Avokati i Popullit, Igli Totozani, ishte në Bashkinë e Përmetit, Këlcyrës, ku zhvilloi takime me banorët e zones, si dhe me drejtuesit lokalë.
Në Bashkinë e Përmetit dhe atë të Këlcyrës, banorët u ankuan duke thënë se furnizohen me ujë vetëm një apo dy orë në ditë dhe për pasojë vështirësitë janë të shumta.
Në takimet me Avokatin e Popullit banorët u ankuan për nivelin e lartë të papunësinë, por edhe mungesën e strehimit. Ata i thanë Totozanit se pjesa më e madhe e familjeve në Përmet jetojnë me të ardhurat që u vijnë nga të afërmit në emigracion. Ndërsa në Këlcyrë, ku numri i të papunëve është shumë i lartë, ndihma ekonomike prej 3 mijë lekësh të reja në muaj u konsiderua krejt e pamjaftueshme për të jetuar.
Në Bashkinë e Përmetit rreth 200 familje kanë aplikuar si të pastreha, por deri tani nuk ka asnjë fond qoftë për ndërtimin e banesave sociale, ashtu edhe për strehimin e tyre përmes dhënies të kredive të buta.
Gjithashtu, një grup ankesash që ju drejtuan Avokatit të Popullit, Igli Totozani, në Përmet, lidheshin me funksionimin e dobët të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Gjirokastër. Sipas banorëve, përveç kostos së transportit nga Përmeti në Gjirokastër, ata hasnin në indiferencë në zgjidhjen e çështjeve për fillimin e procedurave të përfitimit të pensionit. Në zyrën e postës, ata detyrohen të presin me orë të tëra për të marrë këtë pagesë, në ambiente jashtë standardeve, ku mungojnë tërësisht vendet e qëndrimit ulur.
Një tjetër çështje e mbetur pa zgjidhje është edhe ajo e ngrohjes në shkolla për periudhën e dimrit. Kostoja e lartë e ka bërë të pamundur garantimin e këtij shërbimi në shkollat e arsimit parauniversitar nga ana e bashkisë së Përmetit dhe Këlcyrës.
Lidhur me shërbimin shëndetësor në këto zona, mungesa e mjekëve specialistë mbetet shqetësuese. Avokati i Popullit z. Totozani theksoi nevojën e politikave stimuluese nga ana e strukturave drejtuese të shëndetësisë, që mjekët specialistë të mos përqendrohen vetëm në qendrat e mëdha urbane, por edhe në bashkitë e vogla.
Në Bashkinë e Gjirokastrës z. Totozani zhvilloi një takim me kryetaren znj. Zamira Rami. Aty u diskutua mbi perspektivën e hapjes së një zyre rajonale të Avokatit të Popullit, me qëllim trajtimin e ankesave të qytetarëvve, por edhe për të monitoruar respektimin e të drejtave të njeriut, nga ana e institucioneve tona shtetërore, për ata qytetarë që vijnë në Shqipëri nga vendet në konflikt, si Siria, Afganistani etj.
Avokati i Popullit iu përgjigj interesimit të medias lidhur me raportin e OSBE-së. Z. Totozani tha se institucioni I Avokatit të popullit vlerëson punën dhe aktivitetin e OSBE-së dhe e konsideron si një partner të rëndësishëm. Totozani theksoi se shqiptarët meritojnë politikanë të pastër.
Avokati i Popullit Igli Totozani, së bashku me ekspertë të institucionit kanë përfunduar një tur inspektimesh në zonat juglindore të vendit, pas atyre të zhvilluara në veri të Shqipërisë. Nisma “Ditët e hapura” do të vijojë me inspektime dhe takime në të gjitha bashkitë.
Epo shyqyr.Te gjithe nga ti prisnim.