Dekriminalizimi, mision i pamundur

14 Shtator 2015, 17:17Blog TEMA

Nga Albi Xhunga

 

Debati shterp i rradhës që po mbush jetën politike, diskursin publik, faqet e para të gazetave apo qofte edhe temën kryesore të kafeve pas darke është Dekriminalizimi. Dekriminalizimi i Kuvendit për të qenë më të saktë. Deputetë me të shkuar kriminale kanë arritur, jo vetëm të vënë pasurira të ligjshme (që edhe vetëm ky është fakt ulëritës), por edhe të ulen në kolltukun e ligjvënësit e të përfitojnë privilegjet që ky kolltuk ofron.

Debatin mund ta quajmë shterp pa frikën se po e paragjyojmë, për sa kohë nga të gjithë krahët, nga të gjithë diskutimet, debatet në Kuvend, studio televizive apo medie të shkruara nuk shohim një propozim real për zgjidhje të qëndrueshme. Se përse një propozim i tillë mungon ka shumë arësye. Që një propozim serioz e i zbatueshëm të vijë nga politika, mundësia është zero. Për t’u bindur për këtë mjafton të dëgjosh debatet mes tyre, thelbi i të cilëve është ‘’ne jemi më të mirë se ju’’. Fatmirësisht asnjëra palë nuk e ka çuar nivelin e hipokrizisë deri aty sa të pretendojë pastërtinë morale e ligjore të forcës respektive. Ky propozim nuk vjen dot as nga sistemi i drejtësisë, për sa kohë ky konsiderohet si një nga të këqijat më të mëdha të këtij vendi e që këtu konkurron ‘’denjësisht’’ me klasën politike. Ky propozim nuk mund të vijë as nga shoqëria civile, sepse nuk ka se si të vijë një propozim nga diçka që nuk ekziston. Politika ka arritur të vrasë që në embrion çdo tentativë për krijimin e një zëri të fortë e të pakompromentueshëm që vjen në mënyrë të organizuar nga ajo që në çdo vend të Botës së lirë quhet shoqëri civile.

Domethënë kjo shoqëri që ka pjellë këtë klasë politike, por që nuk ka qenë e aftë t’i imponohet për pothuajse asgjë, që funksionon pa vlera e pa elita, që ka pranuar të gjitha shëmtitë që mund të prodhojë një klasë politike e cila korrupsionin, klientelizmin, militantizmin, nepotizmin etj., i ka kthyer në mënyra funksionimi të gjithçkaje në këtë vend që nga arsimimi e deri te drejtësia; që nga biznesi punëdhënës, i cili funksionon pa pasur përballë asnjë lloj organizimi, asnjë mender sindikatë që përveç emrit të ketë diçka që ta bëjë të meritojë të quhet e tillë e që duhet të mbronte punëmarrësin edhe kur ky paturpësisht është gazetar që pranon të punojë i papaguar, nuk ka ç’të bëjë tjetër përveçse edhe këtë rradhë kur shikon se krimi është ngjitur në majë, të ulet e të ndjekë televizorin e të çfryjë duke thënë se ky vend nuk bëhet.

Propozime bindëse e të zbatueshme nuk ka, por le të marrim të mirëqënë faktin se kjo klasë politike ka vullnetin për ta zgjidhur këtë çështje njëherë e mirë e jo vetëm të prodhojë debate spektakolare për të fajësuar e për t’u dukur më mirë se pala tjetër. Dmth ta zëmë se i nxorrëm nga Kuvendi ata me të kaluar kriminale. Kush na siguron se bashkëpunimi me këta mbledhës e ruajtës votash nuk do vazhdojë në forma të tjera të tipit ‘’ti më jep votat e unë të jap tendera, laguna, hidrocentrale, universitete private etj., etj? Apo do thërrasim fitore kur këta t’i nxjerrim nga Kuvendi paçka se ndikimi e bashkëpunimi i qeverisë e opozitës me këta vazhdon në një formë tjetër, por po aq kriminal e shtetrrjepës?

Dhe e fundit, a mos ndoshta i bën ata, të dënuarit, emrandryshuarit, vrasësit e drogëmenët fakti që janë dënuar nga një gjykatë më shumë kriminelë se këta, liderët që megjithëse nuk kanë ndonjë vendim gjykate në shpinë e dimë të gjithë se kush janë? Të korruptuar janë të gjithë, por nëse duan ta dekriminalizojnë Kuvendin e kryetarë partish të kemi sërish këta që kemi, që kanë vrarë, masakruar qytetet duke marrë rryshfete ndërtimesh, shpërthyer gërdecëra, vjedhur 240 milionë eurosha, nxjerrë ‘’kokëpalarët’’ në bulevard për të protestuar e pastaj braktisur, më mirë të mos e bëjnë atë dekriminalizim. Të kemi një Kuvend të dekriminalizuar me në krye të zotin e bllokut? Jo faleminderit.

1 komente në “Dekriminalizimi, mision i pamundur”

  1. nga Brukseli says:

    gjithe ky shkrim, i shkruar nga nje parazit qe jeton dhe shpenzon ne kurrize te te “dashures”, eshte hipokrizi. ik puno se as breket e tua nuk i ke, pastaj merru me filozofi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje