INTERVISTA/ Lulzim Basha: Kjo puna e Berishës u bë si ajo "çfarë uji i ke dhënë gomarit"

11 Qershor 2015, 23:14Politika TEMA

Partia Demokratike është në kulm të fushatës së saj të parë në opozitë. Përballë një mazhorance të madhe në numra dhe mjete, opozita e djathtë ka edhe një sfidë brenda sfidës: betejën e parë elektorale të Lulzim Bashës.

Fushata misionare e Bashës është përcjellja e mesazhit për atë që ai e quan keqqeverisje. Por përse duket se tonet e saj rriten, vetëm kur në skenë ridel Sali Berisha? Cilat janë pritshmëritë e opozitës nga këto zgjedhje? Cili është mesazhi i saj më i fortë? A është sërish Tirana një bast për Bashën dhe cili do jetë aksioni politik pas zgjedhjeve? Dilemat e moskandidimit dhe pengjet e katër viteve të kaluara në zyrën e kryebashkiakut.

Për këto dhe të tjera pyetje, këtë të enjte përballë Sokol Ballës në Top Story ishte vetë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Intervista

Sokol Balla: Ne si gazetarë, shikojmë që ritmet e fushatës nuk janë ato agresive, të ashpra. Duket se është me zbehtë se herët e tjera dhe kjo ndoshta edhe për shkak se stili juaj i fushatës është pak më ndryshe nga ai i kryetarit të mëparshëm, apo është thjeshtë fakti që Berisha mungon në këtë fushatë?

Lulzim Basha, kryetar i PD: Nuk ka dyshim që stili im është stili im dhe i askujt tjetër, por nuk do të thoja që fushata ka ritëm më të ulët apo të zbehtë. Fushata ka nisur shumë më përpara se 4 javët që ju përmendet dhe që në ditët  e para ne kemi vënë re një padurim të njerëzve për ditën e votimit. E kam prekur këtë padurim në turin e parë të prezantimit të kandidatëve, në takime të rastësishme të cilat ishin konceptuar si të tilla, por shndërroheshin në mitingje nga pjesëmarrja dhe entuziazmi i njerëzve, nga dëshira e tyre për të pasur sa më shpejt mundësinë për t’u shprehur me votë. Është një padurim popullor për 21 Qershorin, që ka nisur 6-7 javë më parë dhe vazhdon edhe këto ditë. Ka një fushatë entuziaste, me padurim të njerëzve për të ushtruar të drejtën e tyre për të vlerësuar me votë oferta, qeverisjen dhe për të zgjidhur problemet e ngutshme të shqiptarëve.

Sokol Balla: Si e shpjegoni që edhe nga përfaqësues të BE-së është shprehur shqetësimi se ka një shkallë të madhe mospërgjigjie dhe mosreagimi të njerëzve në sondazhe? Këtu ka një kontradiktë.

Lulzim Basha: Do ta ndaja këtë në dy pjesë, e para është realiteti që flet vetë dhe që unë e shoh në çdo takim që kam. Ka një padurim, një interes të madh të njerëzve. E kam thënë dhe kam bindjen që ka një përpjekje nga ana e qeverisë për ta mpirë këtë padurim, për ta lodhur dhe pse jo për ta shantazhuar dhe diversuar këtë padurim sepse domosdoshmërisht padurimi i njerëzve për të votuar nuk është një shenjë e mirë për qeverisjen. Sondazhet janë diçka tjetër. E kam dëgjuar vlerësimin që ju thoni thoni. Për herë të parë në Shqipëri, shkalla e refuzimit të përgjigjieve ka shkuar në 47 përqind. Për mendimin tim kjo ka të bëjë me një faktor, që është një riprezantim i diçkaje që ne kishim lënë prapa, i përpjekjes për të intimiduar votuesin si pasojë e përpjekjes dhe retorikës së qeverisë. Ju e shikoni që kryeministri për 6 javë, 4 herë në ditë e ka pjesë të fjalorit të tij politik, kërcënimin që nëse do të votoni kandidatët e opozitës nuk do të keni ujë, tokën, pothuajse edhe ajrin e diellin. Nga ana tjetër kemi denoncime me fakte të presionit ndaj administratës të cilët kanë njerëz të punësuar në shtet, presione ndaj biznesit, presione të tipit kriminal. Kemi parë përfshirje të elementit kriminal në Durrës fillimisht, në Vorë së fundmi, me njerëz që shëtisin natën me makina me xhama të zinj. Ka një angazhim masiv, të drejtpërdrejtë të qeverisë. Meta dhe Rama kanë 60 ditë që nuk janë në detyrë. E kanë braktisur detyrën. Janë ditë për ditë në fushatë.

Sokol Balla: Edhe ju e keni këtë problem për momentin, edhe nja dy javë…

Lulzim Basha: Unë e kam zgjidhur këtë problem sepse unë nuk kandidoj, pikërisht për zgjidhur këtë dilemë që është etike, sepse qytetarët e Tiranës kanë nevojë për një kryetar bashkie me kohë të plotë që t’u zgjidhë hallet dhe opozita ka nevojë për një drejtues me kohë të plotë. Zotërinjtë janë votuar para 2 vitesh për pushtetin qendror dhe në këto 2 muaj gjithë kohën e tyre ja kanë kushtuar diçkaje që nuk ka lidhje, në dukje. Ata i shqetëson shumë padurimi i njerëzve për t’u shprehur me votë, sepse gjendja në vend është në përkeqësim e sipër. Ekonomia, varfëria, mjerimi dhe të gjitha këto jo se i thotë kryetari i opozitës, por sepse i thotë INSTAT, Banka Botërore dhe BE. Kemi të bëjmë me një situatë të pashembullt dhe ndonëse jemi në një situatë zgjedhjesh lokale, njerëzit meritojnë dhe duan të dalin nga kjo gjendje, ofertë që PD e ka dhe po e shpalos çdo ditë.

Sokol Balla: Ju folët për Vorën, por në fakt edhe ju keni qenë së paku 6 herë në Vorë, nuk është se ka qenë vetëm zoti Meta, jeni edhe ju aty. Përse kjo betejë për Vorën?

Lulzim Basha: Unë nuk kisha imagjinuar kurrë të isha as më shumë se 3 herë në Vorë, por 3 herë jam detyruar të shkoj sepse aktivistët e kandidatit tonë shoqëroheshin çdo natë në polici pa asnjë arsye, pa asnjë argument. Kam qenë në Vorë sepse kandidatit tonë iu bë një padrejtësi e madhe tipik oligarkik, o biznesin, o mandatin!

Sokol Balla: Zoti Meta e ka sqaruar këtë…

Lulzim Basha: Jo nuk ka sqaruar asgjë. E gjitha është gënjeshtër!

Sokol Balla: Ka thënë që gjithçka ka nisur pas një sinjalizimi të shërbimeve sekrete.

Lulzim Basha: Nuk është e vërtetë aspak! Në dijeninë time kemi të bëjmë me një falsifikim të analizave laboratorike që tregon që pas kësaj ka pasur një presion të jashtëzakonshëm nga zoti Meta. Ai tregon që ka me merak Vorën, por po ta kishte me merak le të kandidonte vetë në Vorë, përndryshe le të lërë zgjedhësit. Së fundi është problemi tjetër, është organizimi i bandave që patrullojnë Vorën natën për të intimiduar dhe frikësuar qytetarët. Nuk e kanë në dorë e nuk do ta kenë kurrë në dorë këta njerëz. Unë jam i bindur që për çdo përpjekje për të kërcënuar zgjedhësit do të marrë përgjigjen e merituar më 21 qershor.

Sokol Balla: Të gjithë deputetë kanë shkuar në zonat e tyre, bie fjala Sali Berisha, deputet i Tiranës përse nuk përfshihet në fushatë?

Lulzim Basha: Sali Berisha ka vendin e vet. Ka qenë në hapjen e fushatës, është ish-president, ish-kryeministër, ish-kryetar i partisë, çdo të enjte ka hapësirën e tij në Kuvend, shfrytëzon hapësirën e tij mediatike, hapësirën në rrjetet sociale dhe bën detyrën e tij si një personalitet i PD-së në këto dy dekada. Pastaj kjo puna, pse është, pse s’është është bërë si ajo puna çfarë uji i keni dhënë gomarit? Kur është pse është kaq shumë? Kur s’është, pse nuk është? Mendoj që Berisha është i kalibruar në qëndrimet e tij siç i takojnë një ish-presidenti, një ish-kryeministri dhe lideri historik i së djathtës.

Sokol Balla: Pra ka qenë një zgjedhje për të cilën keni rënë dakort të gjithë? 

Lulzim Basha: Nuk ka lindur kurrë nevoja për të diskutuar dhe të biem dakort për çështje të tilla.

Sokol Balla: Të flasim pak për Tiranën. Përse u zgjodh Halim Kosova dhe jo dikush tjetër?

Lulzim Basha: Së pari për shkak të mbështetjes së madhe qytetare që na rezultonte në studimet e opinionit që PD kreu për disa bashki të vendit. Shifrat janë shifra dhe kokëforte. Arsyet se përse njerëzit në masë zgjidhnin Halim Kosovën mes kandidaturave që ne propozonim, besoj arsyet janë të qarta. Një njeri i ndershëm, punëtor, shumë punë dhe pak fjalë, i përkushtuar dhe mbi të gjitha i vërtetë. Integriteti i tij është sprovuar dhe është përtej çdo kontestimi politik. I propozuar për president nga Edi Rama.

Sokol Balla: Përse s’e pranuat për president?

Lulzim Basha: Është çështje tjetër kjo. Unë nuk kam qenë pjesë e këtij diskutimi.

Sokol Balla: Po të kishit qenë ju, do ta kishit pranuar?

Lulzim Basha: Thërrisni zotin Berisha dhe zotin Rama dhe pyetini, se unë nuk kam qenë pjesë e diskutimeve.

Sokol Balla: Do ta kishit pranuar nëse do të ishit pjesë?

Lulzim Basha: Po ç’rëndësi ka. Unë kam qenë ministër i Jashtëm dhe kam qenë në dy aktivitete të njëpasnjëshme për integrimin në NATO. Atë ditë kur është diskutuar kjo çështje kam qenë në Samitin e Dubrovnikut ku u mor një vendim shumë i rëndësishëm që hapi rrugën për ftesën në NATO. Mos më pyet për diçka që unë nuk kam qenë pjesë. Këtu qëndron fakti që zoti Rama e ka propozuar për President të Republikës. Është propozim i tij. Po zoti Rama e vlerësoi si personalitet i vitit, ish-kryeministri socialist e ka vlerësuar publikisht. Pra njerëz, të cilët nuk mund t’i akuzosh për subjektivitet pro-PD, kanë vlerësuar Halim Kosovën.

Sokol Balla: Pse duket sikur e keni lënë vetëm në fushatë? Apo është zgjedhje e tij që të mos dalë me ju?

Lulzim Basha: E thua këtë sepse personaliteti i tij rrezaton të tjerët. Në krah ka deputetët e PD-së së zonave. Unë kam dalë, kam bërë prezantimin, kam qenë në disa aktivitete me Halim Kosovën, si çdo ditë që Halim Kosovën është me qytetarët, do të shihni që pranë tij janë personalitete të PD.

Sokol Balla: Thjeshtë më kujtohet 2011, kur ju bëtë nëj fushatë pa praninë e kryetarit…

Lulzim Basha: Edhe këtu ka një problem. Kryetari ishte kryeministër. Dhe ka diçka që kryetari i partisë mbulon gjithë Shqipërinë dhe tani me 61 bashki është një axhendë e ngarkuar, kur është edhe kryeministër, nëse e bën detyrën e kryeministrit, sepse mesa duket Rama është part time kryeministër, ka zgjedhur të jetë full time fushatist dhe për herë të parë po të shikosh, është futur në spotin e kandidatit. Kjo tregon një pasiguri të madhe të PS te kandidati që kanë zgjedhur për Tiranën. Nuk është kjo! Halim Kosova udhëheq fushatën e Tiranës dhe rrezaton fushatën kombëtare me platformën, qëndrimet, me vizionin dhe me aftësitë e tij menaxheriale, politike dhe vlerat qytetare.

Sokol Balla: Përse nuk rikandiduat në Tiranë? Apo nëse bëtë gabim që kandiduat në 2011?

Lulzim Basha: Nuk kam bërë asnjë gabim që kandidova në 2011. Kisha dhe kam një vizion për Tiranën, kisha dhe tregova një vullnet për Tiranën. Por në 2011, e thashë edhe tani, Tirana ka nevojë për një kryetar me kohë të plotë. Rrethanat e sollën që në mes të mandatit të gjendesha në pozicionin e kreut të PD-së, si zoti Rama në atë kohë, por ndryshe nga zoti Rama unë bëra një zgjedhje, t’i qëndroj fjalës time. Tirana ka nevojë për një kryetar me kohë të plotë.

Sokol Balla: Pse nuk e bëtë në 2013, të jepnit dorëheqjen nga kryetar i bashkisë?

Lulzim Basha: Besoja se me ish-kryebashkiakun 11-vjeçar të Tiranës, kryetari i bashkisë në detyrë nuk do të gjendej në lufën e paprinciptë që u ushtrua ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranës me ardhjen e Edi Ramës kryeministër. Nuk ma merrte mendja që Edi Rama do të bllokonte bulevardin e ri dhe kantierin e lumit të Tiranës. Nuk bëhej fjalë për një projekt të Lulzim Bashës, për bahçen e Lulzim Bashës, bëhej fjalë për 2 mijë vende pune, për një vizion zhvillimi që do të hapte dhe do të hapë në të ardhmen vende pune. Bëhet fjalë për 250 mijë m/katror gjelbërim, më shumë se 8 herë se Parku Rinia. Pse duhet të bllokohet kjo?

Sokol Balla: Me buxhet keni punuar dhe të mos harrojmë që zoti Rama nga 2008-a e këtej ka punuar pa buxhet…

Lulzim Basha: Nuk është ashtu, Lulzim Basha ka marrë në 2013-të më pak grant nga qeveria sesa ka marrë Edi Rama nga qeveria Berisha në 2010 dhe 2011. Nuk ka pasur një marrëdhënie të tillë armiqësore.

12 komente në “INTERVISTA/ Lulzim Basha: Kjo puna e Berishës u bë si ajo “çfarë uji i ke dhënë gomarit””

  1. Luli says:

    Kur lexon pergjigje te tilla, nuk me vjen keq per kete kokpatellxhonin, por per popullin e shkrete. Po si nuk tha nje fjali pa mashtruar ky fare burri?! Zoti i shef te gjitha dhe kom besim se dhe kete do e rregulloj ashtu si e meriton….

    1. Erdogan says:

      Lulzim Basha kur erdhi ne krye te Bashkise se Tiranes premtoi: – kartat e studentit
      -Tramin
      – Krijimin e hapsirave te gjelberta
      -Hapjen e qendrave rinore
      -Hipotekat
      -Terminalin multimodal etj. Asnje nga keto premtime nuk eshte realizuar. Gjykojeni vete.

    2. Agamemnoni says:

      Tirana prej kater vitesh drejtohet nga nje pertac i quajtur Lulzim Basha i cili qendroi ne letargji totale. Qyteti eshte lene teresisht ne harrese, mungojne edhe gjerat me minimale. Mungojne kazanet e plehrave, kapaket e pusetave, trotuaret jane zaptuar nga shitesit ambulante nuk ke ku kalon, afer Lanes nuk kalohet mban ere te padurueshme. Kjo eshte Tirana qe na la trashegim Lulzim Basha. Nuk eshte kjo Tirana qe duam.

    3. Kristos Ksolidhis says:

      Nuk e kuptoj se si ka guxim e flet per qytetin e Tiranes ky person i cili e shkaterroi gjithcka. Per te vetmet gjara qe do mbahet mend jane dhenia e lejeve abuzive per ndertim pallatesh. Per investime as qe mund te flitet. Basha tentoi te kryente masakren mjedisore poshte diges se Liqenit, i ka dhene leje per ndertim te nje kati shtese vetes se tij ne menyre te jashtligjshme. Nuk mund te ndertosh kat shtese mbi nje pallat 12 katesh, Basha ia dha kete leje vetes se tij. TURP

  2. Rrushit Bilbil Gramshi says:

    Lulo ke te drejte mbasi deri tani me gomeret eshte mare Sala.

  3. GAMORI says:

    lul basha I TE GJITHAVE POSHTERSIVE QE KA GLOBI zhduku njehere e pergjithmone nga Shqiperia , se edhe PD nuk te do dhe do te bejne gropen sic ja bene Oldashit!

  4. pro.... says:

    ..genjen si derr,por ka oratori pavaresisht ç’nxjerr nga goja!

  5. Neorealizmi says:

    E kush merret me kete te paaftin, varja!

  6. sefer ziu says:

    Po ti zoti Balla e kishe ne tave Lulezimin, Rama s’i paska dhene “grant”, po ku i gjeti Lulezimi 10 miljone euro dje per ate firmen qe hodhi e per tenderin? Pse talli me njerezit se jeni bere vete per te tallur e nuk e kuptoni. Punen e strucit beni te gjithe e kuptoni apo s’e kuptoni. Njerezit e thjeshte dhe te ndershem irritohen kur degjojne fjalime te tilla. Realiteti eshte realitet dhe je me i besueshem kur e thua si ate qe behet mire ashtu dhe ate qe behet keq, por te vjellesh vrer 24 ore do te thote se je shpirt zi me keq se ngjyra e zeze dhe njerez te tille jane bastard para atyre qytetareve te ndershem qe duan jeten dhe adhurimin per maskarenjte. Ky Lulezimi po e ben si Saliu ne 2013 qe per tre muaj korrik-gusht- shtator shiti edhe ato asete qe i kishin mbetur Shqiperise. Mos kujto se nuk jane te qellimshme. Ato behen qe mbase gjendje ekonomike shkaterrohet mbas dhe te thote qe ja kush e ka fajin. Lufte per karrike hapet per ata qe kane shqisat ne rregull dhe shkaterrim te pakthyshem te ekonomise dhe vendit, pa pyetur se ç’po e gjene Shqiperine. Ketyre me karrike duhet tu thyesh koken.

  7. ladi says:

    Me te pa turp dhe me te pa cipe se ty lul b…nuk ka dhe nuk besoj se do te nxjerre me pd ne jeten e saj politike. Je njesoj si ramiz alia, llafazan qe as nuk skuqesh dhe as nuk zverdhesh. Jam i sigurte qe nuk do ta keshe te gjate. Plerat, sa do te shkelqejne per momentin, ne kosha do te perfundojne..

  8. armiri says:

    ik o lulo aman dhe ti se te pame dhe ty .. na ndrite per kater vjet …keto nuk duhen votuar fare as te djathte e as te majte .. te votojme Aleancen Popullore

  9. ermal says:

    Nga nje ane mire per mazhorancen qe nuk ekziston nje kundershtar ne kete fushate, thuajse inekzistent, nga ana tjeter vendi pa nje opozite nuk behet, ne cdo vend europian dhe ne bote, opozita luan nje rol te rendesishem, sy kritik per qeverine dhe qeverisjen vendore, por ne Shqiperi kjo nuk eshte e mundur sepse nje njeri i paafte si Basha nuk ka zgjidhje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje