Trajneri De Biazi e konfirmoi mbrëmë në konferëncën për shtyp se mbrojtësi Elseid Hysaj nuk është rikuperuar dhe kështu që ai nuk do të jetë për ndeshjen e sotme kundër Portugalisë, në “Elbasan Arena”, në orën 20:45. Trajneri i kuqezinjve është shprehur ditën e djeshme se kërkon maksimumin ndaj formacionit luzitan. Po me çfarë mënyre loje do t’i marrë 3 pikët De Biazi, kur pak a shumë ai ka konfirmuar se do të luajë me skemën 4-5-1, ashtu si në ndeshjen me Danimarkën, kur deklaroi se kundërsulmi nuk funksionoi? Pritet sërish e njëjta skemë, apo ka përgatitur diçka ndryshe? Po Cristiano Ronaldon si do ta mbulojë?
Ronaldo – Xhani De Biazi dje ka bërë shaka kur është pyetur në lidhje me Cristianon, ndërsa mendon se nuk do të ketë diçka speciale për mbulimin e tij. Dhe në fakt, De Biazi ka të drejtë, sepse Ronaldo ndryshon rolet e tij, spostohet herë në të majtë, e herë në të djathë, vertikalizohet në qendër, etj. Pra, mbrojtja duhet të jetë kompakte dhe dubluese kur ai ka topin. Gjithsesi, lojtari që pritet ta mbulojë më nga afër është Xhimshiti, pasi luan në krahun e djathtë, pikërisht ku operon CR7. Në seancën e djeshme stërvitore të paradites, italiani ka provuar dy formacione të ndryshme.
Mbrojtja – Berisha do të jetë sërish në portë dhe kjo as që diskutohet. Në mbrojtje, në krahun e djathtë, De Biazi, me sa duket, e ka ndarë mendjen për te futbollisti që bëri një paraqitje të mirë në debutimin e tij me Danimarkën, Berat Xhimshiti. Mbrojtësi i Zyrihut pritet të jetë edhe markuesi personal i Ronaldos, teksa do të ketë një detyrë shumë të vështirë për të ndalur yllin portugez. Provën e parë ai e dha mirë. Gjithsesi, përballë CR7-ës nuk do të jetë njësoj, aq më tepër që atij i mungon eksperienca. Se sa do ia dalë, këtë do ta shohim. Në qendër dyshja Cana-Ajeti do të jenë afër njëri-tjetrit, ndërsa në krahun e majtë do të jetë Agolli. Alternativë për në qendër dhe majtas është Aliji.
Mesfusha – Ndryshimi i vetëm kësaj radhe duket se do të jetë në mesfushë, ku ka një dilemë për Abrashin dhe në vend të tij mund të luajë Kaçe. Thuhet kështu, pasi në seancat stërvitore tekniku italian ka provuar Kaçen dhe Bashën. Fillimisht, ishin këta të fundit që e nisën me formacionin e titullarëve, por më pas De Biazi u ka ndërruar vendet me dy të tjerët. Kukeli dhe Xhaka rrezikojnë ndeshjen me Serbinë, nëse ndëshkohen me karton të verdhë, ndaj nuk është çudi që mund të zëvendësohen në pjesën e dytë, nëse ata nuk janë ndëshkuar. Gashi për momentin duket i sigurt për pozicionin e tij në të djathtë, ashtu si Lenjani në të majtë.
Sulmi – Paraqitjet e Sokol Cikalleshit kanë bërë që De Biazi t’i besojë sërish edhe ndaj luzitanëve rolin e titullarit dhe që i vetëm do i duhet të mbajë skuadrën përpara. Kavajasi në raste të caktuara do të ketë edhe detyra mbrojtëse në momentin që kundërshtari do të ketë topin në zotërim. Cikalleshi nuk e ka bërë ende “sefte” golin me Kombëtaren, por ndoshta një gjë e tillë do të ndodhë ndaj Portugalisë së Kristiano Ronaldos. De Biazi i beson këtij sulmuesi pasi është i fortë fizikisht. Kujtojmë që alternativë e mirë për sulmin është edhe Balaj, pikërisht lojtari që ndëshkoi Portugalinë në ndeshjen e parë./ Telesport
FITORE DJEMA ZOTI QOFT ME JU SONTE KUNDER PORTUGALIT.
Ndeshja perfundon SHQIPERIA 3-1 PORTUGALIA.
Do te jete nje nga ndeshjet me te bukura ,fitorja e kuqezinjve eshte e padiskutueshme
Rolando do te mbulohet dhe mbas kesaj ndeshje Ronaldo ben mire te dorzoje fanellen e tij . Ketu i thone vendi i shqipeve .
ALBANIA -PORTUGALI 2-0
Nderkohe Danimarca barazon……