Huatë që nuk i janë kthyer në afat bankave kanë zbritur në 20% në fund të tremujorit të dytë 2015, sipas statistikave të publikuara sot nga Banka e Shqipërisë.
Ky është niveli më i ulët që nga tremujori i parë i vitit 2012, kur kreditë me probleme ishin 20.7%, për të filluar më pas rritjen, që kulmoi në tremujorin e tretë 2014, në gati 25%. Pas këtij tremujori, ky tregues filloi një rënie graduale, për të zbritur në qershor në nivelet minimale të tre viteve të fundit.
Bankat janë përqendruar ndjeshëm në menaxhimin e portofoleve të tyre me probleme, ndërsa po shiten dhe huatë e pakthyera në afat. Një prej tyre është kredia e City Park, që Tirana bank ia ka shitur një institucioni të huaj në gjysmën e parë të 2015-s, duke e hequr qafe nga protofoli i saj.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë në fund të tremujorit të dytë 2015, huatë e humbura (ato që janë pa shpresë arkëtimi) zbritën në 10.32% të totalit të kredisë, nga 11.83, që ishin në fund të 2014-s. Në vlerë abslute, huatë pa shpresë arkëtimi kanë zbritur në 407 milionë euro, nga 473 milionë euro në dhjetor 2014.
Në një zhvillim pozitiv, është rritur pesha e huave standarde (deri në 30 ditë vonesë) nga 69.5% në dhjetor në 73.5% në qershor 2015.
Rreth dy muaj më parë, Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe FMN u angazhuan për një strategji efektive për reduktimin e huave problematike (NPL), teksa ato po mbanin peng zhvillimin e ekonomisë. Vlerësohet nga Banka e Shqipërisë se janë 35 kompani, që kanë më shumë se 60% të totalit të huave me probleme.
Pavarësisht uljes së NPL-ve, bankat nuk po i rikthehen seriozisht kreditimit. Statistikat e fundit treguan se huaja për ekonominë ka shënuar një tjetër rënie të fortë në qershor, duke mos arritur të krijojë një tendencë të qëndrueshme rritjeje. Sipas statistikave të Bankës së Shqpërisë, stoku i huasë për ekonominë arriti në 552.4 miliardë lekë, duke u tkurrur me 7.4 miliardë lekë, apo 1.3% në raport me muajin e mëparshëm.
Monitor
Kredit merret për kënaqësi., dhe jo për fidanishte kanabisi