Paulo Sousa merr me vete Taulant Xhakën te Fiorentina.
Është ky lajmi i bujshëm që përcjell portali i njohur italian Tuttomercatoweb, i cili në fakt i referohet mediave që qëndrojnë pranë klubit vjollcë.
Shumë shpejt 44-vjecari portugez do të zyrtarizohet si trajneri i ri i Fiorentinës dhe mesa duket Paulo Sousa ka nisur që tani nga puna dhe së bashku me drejtuesit e klubit nga Firence ka piketuar disa lojtarë për të përforcuar skuadrën.
Cdo trajner ka futbollistët e tij të preferuar dhe për ish- lojtarin e Interit dhe Juventusit është Taulant Xhaka i pari në listën e dëshirave.
Sipas portalit Firenzeviola.it, 24-vjecari shqiptar do të ishte përforcimi ideal për Fiorentinën në krahun e djathtë të mbrojtjes, pa harruar këtu që Taulant Xhaka është një lojtar polivalent, pasi mund të përshtatet në disa role të ndryshme dhe këtë aftësi të tijën e ka treguar ndër vite fillimisht te Baseli dhe më pas te Kombëtarja kuqezi.
Përvec si mbrojtës i djathtë ai mund të luaj edhe si mesfushor shkatërrues, mesfushor krahu dhe mbrojtës qëndre.
Taulant Xhaka është rritur shumë si futbollist gjatë sezonit të fundit te Baseli nën drejtimin e Paulo Sousës dhe trajneri portugez dëshiron me cdo kusht ta transferojë atë te Fiorentina.
Gjithsesi, klubi vjollcë për të bindur Baselin të lejojë largimin e 24-vjecarit nuk do ta ketë aspak të thjeshtë.
Faqja e specializuar e transferimeve të futbollistëve transfermarkt.de e vlerëson kartonin e Xhakës 2,5 milionë euro, por Baseli, që ka një kontratë me futbollistin deri në vitin 2018, kërkon pothuasje dyfishin e kësaj shume për të ndezur dritën jeshile për largimin e 24-vjecarit të Kombëtares kuqezi.
Në këtë sezon me Baselin, Taulant Xhaka zhvilloi në total 40 ndeshje, duke shënuar dhe 1 gol, ndërkohë që me Shqipërinë numëron 4 paraqitje që nga viti 2014.
Ky është një futbollist që ka kapur një maje mesatare dhe nga e cila nuk mund të ngjitet më lart.Është karakteri sanguin që nuk i le të gjithë këta talentë shqiptarë të çajnë një mur berlini për t’u transformuar në futbollistë gjigandë.