Bankers kërkon ndërmjetësim ndërkombëtar mbi mosmarrëveshjet mbi taksat

14 Shtator 2015, 14:02Ekonomia TEMA

Bankers njoftoi sot se ka arritur mirëkuptim me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore të Shqipërisë për punësimin e një auditori ndërkombëtar të pavarur si palë e tretë me shpresë se në këtë mënyrë do të zgjidhen mosmarrëveshjet në lidhje me  shpenzimet operative dhe kapitale të pranuara si kosto të rekuperueshme.

Bankers, e cila pati 54.4 miliardë lekë (€388.6 milionë) të ardhura për vitin 2014 dhe është korporatat më e madhe në vend për nga të ardhurat, ka qenë shpesh subjekt aludimesh për transferim fitimesh jashtë vendit përmes inflacionimit të investimeve me burime nga vende që janë parajsa fiskale në mënyrë që të shmangë tatimin mbi fitimin në masën 50 për qind, në një teknikë të njohur si “transferim çmimi”.

Bilanci fiskal i kompanisë tregon se në fund të vitit 2014, kompania kishte ende 13.3 miliardë lekë (€95 milionë euro) fitim negativ të akumuluar në vite. (Kliko këtu për pasqyrën e të ardhurave dhe shpenzimeve të Bankers Petroleum për vitin 2014.)

Autoritetet fiskale shqiptare kanë sfiduar pretendimet e kompanisë për rezultate të vazhdueshme negative fiskale dhe kanë vënë në pikëpyetje shpenzime me vlerë 57 milionë dollarë, duke pretenduar që kompania të paguajë tatim mbi fitimin mbi këtë shumë. Bankers thotë se marrja e një audituesi të pavarur për të vlerësuar kostot e kompanisë mund të sjellë një zgjidhje të pranueshme për të dhe autoritetet.

“Në javët e ardhshme palët do të zgjedhin një auditues ndërkombetar, dhe shpresojnë të arrijnë një përfundim mbi këtë çështje në muajt në vazhdim. Kjo nismë pritet gjithashtu që të zgjidhë edhe vlerësimin për balancën e taksës prej US$57 milionë të marrë së fundmi e bazuar mbi auditin e sipërmendur” tha Bankers në një njoftim për shtyp sot.

Bankers Petroleum filloi punën në Shqipëri në vitin 2004 me një marrëveshje koncesionare që synonte përdorimin e teknologjisë moderne për të shfrytëzuar rezervat ekzistuese të naftës, të cilat, me teknologjitë e vjetra qenë shterruar. Përgjatë viteve, Bankers arriti të përfitojë nga çmimet e larta të naftës dhe u kthye nga një kompani e regjistruar në bursë, aksionet e të cilës shiteshin për pak qindarka, në një gjigand, vlera e kapitalit të së cilës në bursë arriti në 2 miliardë dollarë në kulmin e vet në vitin 2009.

Gjithsesi, përgjysmimi i çmimeve ndërkombëtare të naftës që nga gushti i vitit të kaluar ka goditur edhe aksionet e kësaj kompanie të regjistruara në Toronto. Aksionet e saj kushtojnë aktualisht 1.9 dollarë nga 6 dollarë që kushtonin në tetor 2014. Të ardhurat e Bankers nga operacionet e saj në Shqipëri qenë 170 milionë dollarë për gjysmën e parë të këtij viti, ose sa gjysma e të ardhurave të realizuara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Marrëveshjet standarde koncesionare të nxjerrjes së naftës në Shqipëri i japin qeverisë të drejtë të taksojë me 50 për qind fitimet neto të kompanive të naftës. Por për shkak se kompanitë deklarojnë investime të shumta dhe të vazhdueshme, ato rezultojnë gjithmonë me humbje dhe qeveria nuk arrin të mbledhë tatim fitimi. Në pamundësi për të mbledhur tatim mbi fitimin, Shqipëria vendosi një taksë 10 për qind mbi shitjet e naftës si rentë minerare për shfrytëzimin e burimeve naturore në vend duke filluar nga viti 2008.

Përveç rentës minerare, Bankers paguan edhe një pjesë të prodhimit te kompania publike e naftës Albpetrol si pjesë e kontratave për ndarjen e prodhimit për puset që i janë transferuar nga Albpetroli për shfrytëzim kësaj kompanie.

Gjatë vitit 2014, Bankers pagoi 9 miliardë lekë si e drejtë minerare, e barazvlefshme kjo me 16 për qind të të ardhurave të përgjithshme të kompanisë.

6 komente në “Bankers kërkon ndërmjetësim ndërkombëtar mbi mosmarrëveshjet mbi taksat”

  1. salem says:

    Me zhdukjen e kesaj monstre qe quhet “bankers”,Shqiperia mund te dale nga kriza ekonomike.”Nafta can bllokaden” thuhej dhe cmimi ishte simbolik,po tani qe eshte 200 fishuar?
    Te gjitha te ardhurat perfundojne ne xhepat e maskarenjve vendas dhe te huaj.
    Ku je o Enver per keta palaco qe e shiten dhe e falen vendin !

    1. Mezani Celoja says:

      Salem zgjohu nga gjumi. Nafta e cante bllokaden dikur. Me teknologjite e reja qe shpiku Amerika dhe Kanadaja per nxjerrjen e naftes, kete naften tone te Patosit as me 2 leke fitim nuk e shet dot ne bursen e naftes.

      E di ti cfare do te thote qe aksionet per 1 vit u bene nga $6 and $1.9. Dmth qe fitimi zbriti ne fund te kembeve.

      1. Arber says:

        Pse nuk iken bankers nga Shqioeeia kur dilka me humbje? CDO BISNES FALIMENTON KUR DEL ME HUMBJE.OASU ndoti ambjentin DHE RREZOI terecshtepite perreth tsni ns rrika per bamiresi kjo kompani kerme Amerikano cifuto Kanadeze

  2. Nje shqiptar says:

    Privatizimet, koncesionet dhe tere ekskluzivetet ne Shqiperi jane dhene falas per te huajt ne saje te korrupsionit te pushtetareve dhe sidomos injorances. Privatizimi eshte bere sipas skemes: nje grup te huajsh formon shoqerine A dhe merr borxhe ne banke, vjen ne Shqiperi dhe privatizon nje nderrmarrje shteterore shqiptare B dhe pastaj formon kompanine C, qe eshte B me borxhet e A-se. keshtu qe C nuk paguan taksa, sepse eshte kurdohere defiçit. Shteti yne duhet te kishte bere ligjin qe te ndaloje kalimin e borxheve te A-se ne B apo bashkimet e e bilanceve. Nga ana tjeter kjo kompani ka perdore dhe po perdore metoda te shfytezimit te naftes qe nuk lejohen pasi demtojne shume ambjentin dhe veçanerisht ujrat nentokesore. Kjo kompani duhet gjobitur rende per demtimet qe i ka bere ambjentit.

  3. ILIRIA says:

    Ky VIPI BANKERSIT kerkon ndermjetesim qe te ndaj fitimet qe ka marre me qeveritaret e rinj ndersa berberet dhe bisneset e vegjel po burgosen dhe po ju behet reprezalje per kuponat tatimore qe si presin dot sepse VIPAT si puna e ketij nuk e japin mallin me vleren reale tek bisneset e vogla dhe keta vene ne burg ndersa VIPET tallin menderen me shtetinduke e vjedhur diten per diell prandaj konfiskimi dhe burgu duhet per keta te medhenjte dhe jo per hallexhinjte. Faleminderit

  4. A.R says:

    Grupet e huaja te shfrytezimit te naftes dhe pasurive minerale, duhet vihen ne syrin e ciklonit te Tatimeve shqiptare; se jo vetem po zhvasin pasurine nentokesore kombetare duke mos kontribuar aspak ne arkat e shtetit shqiptar, por po renojne e helmojne ambientin. Pa dhene asnje llogari edhe ne kete aspekt.
    Eshte detyra e shtetit shqiptar t’i futet nje hetimi te thelle mbi operimin e ketyre kompanive, duke mos aanashkaluar asnje fature te vetme pasive; sepse dihet qarte se keto fatura te shpenzimeve dhe investimeve, jane te sterfryra ne menyre qe t’i bejne bisht detyrimeve ndaj Drejtorise se Tatimeve.
    Kur ndryshohet ligji duke e shenderruar mospagimin e taksave nga shkelje administrative ne krim penal, kjo duhet te vleje jo vetem per subjektet shqiptare, por edhe per ato te huaja. Bile sidomos per ato te huaja!
    Provojeni te dergoni nje kompani shqiptare qe sillet siç i do qejfi e s’paguan detyrimet ne Kanada apo SHBA. E sharrojne me dege, trung e renje qe ne oret e para!
    Ndaj tani e tutje qe Shqiperia te behet nje shtet serioz, duhet t’u shterngoje rripin te gjitheve, duke filluar nga te huajt e deri tek vendasit!

    Andrea Radi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje