Ditën e dytë të qëndrimit në Tiranë, Presidenti i Parlamentit Europian Martin Schulz e nisi me një vizitë në Akademinë e Sigurisë, ambjentet e së cilës, janë rikonstruktuar apo ndërtuar me fondet e BE-së. Ai u prit nga Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe Drejtori i Policisë, Haki Çako.
Një njohës i mirë dhe i apasionuar pas Policisë, pasi i ati i Schulz ishte oficer policie, gjatë gjithë qëndrimit në ambjentet e Akademisë, Presidenti i PE-së ka pyetur në detaje për sfidat me rendin në Shqipëri.
Muzeu i policisë ishte një ndër ndalesat e kreut të Parlamentit europian, ku i tërhoqi vëmendjen historia e diversantit Xhevdet Mustafa, arma e të cilit gjendet e ekspozuar aty.
Palestra e policisë, falë investimeve të BE-së është ndër më modernet në vend. Dhe Presidenti nuk i ka shpëtuar tundimit për t’u “ushtruar” pak minuta.
Në fund një bisedë me studentë të Shkollës së Policisë. Schulz theksoi se është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi policor mes vendeve të BE-së dhe vendeve kandidate, sidomos në luftën kundër narkotikëve, terrorizmit, kontrollit të kufijve, ku ndërtohen strategji të përbashkëta për të patur rezultate.