Që prej vitit 2005, Ansi Agolli është një nga lojtarët titullarë të Kombëtares Shqiptare. Me rreth 50 ndeshje si kuqezi, eksperienca nuk i mungon sepse Agolli është pjesë e gardës së vjetër nga e cila, skuadra e De Biasit ka arritur të fitojë shumë eksperiencë dhe siguri. Mbrojtësi që aktualisht luan në radhët e Qarabag, komenton shortin e Shqipërisë duke vënë theksin në rëndësinë e madhe që kanë të gjitha sfidat eleminatore.
“Mendoj se është një short shumë i vështirë. Tani nuk ka më ekipe të lehta dhe bejmë pjesë në një grup me ekipe cilësore ku veçoj Italinë e Spanjën. Është hera e parë që zhvillojmë një ndeshje zyrtare me Italinë prandaj duhet ta shikojmë pozitivisht”.
Në vijim, Agolli e pranon se përballja me dy kombëtare historike si Italia dhe Spanja është një stimul për Shqipërinë e cila nuk duhet të trembet nga pesha e emrave që kanë kundërshtarët.
“Çdo ndeshje kur luan Shqipëria është një reklamë më shumë për ekipin kombëtar, aq më tepër kur luajmë me ish kampionë bote si Italia dhe Spanja”.
Gjithsesi, 33-vjeçari i bën thirrje grupit kuqezi të mos nënvleftësojë as Maqedoninë dhe Izraelin për të evituar surprizat.
“Izraeli ka një ekip pak më cilësor ndërsa Maqedonia është në krizë gjatë kohëve të fundit por unë besoj se do të jenë ndeshje të hapura. Shqipërtia ka treguar lojëra cilësore dhe ka marrë rezultate me ekipe të një niveli të lartë”. /supersport/