Prokuroria e Përgjithshme pritet t’i drejtohet sot me një kërkesë Kuvendit për marrjen e autorizimit për arrestimin dhe hetimin e deputetit të Lezhës, Armando Prenga.
Sipas Rregullores së Kuvendit brenda dy ditësh nga njoftimi i Kryetarit të Kuvendit mblidhet këshilli për Rreguloren, Mandatet dhe Imunitetin i cili duhet të shqyrtojë kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme, por sipas burimeve Kuvendi do ta mbledhë që sot Këshillin në mënyrë që pasditen e së hënës në orën 17:00, kur do të hapet sesioni i ri të votohet kërkesa e Këshillit të Mandateve për deputetin socialist.
Por mund edhe të hedhë poshtë kërkesën e prokurorisë, nëse nuk ka vend për procedim dhe të vendosë heqjen e masën së ndalimin apo të arrestit në flagrancë.
Sipas rregullores së Kuvendit në seancën e këshillit të Mandateve që shqyrton kërkesën e Prokurorisë mund të jetë i pranishëm deputeti nën akuzë, ose të përfaqësohet nga avokati i tij.
Ky është rasti i parë i arrestimit në flagrancë të një deputeti në vendin tonë. Rreth 5 muaj më parë Kuvendi miratoi kërkesën për arrestimin e deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku.