Shansi i fundit për G7

4 Qershor 2015, 17:49Bota TEMA

Nga Henrik Böhme

Gjenova më 20 korrik 2001: Silvio Berluskoni, atëherë kryeministër i Italisë është mikpritës i takimit të nivelit të lartë të G-8-ës, në qytetin e vjetër port. Kanë ardhur edhe dhjetëra mijëra demonstrues, të cilët duan të protestojnë kundër këtij takimi të nivelit të lartë. Ata e shohin Klubin e G-8-ës si burimin e të gjitha të këqiave, si strofkë të neoliberalizmit, përgjegjës për padrejtësinë në këtë botë. Më 20 korrik protestat arrijnë një pikë kulmore dramatike. Nga një plumb policie, i shkrehur nga karabinieri 20 vjeçar Mario Placanica vdes 23 vjeçari Carlo Giuliani. Takimi i nivelit të lartë zhvillohet megjithatë, por temat politike zbehen përballë ngjarjeve. Bihet dakord që në të ardhmen takimet të mbahen diku në rajone larg dhe të shkëputura nga pjesa tjetër e vendit.

Kërkim i profilit

Disa vjet më vonë tregjet financiare u tronditën nga falimentimi i bankës amerikan Lehman. G-8 e kupton shpejt se nuk janë në gjendje ta zgjidhin vetë problemin. Mendja u vete te Forumi G 20, i cili deri tani vepron vetëm në nivelin e ministrave të Financave dhe i vihet emri zjarrfikës i krizave. Në nëntor 2008, kryetarët e shteteve dhe të qeverive ulen për herë të parë së bashku në një tryezë në Uashington. Si pasojë, G-8 e humbet rëndësinë. Në verë 2010 bëhen përpjekje që në Kanada të organizohet një lloj takimi i dyfishtë i nivelit të lartë: në fillim G8, pastaj G20. Por as kjo nuk e shpëton Klubin e G-8-ës. Ai i jep vetes një profil të ri dhe përpiqet të funksionojë si forum për politikën e jashtme. Ekonomia botërore do të debatohet në të ardhmen në kuadër të G-20-ës. Por këtu dinamika fillon të bjerë, me kapërcimin e krizës financiare botërore. Pjesëmarrësit nuk kanë shumë ç’t’i thonë njëri-tjetrit, interesat ekonomike të shteteve janë shumë të ndara nga njëra-tjetra.

Luftim i padrejtësisë

Kështu, G-8 fillon të besojë për një shans të ri: si “bashkësi vlerash” do të bëhen përpjekje që të gjenden zgjidhje për problemet në botë. Njëri prej këtyre problemeve më të mëdha është ndarja e pabarabartë e mirëqënies në botë. Herë pas here, në dokumentat në fund të konferencave të G-7-ës dhe G-8-ës gjenden shënime të tilla, si lufta kundër varfërisë, tatime më të mëdha për kapitalin, luftimi më i mirë i proteksionizmit dhe i praktikave të tatimeve të koncerneve të mëdha ndërkombëtare. Por shpesh ajo që arrihet, nëse arrihet, janë vetëm hapa të vegjël. Në ndarjen e pasurisë kjo bëhet veçanërisht e qartë. Kështu, pasuria e 80 njerëzve më të pasur të botës në katër vitet e shkuara (pra pas krizës financiare!) u rrit nga 1,3 në 1,9 miliardë dollarë. Ky klub i super të pasurve, sipas një studimi të organizatës britanike Oxfam ka aq pasuri sa gjysma e varfër e njerëzimit – dhe këta janë gjithsesi 3,5 miliardë dollarë. Të ngjashme janë shifrat edhe të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO). Në bazë të tyre, rreth 40 përqind e të gjitha të ardhurave u venë 10 përqind të popullatës.

Të mbahet përgjegjësi

Të gjitha këto i dinë drejtuesit e tani vetëm shtatë shteteve, që kur Rusinë e hodhën jashtë Grupit. Receta të vërteta kundër shfaqjeve të një kapitalizmi të pafrenuar financiar megjithatë nuk dallohen.

Takimi i G-7-ës në Kështjellën Elmau është një shans i fundit për Grupin dhe për konfirmim që G-7-a është në gjendje të zbatojë objektiva. Vetëm nëse shtatë shtetet do të arrijnë të bien dakord për synime të qarta për të frenuar ndryshimin e klimës, të bien dakord për standarde sociale dhe t’i bëjnë ato të detyrueshme në vendet e tyre, vetëm atëherë Klubi i G-7-ës do ta meritonte karkaterizimin “bashkësi vlerash”. Vetëm në këtë mënyrë mund të deaktivizohet bomba sociale me sahat, që po punon./DW

1 komente në “Shansi i fundit për G7”

  1. Grabitja says:

    Qe pas renies se komunizmit edepsezet (kapitalistet) ne te gjithe boten u ka dale frika nga burgu apo pushkatimi dhe po vjedhin e grabitin sa te mundin dhe ku te mundin (deri sa te perlcasin)…
    Ishalla del shpejt ndonje burre si ata te qemotit qe t’u tregoje vendin ketyre maskarenjve!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje