Të drejtat dhe trajtimi i të dënuarve, Ministria e Drejtësisë paraqet pr/ligjin

17 Korrik 2015, 17:59Kronika TEMA

Reformimi i sistemit të trajtimit të të dënuarve është një nga prioritetet kyçe të Ministrisë së Drejtësisë në drejtim të konsolidimit të shtetit të së drejtës dhe garantimit të të drejtave të njeriut.

Ky është qëllimi kryesor i projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime ne ligjin nr. 8328 datë 16.04.1998 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, i ndryshuar”.

Sipas draftit të paraqitur, synohet përmirësimi i kushteve për trajtimin e personave të dënuar me burgim për të garantuar respektimin e të drejtave dhe lirive të tyre themelore, në përputhje me aktet e Bashkimit Europian, aktet ndërkombëtare në fuqi si dhe standartet e pranuara ndërkombëtarisht, përmes futjes së nocionit të burgut me regjim të hapur.

Gjithashtu synohet përforcimi i sigurisë në burgjet e sigurisë së lartë, përmes një regjimi të posaçëm, që vendoset për sigurinë e institucioneve, kryesisht në parandalimin e lidhjeve të mëtejshme me botën e krimit për personat që vuajën dënimin në burgun e sigurisë së lartë, për vepra penale në veçanti të rrezikshme, duke ndihmuar kështu dhe në shkëputjen përfundimtare të tyre nga krimi.

Një propozim i tillë bëhet jo vetëm për arsye të sigurisë së brendshem të institucionit, por edhe të sigurisë së jashtme.

Në të tilla raste, edhe me kërkesën e Ministrit të Punëve të Brendshme, Ministri i Drejtësisë mund të vendosë pezullimin në institucion ose në një pjesë të tij e aplikimit të rregullave normale të trajtimit të të burgosurve, në përputhje me nevojat e rendit dhe të sigurisë, duke parashikuar një mekanizëm të ri të bashkëpunimit mes sistemit penitenciar dhe atij të mbrojtjes së rendit, si një përgjigje e përbashkët në luftën kundër kriminalitetit, siç mund të jenë veprat penale që lidhen me akte terroriste apo me organizata kriminale.

Parashikimi në mënyrë taksative i subjekteve që vuajnë dënimin e tyre në një burg të sigurisë së lartë, pa qenë nevoja të shprehet gjykata posaçërisht për këtë fakt, çka ka lënë vend për abuzime në praktikë.

Propozimi i kësaj nisme vjen si nevojë e përmbushjes së detyrimeve që vijnë nga një sërë aktesh ndërkombëtare në të cilat Shqipëria është palë si: Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, Konventa Evropiane për Parandalimin e Torturës dhe të Trajtimit ose Ndëshkimit Çnjerëzor ose Degradues, si dhe plotësimin e rekomandimeve të përditësuara mbi standardet e trajtimit në burgje të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës dhe rekomandimeve specifike të Komitetit për parandalimin e torturës. Këto rekomandime kërkojnë rritjen e garancive ligjore për parandalimin e shkeljeve të këtyre të drejtave duke vënë theksin në përmirësimin e kushteve të trajtimit për personat e dënuar.

Burgjet janë një realitet që i përkasin çdo vendi, pavarësisht nga niveli ekonomik apo zhvillimi social-politik i tij.  Burgjet përbëjnë një mozaik mjaft të larmishëm që karakterizohet nga një diversitet formash të organizimit, administrimit, godinash dhe kushteve të vuajtjes së dënimit, të cilat kanë ndryshuar në mënyrë të pandërprerë në kohë dhe hapësirë. Shqipëria ka  trashëguar nga e kaluara një sistem të ashpër burgjesh. Ajo që është e rëndësishme është zgjedhja e eksperiencave të cilat do të ishin nga shtete me demokraci të zhvilluar, duke iu përshtatur kushteve të vendit tonë.

Ligji për policinë e burgjeve e koncepton strukturën e burgjeve të ndarë në dy pjesë. Në strukturën policore e cila do të ketë si detyrë vetëm ruajtjen, sigurimin e burgjeve dhe shoqërimin e të burgosurve, si dhe struktura civile e cila do të ketë si detyrë trajnimin dhe rehabilitimin e tyre. Në burgjet me regjim të hapur, punonjësit që do të kenë për detyrë ruajtjen, sigurimin e burgjeve dhe shoqërimin e të burgosurve, do të jetë në nivele minimale.

Ligji mbi të drejtat dhe trajtimin e të burgosurve vendos rregulla të reja mbi respektimin e të drejtave dhe trajtimin e të burgosurve, duke përcaktuar si qëllim parësor edukimin e tyre. Ky ligj bën kategorizimin e burgjeve, në burgje të sigurisë së lartë, të sigurisë së zakonshme dhe të sigurisë së ulët në institucione të veçanta. Por nisur nga nevoja për krijimin e kushteve të duhura për zbatimin me rigorozitet të të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga kuadri ligjor ekzistues duke siguruar që të gjitha organet e zbatimit të ligjit të ofrojnë një trajtim njerëzor të personave me liri të kufizuar dhe shndërrimin e dënimit penal në një mundësi riedukimi, propozohet ky projektligj, nisur dhe nga nevoja për zhvillimin e një strategjie të përshtatshme për sistemin e burgjeve dhe kushtet sociale në Shqipëri, hartimin e programeve të specializuara për të rritur punësimin e të burgosurve për çdo burg duke patur parasysh kushtet e çdo institucioni.

 Projektligji propozohet me qëllim:

Përmes këtij projektligji, ky funksion realizohet nëpërmjet parashikimit të një regjimi të posaçëm për të dënuarit që vuajnë dënimin në një burg të sigurisë së lartë, kur vërtetohen arsye serioze që lidhen me rendin dhe sigurinë publike. Në të tilla raste, edhe me kërkesën e Ministrit të Punëve të Brendshme, Ministri i Drejtësisë mund të vendosë pezullimin në institucion ose në një pjesë të tij aplikimin e rregullave normale të trajtimit të të burgosurve, në përputhje me nevojat e rendit dhe të sigurisë. Pezullimi përfshin kufizimet e nevojshme për të ruajtur rendin dhe sigurinë në institucion si dhe për të parandaluar lidhjet me jashtë të të dënuarve për këto vepra penale. Në të tilla raste, masa mund të zgjasë deri në një vit dhe mund të zgjatet në mënyrë të njëjtë për një periudhë të mëtejshme një vjeçare, kur ka dyshime të bazuara se vazhdojnë përpjekjet për të mbajtur lidhjet me elementë kriminalë nga jashtë.

Nga ana tjetër, projektligji parashikon një trajtim që synon rehabilitimin social për riintegrimin e të dënuarve në jetën familjare, sociale dhe ekonomike, përmes përfshirjes në legjislacionin shqiptar të burgjeve me regjim të hapur. Kështu, kalimi i të dënuarve që përmbushin kriteret ligjore në këto institucione, do të shërbejë si një fazë parapërgatitore për çastin e lirimit të tyre. Përgatitja për riintegrim në burgjet me regjim të hapur lehtëson më pas jetën në liri.

Ky ndryshim propozohet pasi Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale zbatojnë programe të rehabilitimit social, që synojnë modifikimin e sjelljeve kriminale dhe aftësimin me shprehi sociale. Shoqëria civile gjithnjë e më shumë rekomandon që sistemi i burgjeve të hartojë programe konkrete të përgatitjes për riintegrim, që në paraburgim, duke krijuar marrëdhënie institucionale edhe me aktorë të tjerë të përfshirë në këtë proces. Kalimi më pas në regjim të hapur, mundëson riintegrimin plotësisht të të dënuarve dhe rehabilitimin  e tyre.

Një burg i hapur është një institucion penitenciar në të cilin i burgosuri kryen dënimin me mbikëqyrje dhe perimetër sigurie minimal dhe nuk mbyllet në qelitë e burgut. Ndërkohë që vuajnë dënimin e tyre të burgosurit kanë të drejtë të punojnë. Regjimi i burgjeve të hapura i përgjigjet një sërë problematikave që kanë të bëjnë me të dënuarit dhe institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, si:

– Efikasiteti;

– Moderniteti;

– Ekonomizimi;

– Respektimi i të drejtave të njeriut;

– Integrimi territorial;

– Lufta kundër mbipopullimit.

Ideja është që i burgosuri del nga IEVP në mëngjes dhe shkon në vendin e punës së tij. Pas përfundimit të punës, ai menjëherë do të kthehet në institucion dhe të mbetet aty deri në mëngjesin tjetër, në qoftë se ai nuk ka leje ose pushime.

Në institucion, të burgosurit mund të marrin pjesë në aktivitete të kohës së lirë, të zhvillojnë aktivitete sportive dhe të përfitojnë në trajtimin e ofruar atje. Shumicën e fundjavave i burgosuri mund t`i kalojë me familjen e tij. Të burgosurve në një burg me regjim të hapur sigurisht që do t`u duhet t`i përmbahen në mënyrë strikte rregullave të specifikuara. Konsumi i alkoolit ose kthimi me vonesë mund të çojë zhvendosjen e të burgosurit në burgje të mbyllura.

Megjithatë, rregullat specifike do të përcaktohen në vetë rregulloren e brendshme te institucionit. I burgosuri vendoset me miratimin e tij në një burg me regjim të hapur kur i plotëson kushtet e veçanta për t`u vendosur në një institucion të tillë dhe ky kalim nuk nënkupton që ai t’i shpëtojë dënimit me burgim dhe as të abuzojë me mundësitë e ofruara nga burgjet e hapura për të kryer krime të tjera.

Burgjet e regjimit të hapur janë të domosdoshme për të arritur një bashkëjetesë normale, duke rritur përgjegjshmërinë e të dënuarve, për të cilët vlerësohet se dënimi që kanë përmbushur deri në çastin e kalimit të tyre në burgjet me regjim të hapur, ka përmbushur qëllimin edukues të tij. Qëllimi i regjimit të hapur është nxitja e aftësisë së intergimit social pozitiv të të dënuarve, duke i mbështetur ata dhe duke favorizuar kështu përfshirjen e tyre progresive në komunitet. Ky regjim nxit përgjegjshmërinë, integrimin, forcon lidhjet familjare dhe shoqërore të të dënuarit, sigurisht me bashkëpunimin dhe koordinimin me institucionet që do të ndihmojnë integrimin e tij.

Ministria e Drejtësisë përmes këtij projektligji, kërkon të hapë rrugën për krijimin e institucioneve të ezkekutimit të dënimeve penale me regjim të hapur. Pas këtij hapi, masa konkrete do të ndërmerren përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, duke rritur bashkëpunimin me organiziata jofitimprurëse që kanë në fokus rehabilitimin e të dënuarve si dhe me Shërbimin Kombëtar të Punës, për të mundësuar në vazhdimësi përmbushjen e së drejtës së të dënuarve në prag të lirimit për t`u trajtuar me shërbime për t`u mbështetur financiarisht në përpjekjet e tyre për gjetjen e një pune fitimprurëse të përshtatshme për cilësitë individuale dhe aftësitë profesionale.

Burgjet me regjim të hapur, në praktikën ndërkombëtare, janë cilësuar si burgje me rezultate të larta sa i përket rehabilitimit të të dënuarit dhe përmbushjes së funksionit të dënimit. Vende si Anglia, Gjermania, Holanda, Spanja, Zvicra, Luksemburgu, Polonia, etj., kanë aplikuar tashmë këtë regjim për një kategori të dënuarish, regjim ky që është vlerësuar tepër pozitiv në drejtim të të drejtave dhe lirive të personave të dënuar.

 

2 komente në “Të drejtat dhe trajtimi i të dënuarve, Ministria e Drejtësisë paraqet pr/ligjin”

  1. coli says:

    Me kthy ligjin e pushkatimit punen qe te mbajne veten dhe jo nga taksapagusit ne shpinde te popullit dhe te hiqen te gjithe legenat me diplloma fallco nga presidenti prokuror e gjykates e zorraxhite avokat apo sekseret,

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje