Klosi me të rinjtë serbë: Ndeshja e futbollit, një derbi, jo një moment që ndan historinë

13 Shtator 2015, 13:31Sociale TEMA

Komunikimi dhe bashkëpunimi mes të rinjve mund t’i bëjë vendet e rajonit jo vetëm më miqësore ndërmjet tyre, por edhe më të afta për të përballuar sfidat e përbashkëta, siç është papunësia, zhvillimi ekonomik etj. Me këtë mesazh iu është drejtuar sot ministri Blendi Klosi, të rinjve shqiptarë dhe serbë, gjatë një takimi të organizuar nga shoqëria civile në Tiranë. Në fjalën e tij, ministri Klosi ka vlerësuar rolin që mund të luajnë të rinjtë për të rrëzuar të gjitha barrierat e paragjykimeve mes popujve, si dhe për të nxitur një bashkëpunim më të frytshëm në përballimin e problemeve që shqetësojnë sot të rinjtë e të dyja vendeve. “Ne jemi shumë të bindur se të rinjtë duhet të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të frymës së mirëkuptimit, tolerancës, miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Të rinjtë e të dy vendeve të rajonit përballen me të njëjtat sfida, janë po të njëjtat sfida që shqetësojnë grupet tuaja, qoftë në Tiranë, qoftë në Beograd, apo në rajonin tonë. Janë po të njëjtat problematika, të cilat kanë të bëjnë sot me zhvillimin ekonomik, me hapjen e horizonteve të reja”, – tha Klosi në fjalën e tij.

Më tej ai ka siguruar të rinjtë e pranishëm se institucionet shtetërore do të japin gjithë mbështetjen institucionale për të thelluar më tej bashkëpunimin mes vendeve tona. Për këtë, ai ka kujtuar se angazhimet e liderëve të të dyja vendeve për të bashkëpunuar duhet të vijojnë edhe më poshtë në të gjitha institucionet shtetërore, por edhe ndërmjet shoqërisë civile dhe rinisë në veçanti.

Ai ka theksuar se takimi i sotëm është një tregues se, pavarësisht së shkuarës historike, mes dy popujve ka më shumë gjëra që mund t’i bashkojnë sesa t’i ndajnë. “Unë mendoj se ka ardhur koha që të mos kemi asnjë drojë për ta rritur këtë komunikim; ka ardhur koha që ndeshja e futbollit të mos kthehet në një moment deziluzioni, por në një moment kur njerëzit ndjehen mirë dhe e shijojnë atë si aktivitet sportiv, ndaj dhe ajo duhet të jetë si një derbi mes vendeve ballkanike dhe të mos jetë si një ndeshje që ndan historinë”, – u shpreh Klosi.

1 komente në “Klosi me të rinjtë serbë: Ndeshja e futbollit, një derbi, jo një moment që ndan historinë”

  1. rinia says:

    Shpresoj qe kete mesazh ta kuptojne qytetaret Serb ,persa i perket pales tone jemi qysh ne shekuj mikprites dhe jo zjarrndezes .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje