Totozani në Sarandë: Të shlyhen detyrimet e prapambetura prej 72 000 lekësh për PAK

13 Korrik 2015, 15:28Kronika TEMA

Avokati i Popullit Igli Totozani, ishte në Sarandë, ku  zhvilloi disa takime me përfaqësues të Unionit të Personave me Aftësi të Kufizuar, si dhe me banorë të këtij qyteti, ku u njoh dhe mori dhjetra ankesa për problemet e tyre në raport me institucionet shtetërore.

Avokati i Popullit bëri edhe një monitorim të situatës në ambientet e paraburgimit në Sarandë. Gjithashtu, një përfaqësi e Avokatit të Popullit ishte në Shtëpinë e Fëmijës në Sarandë për një inspektim të posaçëm mbi trajtimin dhe respektimin e të drejtave të të miturve në këtë qendër .

Në takimin me Unionin e Personave me Aftësi të Kufizuar,( ku bëjnë pjesë Shoqata e të Verbërve, Invalidëve të Punës, Para dhe Tetraplegjikëve), Avokati i Popullit ndau të njëjtin shqetësim për detyrimet e prapambetura prej 72 mijë lekësh për person nga viti 2005 deri në 2010, si rezultat i mos indeksimit të pagesës së aftesisë së kufizuar dhe pageses jo të plote. Totozani premtoi se do ta ndjek me prioritet këtë problematikë.

Lidhur me çështjen e punësimit dhe mungesën e zbatimit të ligjit për personat me aftësi të kufizuar, Totozani garantoi se institucioni i Avokatit të Popullit po përgatit një raport të veçantë, që do të trajtojë gjerësisht shkeljet ligjore nga ana e pushtetit qendror dhe vendor. Totozani siguroi përfaqësuesit e këtyre shoqatave për një angazhim serioz në përmirësimin e legjislacionit për Personat me Aftësi të Kufizuar. Totozani theksoi se duhet të ruhet statusi i Personave me Aftesi të Kufizuar edhe përmes një pagese të përcaktuar jo si pagesë ekonomike, por sociale.

Avokati i Popullit tha se do të përgatisë një rekomandim të posaçëm edhe për faktin se në qytetin e Sarandës mungojnë ambientet dhe një zyrë për personat me Aftësi të Kufizuar. Kjo u konsiderua si një e drejtë e shkelur për këta persona. Një tjeter shkelje me impakt direkt në jetesën e përditshme të personave me aftësi të kufizuar që u diskutua me Avokatin e Popullit ishte edhe mungesa e sinjalistikës së posaçme për ta. Një gjë e tille, u theksua në takim, krijon mjaft vështirësi dhe kërkohet ndërhyrje urgjente.

Më herët, këtë të hënë, Avokati i Popullit, dëgjoi problematikat dhe shqetësimet, me të cilat përballen banorët në qytetin e Sarandës. Së bashku me stafin e institucionit të Avokatit të Popullit u regjistruan dhjetra ankesa. Pjesa më e madhe e tyre adresohej për Sistemin e Drejtësisë, si dhe vështirësitë e mëdha për çështjen e pronave. Të tjera probleme të ngritura prej qytetarëve në takimin me Avokatin e Popullit, Igli Totozani, ishin ato për punësimin, aksesin e munguar në përfitimin e ndihmës ekonomike apo pagesës së paaftësisë. Avokati i Popullit, Igli Totozani, garantoi se do të ndjek me seriozitet secilën prej këtyre ankesave pranë institucioneve përkatëse dhe se çdo qytetar do të marrë përgjigje për shqetësimin e ngritur.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje