Reagimet e lojtarëve të Kombëtares shqiptare pas marrjes së 3 pikëve

11 Korrik 2015, 09:12Sport TEMA

Vendimi i CAS për t’i dhënë tre pikët në tavolinë Shqipërisë për ndeshjen e 14 Tetorit ndaj Serbisë ka bërë të lumtur një popull të tërë sepse ëndrra për ta parë Kombëtaren Kuqezi të marrë pjesë për herë të parë në një kampionat europian tashmë nuk është më një ëndërr, por një realitet mëse i prekshëm. Por më shumë se këdo tjetër vendmi i Komisionit të Arbitrazhit Sportiv në Lozanë ka lumturuar ata, protagonistët e vërtetë, heronjtë e fushës së blertë, ata që në stadiumin Partizani të Beogradit bënë gjithcka për të mbajtur lart emrin shqiptar, futbollistët e kombëtares. Një pjesë e mirë e tyre kanë reaguar nëpërmjet rrjeteve sociale ku kanë shprehur gjithë lumturinë për marrjen trepikëshit që e pozicionon Shqipërinë në vendin e 2-të të Grupit I eliminator.

Kapiteni Lorik Cana në profilin e tij në Instagram shkruan: “Drejtësia vonon por kurrë nuk harron, urime të gjithëve për 3 pikët e merituara, vazhdojmë drejtë Francë 2016“.

Nuk mungon entuziasmi as te sulmuesi Bekim Balaj, një nga protagonistët kryesorë të mbrëmjes së Beogradit, i cili në Facebook shkruan: “Drejtësia na dha 3 pikët, urime gjithë Shqiptarëve“.

Mbrojtësi Mërgim Mavraj si një besimtar musliman i devotshëm që është e ka cilësuar si një dhuratë nga Zoti për muajin e Ramazanit 3 pikëshin: “Ajo që merituam na erdhi, e vërteta vonoi por nuk harroi, pas vështirësisë vjen lehtësimi, po më shijon më shumë se na erdhi si dhuratë për Ramazan duke qenë se jam me agjërim“, shkruan gjigjandi i mbrojtjes Kuqezi në Facebook.

Edhe Ermir Lenjani e konsideron si fantastike këtë fitore pasi i hap rrugën Shqipërisë drejt Francë 2016. “Ne shkuam të luanim futboll por ata zgjodhën tjetër rrugë. Ne i treguam gjithë botës se kush jemi, luajtëm futboll, mbrojtëm flamurin dhe në fund drejtësia na dha të drejtë.Tri pikë të mëdha. Shqiptarë ju pres në Francë vitin tjetër” shkruan Lenjani në Facebook.

Fitoren 3-0 në tavolinë ndaj Serbisë e kanë komentuar edhe Amir Abrashi, Taulant Xhaka e Sokol Cikalleshi të cilët shprehen se në CAS, Shqipëria mori tre pikët e merituara. Ndërsa një mënyrë me të vërtetë speciale për të shfaqur entuziazmin për këtë sukses të madh ka zgjedhur Migjen Basha që në faqen e tij në Facebook ka postuar një foto ku nga fundi i detit bën me duar gjestin e Shqiponjës.

2 komente në “Reagimet e lojtarëve të Kombëtares shqiptare pas marrjes së 3 pikëve”

  1. T says:

    Hallall ju qofte cuna,por duhet ende shume djerse per te shkuar ne France.Tani kemi ndeshje koke per koke me ekipe qe deri para nje viti benin diference te madhe me ne.Dhe mos harrojme se po ngelem ne playoof gje qe eshte puthuajse matematikisht e mundshme ,mund te vihemi perballe ndonje skuadre si Hollanda.Keshtu qe duhet edhe nje sforco e fundit per te hyre ne histori!!!FORCA SHQIPNI!!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje