Debate të shumta shoqëruan mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në lidhje me akuzat e Partisë Demokratike për shtimin fiktiv të votuesve në Bashkinë e Durrësit.
Në mbledhjen e KQZ informoi Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, sipas të cilit DPGJC e ka përfunduar detyrën e saj që më 11 maj, me shpalljen e listës përfundimtare të votuesve, tek e cila nuk mund të ndërhyhet pas kësaj date.
“Sa i takon Durrësit, Prokuroria ka nisur tashmë hetimet, pas kallëzimit të bërë nga Partia Demokratike.
Në momentin që ne shpallim listën përfundimtare për asnjë shkak dhe asnjë arsye ne nuk mund të ndërhyjmë në të. DPGJC ka mbaruar punë përfundimisht më 11 maj kur ka shpallur dhe listën përfundimtare”, theksoi ai.
Duke iu përgjigjur pretendimeve të përfaqësuesve ligjorë të opozitës, të cilët kërkuan ndërhyrjen e KQZ-së, kryetarja Lefterije Luzi tha se kjo është një çështje që tashmë e ka në dorë drejtësia dhe që është në hetim e sipër.
“Kërkesa juaj është e pabazuar ligjërisht, pasi janë Prokuroria dhe gjykatat, vendimet e të cilave ju adresohen institucioneve”, tha Luzi.
Ndërsa për nënkryetarin e KQZ-së, Denar Biba Komisioni nuk ka asnjë instrument ligjor që të ndërhyjë për të zgjidhur këtë situatë, qoftë në Durrës, Vorë apo Kuçovë.
“KQZ nuk ka asnjë lloj instrumenti dhe e ka ligjërisht të pamundur t’i përjashtojë këta individë nga listat përkatëse. Ne nuk mund t’ua heqim këtë mundësi që ua ka dhënë ligji. T’ia kërkosh këtë gjë KQZ-së është më e pakta mungesë serioziteti ndaj Komisionit”, u shpreh Biba.
O Bledar, ku je per “Ideal Partise” ku je?!?!