FIFA, një institucion sa popullor aq edhe enigmatik. Prapa perdes së hekurt të institucionit më të rëndësishëm të futbollit, ujërat nuk rrjedhin në drejtimin që të gjithë mendojnë. Qeveria e lojës më popullore në planet ka ngritur përherë shqetësime në rrethet e fuqishme politike dhe sociale për menyrën disi të çudishme të funksionimit, duke shkelur shpesh herë ligjet bazë të qeverisjes së një institucioni. Hijet e skandalit për caktimin e vendeve organizatore të Botërorit 2018 dhe 2022 janë vetëm maja e ajsbergut sepse zyrat hermetike me qëndër në Zyrih nuk lejojnë rrjedhje informacioni për ta bërë sa më transparent këtë institucion. Njeriu më i fuqishëm i FIFA-s, padyshim që është presidenti Sepp Blatter, i cili është edhe njeriu më jetëgjatë në këtë post. Ai është gjithashtu njeriu më i fuqishëm në botën e sportit sepse për shumë vite ai ka drejtuar de facto si një kryetar shteti. Zgjedhjet e pas pak ditëve e shikonin sërish favorit për një mandat të pestë. FIFA ka një buxhet prej 1.5 bilionë Dollarësh dhe kjo e bën të përngjajë më shumë me një konglomerat të fusiqshëm financiar se sa me një organizatë sportive. Lufta në llogore mes vendeve që kërkojnë organizimin e kompeticioneve është e ashpër por është FIFA ajo që drejton ndeshjen në fushëbetejë dhe në këtë aspekt, kandidaturat më të privilegjuara në këndvështrimin e Sepp Blatter janë edhe më të favorizuart në garë. Ndërtimi i një strukture të tillë ka bërë që edhe në të shkuarën të hidhen hije dyshimi mbi mënyrën e funksionimit të FIFA-s edhe pse gjithmonë zyrtarët drejtues kanë dalë të pastër dhe të paprekur nga sulmet.
Ishte Federata Angleze që për muaj me rradhë pas caktimit të Botërorit 2018 në Rusi, ngriti zërin duke nisur një luftë të hapur me FIFA-n, por pavarësisht kësaj, federata ishullore dukej shumë e vogël përballë “elefantëve” të politikës së futbollit. Kritikët ndaj FIFA-s janë rrëzuar të gjithë njëri pas tjetrit në tentativat e dështuara të tyre për të nxjerrë në shesh parregullsitë e mënyrës së menaxhimit. Vendimet politike nga një grup i vogël funksionarësh të njohur si Komiteti Ekzekutiv, janë marrë shpesh herë pa dhënë asnjë shpjegim, ndërsa shpenzimet marramendëse për drejtuesit dhe përfaqëzuesit e FIFA-s arrijnë shifra marramendëse, të barabarta me buxhetin e një vendi të varfër për rreth 3 vjet. Nga viti 2011 deri në 2014-ën janë shpenzuar plot 5.7 miliardë Dollarë për paga, shërbime apo shpërblime.
Zyrtarët amerikanë janë përqëndruar në hetimet që përfshijnë Concacaf-in ku bën pjesë edhe Federata Amerikane e Futbollit. Sipas hetuesve, dyshimet përfshijnë organizimin e disa eventeve mes të cilëve Copa America e Copa Libertadores, por edhe në vendimin për caktimin e Botërorit 2010 në Afrikën e Jugut. Concacaf është drejtuar për 11 vjet nga Mr. Warner, i cili ka qenë një nga njerëzit më të rëndësishëm të FIFA-s, por që shpesh herë është akuzuar për korrupsion. Ai dha dorëheqjen nga të gjitha detyrat në FIFA dhe Concacaf në vitin 2011, por mënyra se si përfitoi miliona dollarë nuk është zbardhur ende pasi Komiteti i Etikës në FIFA mbylli hetimet duke i vendosur kapak kësaj çështjeje që shërben thjesht si ilustrim për të mësuar sadopak nga mënyra se si funksionon një institucioni i tillë, sa i çuditshëm aq edhe i rëndësishëm për futbollin e shekukullit të 21.
FIFA, vërtet është një institucion i fuqishëm i miliardave dhe i zhytur deri në fyt në korrupsion, por “spastrimet” nuk bëhen për ta pastruar, por për të kthyer miliardat “në drejtimin e duhur” dhe për ta kontrolluar sipas interesave të Amerikës…(dhe kundër Rusisë, kuptohet…)
Pikerisht, i ke rene ne koke problemit!
Qe ta spastrosh kete organizem te piset me nje strukture hierarkie te llojit diktatorial, duhet vullneti i mire i gjithe anetareve, jo vetem nje nderhyrje amerikane me qellim te vetem demtimin e interesave ruse!
Ketu duhet rindertuar nga themelet statusi i ketij institucioni, i pavarur politikisht dhe qe u jep peshe te njejte si vendeve te vogla ashtu edhe atyre te medha, por sanksionim te pandryshueshem te nje periudhe kohore relativisht te shkurter te drejtimit, per çdo president te zgjedhur. Ndryshe gjerat s’kane per te ndryshuar.
Mund te zgjidhej edhe nje fare levizshmerie, pak a shume si presidenca e BE-se, qe 6 muaj i kalon nje anetari dhe pastaj spostohet tek tjetri.
Ndaj kjo nderhyrja e drejtesise amerikane eshte e mireseardhur per te vetmin qellim shporrjen e diktatorit Blatter dhe larove te tij nga kupola e komandes; por ne menyre qe Fifa dhe bashke me te Uefa, te ndryshojne, duhen ndryshuar rregullat! Dhe mbi te gjitha duhet nje organizem kontrolli mbi Fifen dhe Uefen, i perbere nga 1 anetar i çdo federate. Ne menyre qe askush te mos ndihet i parekshem!
A. Radi