Kandidati për kryetar të Bashkisë Fier, Albert Çaçi, zhvilloi një takim me fermerët e fshattit Havaleas në Fier me të cilët diskutoi problemet me të cilat përballet çdo ditë sektori i Bujqësisë. Pasi dëgjoi ankesat e banorëve për mungesën e ujit për vaditje, premtimin e pambajtur të qeverisë për subvencionimin e naftës, kandidati Çaci premtoi se do të krijonte në strukturën e bashkisë së re një ndërmarrje të veçantë që do të merrej vetëm me problemet e Bujqësisë
Fermët kanë treguar gjendjen e vështirë me të cilën përballen përditë, çmimi i lartë i karburantëve dhe mungesa e ujit për vaditje. “Qeveria që erdhi në pushtet tha që do subvencionohemi, por s’kemi marrë asgjë”, tha një fermer.
Një fermer tjetër tregon tokën që është plasaritur nga mungesa e vaditjes e thotë “këtu ngordh nëpërka për pikën e ujit, si do ti mbajmë familjet neve?”
Një tjetër fermer shprehet i zhgënjyer duke u shprehur “ne shpenzojmë naftë për të punuar tokën, pllehrat kimikë, etj, po gjithë mundi na vete dëm se ska ujë”.
Banorët thanë se me këto kushte të vështira e kanë gati të pamundur që të nxjerrin prodhimet e tyre në treg dhe se mungojnë politikat lehtësuese nga ana e qeverisë.
Kandidati Çaçi u ndal tek projekti i tij për ndërtimin e një ndërmarrje të posaçme në bashkinë e re dhe u shpjegoi fermërëve programin e tij për nxitjen e zhvillimit të bujqësisë.
“Kjo ndërmarrje do të merret vetëm me problemet e bujqësisë, do të punojë vetëm për sistemimin dhe pastrimin e kanaleve të gjithë zonës rurale që do të përfshijë Bashkia. Ndërmarrja do të punojë 24 orë në ditë për këtë gjë dhe ky është ai premtim që unë e bëj sot dhe do tu dal juve nersër përballë”, tha ndër të tjera kandidati Çaçi.
Ai u kërkoi fermërëve që të bënin një pyetje të thjeshtë vetes para se të votonin; a janë më mirë se ishin dy vjet më parë? “Nëse nuk jeni më mirë atëherë tregohuni të zgjuar dhe zgjidhni alternativën që është më pranë tyre dhe mos u gënjeni nga premtime boshe”, tha ai.
Albert Çaçi ka lindur dhe jeton në Fier dhe ka qenë tre herë deputet i kësaj zone duke krijuar reputacion të fortë në elektoratin e majtë kryesisht.