Ligji i ri për Arsimin e Lartë ky ka në bazë parimin e financimit të insititucioneve arsimore në bazë të performancës, duke mos i ndarë instiucionet pubike të nënës dhe institucionet private të njerkës.
Kështu u shpreh Kryeministri Edi Rama në tryezën e organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit me mbështetjen e Komisionit Evropian, ku u diskutua pr/ligji në fjalë.
Rama tha se ajo që është quajtur deri më tani autonomi universitare është një farsë, që ka prodhuar papërgjegjshmëri në dëm të publikut, përsa i takon cilësisë.
Në këtë kuadër, Rama tha se nuk mund të pranojmë më që në emër të autonomisë, të kalohet në anarki institucionale, duke shtuar se kundërshtitë që jepen ndaj pr/ligjit janë një rezistencë ndaj konkurrencës.
“Ajo që është quajtur deri më sot autonomi universitare është një farsë e bazuar tek një sistem i korruptuar, medemek zgjedhjesh të lira që nuk ka prodhuar autonomi universitare. Ka prodhuar papërgjegjshmëri në raport me detyrimet ndaj publikut për cilësinë.
Dhe ky sistem që hyn në fuqi me ligjin e ri vendos bazën e një autonomie reale universitare, por nga ana tjetër siguron që në emër të autonomisë mos zhvillohet anarkia dhe mediokriteti maksimal. Ky ligj nuk është për ata që duan të shtyjnë jetën e tyre në llokoçitjen e pafundme të gjithë këtyre viteve, nga ku kanë dalë gjenerata të tëra të cunguara.
Kam vënë re me keqardhje, ka vetëm një arsye: rezistencë ndaj konkurrencës.
Nuk është rezistencë kundër asnjë lloj parimi, në emër të asnjë ideje alternative, të asnjë qasjeje të ndryshme dhe legjitime por rezistencë ndaj konkurrencës”, tha Rama.
Ndërsa e cilësoi si një ndër proceset më të mirorganizuar dhe më gjithëpërfshirës që Qeveria shqiptare deri sot ka organizuar në funksion të një reforme, Rama tha se kjo është një reformë që përbën një hap të guximshëm përpara dhe bën një ndarje të prerë me të shkuarën, duke vënë një vijë të qartë ndarëse, me atë që është sot arsimi ynë i lartë.
Sipas tij, ky ligj do të shërbejë, për të përmirësuar jo vetëm kushtet me të cilat gjeneratat e reja do të marrin dijet në arsimin tonë të lartë, por edhe për të prodhuar një gjeneratë krejt të re shqiptarësh të arsimuar në vendin tonë.
“Ky është një ligj që niset me një parim të thjeshtë dhe të qartë, që e kemi vendosur në qasjen e reformës tonë.
Ky parim i thjeshtë është se nuk mund të ketë arsim shtetëror të nënës dhe arsim privat të njerkës.
Pa dyshim që ne kemi besuar dhe besojmë edhe më fort sot që ky është një parim që vendos në themelin e reformës dhe arsimit të lartë domosdoshmërinë për të mos bërë kompromis”, tha Rama.
Në vijim ai shtoi se e gjithë historia e Arsimit të Lartë pas ndryshimeve të mëdha politike dhe demokratike ka qenë një histori në dëm të cilësisë.
“Dhe kësaj historie duhet t’i japim fund në mënyrë të prerë, duke vendosur në bazë të financimit të arsimit të lartë, performancën. Pra, jo financim pavarësisht asaj që marrim si produkt, por financim nëse produkti është cilësor.
Ky është një investim, për të cilin shoqëria ka të drejtë të kërkojë që t’i kthehet mbrapsht me produkt cilësor. Nuk është një investim që mund të vijojë siç ka vijuar për vite të tëra, jep paratë dhe se çfarë produkti vjen mbrapa nuk ka rëndësi”, theksoi Rama.
Sipas tij, kjo qasje bën edhe përmbysjen e raporteve, pasi ky ligj do t’i shtyjë institucionet arsimore publike të modernizohen, të kenë më shumë lidhje ndërkombëtare.
“Dhe ky ligj do të zgjidhë vit pas viti dëmet e mëdha që i janë bërë këtij sistemi vit pas viti”, tha Kreu i Qeverisë.
Ministrja Lindita Nikolla theksoi se “reforma pati prezantimin e saj që lidhet kryesisht me produktin e kësaj reforme tejet të rëndësishmë që lidhet me modernizimin dhe një situatë krejtësisht të re të arsimit të lartë në vend. Te gjithë shprehën gadishmërinë që të ishin të pranishëm sot dhe të ndanin bashkë idetë për këtë reformë që qeveria shqiptare ka nisur në arsimin e lartë”.
Nikolla foli për procesin e përpunimit dhe hartimit të draftit të arsimit të lartë, si një proces i suksesshëm.
“Sigurisht, që ka qënë një proces i gjatë, një proces ku janë përfshirë të gjithë grupet e interesit dhe padyshim kemi punuar me kaq shumë përkushtim dhe profesionalizëm për të nxjerrë një produkt, nga i cili kemi marë edhe vlerësimin e përfaqësuesve të huaj”, tha Nikolla.
Në këtë kuadër ajo shtoi se nga të gjitha dokumentat që kanë ardhur nga oponenca e huaj, pozitiviteti dhe shprehjet e vlerësimit maksimal, qëndrojnë në draftin mbi arsimin e lartë.
Gjithashtu, ministrja Nikolla ka falenderuar profesorët që kanë marë pjesë në procesin e hartimit të draftit të arsimit të lartë dhe mbështetësit e tij.
Drejtori i Përgjithshëm për Arsimin dhe Kulturën në Komisionin Evropian, Xavier Prats Monne u shpreh se arsimi ka rol të rëndësishëm për edukimin e brezit të ri.
“Në vendin tim popullsia është e gatshme të paguajë për arsimin sepse është një vlerë e madhe për arsiminimin dhe kjo është një gjë e rëndësishme sa i përket arsimimit.
Në arsimim ka sfida të shumta dhe kjo është në varësi të vendeve. Në Shqipëri deri para pak muajsh ka pasur një numër të madh Universitetesh dhe numri ishte mjaft i madh krahasuar edhe me vendet e tjera në Evropë”, u shpreh Monne.
Lidhur me debatet mbi draftin, Monne tha “nuk mund të gjykoj ligjin tuaj për arsimin për aq pak sa e njoh unë Shqipërinë, por kemi shpenzuar dy ditë duke diskutuar lidhur me këtë çështje me zyrtarë tëndryshëm të Ballkanit Perëndimor edhe sa i përket arsimimit në Shqipëri”.
“Të shpenzosh në arsimim nuk është thjesht një kosto, por është një investim. Arsimimi është edhe një premtim për të ardhmen. Ajo që duhet të bëjnë vendet është investimi në arsimim”, tha Monne.
3000 euro viti shkollor ne shtet si ne privat?! Ca i thua yi kesaj mor gjoja i majte?! Haram vota.
3000 euro ne vit per 85% te studenteve qe studiojne ne shtet. Kete 85% Cili do ta kanalizoje drejt vetes duke barazuar tarifat shtet privat. Kur ta kuptoje populli se sa po ja fusin do jete shume vone. 3000 euro ne vit per nje familje shqiptare. Thjesht imagjinojeni.