Të paktën 90 grupe pune të përbashkëta Polici-OSHEE ushtruan kontrolle javën që shkoi, nga data 20-26 Korrik në 3.567 raste në të gjithë vendin për abuzimet dhe vjedhjet e energjisë elektrike në terren tek abonentët biznes dhe familjarë, ku u evidentuan 50 raste të vjedhjes së energjisë elektrike me 50 autorë.
Sipas njoftimit nga Policia e Shtetit, nga këta u arrestuan në flagrancë 15 persona që akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike, po ndiqen në gjendje të lirë 34 persona dhe është shpallur në kërkim 1 person.
Gjatë kësaj periudhe u ndërprenë 1.498 lidhje të abonentëve debitorë, 50 lidhje të paligjshme dhe u kontrolluan 79 kabina elektrike dhe abonentët që furnizohen prej tyre.
Policia e Shtetit dhe OSHEE janë të vendosur ta çojnë deri në fund punën e nisur deri në shkëputjen e fundit të lidhjeve të paligjshme, duke përballur me forcën e ligjit këdo person, që abuzon dhe vjedh energjinë elektrike, qofshin biznese, individë, apo punonjës të OSHEE-së.