pritet të shqyrtohet dhe në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.