REPORTAZHI/ Zhepova, fshati që pret me sytë nga qielli

21 Shtator 2015, 20:15Kulturë TEMA

Nga Marin Mema, TCH

Suka është stacioni i fundit, ku infrastruktura rrugore është e rregullt. Më pas ajo hidhet përtej në një shteg, që humbet kodrave. Pa një makinë të lartë është e pamundur të ngjitesh, ndërkohë që vende-vende rruga gjarpëron në gremina të frikshme.

Dikush mund të mendojë se, pas kësaj rruge është e vëështirë të jetohet, e megjithatë pas saj ngrihet Zhepova, një me rreth 200 banorë në Përmet. Në hartë janë pjesë e Shqipërisë, në realitet nuk dihet se ku bëjnë pjesë.

8 kilometrat që e ndajnë nga pjesa e fundit e shtruar duken si një botë larg. Në fakt, impakti më i fortë dhe i menjëhershmën është ai viziv. Shtëpitë e Zhepovës duken si të dala nga historia, me gurtësinë e tyre që shkrihet në një zonë të gjerë, që dikur mbante mëse 300 shtëpi, nga më pak se 80 që kanë mbetur sot.

“Fshati ka ngelur si Afganistani, ose si Iraku që kemi dëgjuar. Ka ngelur pa xhade, pa ujë”, thotë Tomorr Kasaj.

Fshati, që sot duket si një vend pa të ardhme, dikur prodhonte sasi të mëdha të grurit, rrushit, mollëve, arrave e shumë produkte të tjera. Aq sa shpesh, në kohën e diktaturës, e krahasonin me disa nga zonat më prodhuese në jug të vendit. Jo më kot u ngrit edhe një fabrikë, e po ashtu një baxho, që do të shërbenin për përpunimin e disa prej këtyre produkteve. Godina sot është një ndërtesë e gjunjëzuar, ndërsa koha kur ky fshat prodhonte bollshëm duket shekuj larg.

“Në fshatin tonë nuk ekziston asnjë frezë, asnjë traktor, vetëm dy furgona. Edhe ata me zor dhe gjatë periudhës së dimrit i shtyjnë njerëzit duke ardhur lart, si tip skllevërish, sa vijmë në shtëpi”, thotë Agim Xhaferri.

“Çfarë të sheh syri këtu i punonte traktori, i korrte dhe i shinte autokombajna, kurse sot punon vetëm kali dhe gomari, sepse edhe qen nuk kemi”, thotë Raif Shkurta.

Sigurisht, të merresh me bujqësi është edhe më e pamundur, kur uji mungon. Qoftë ky për vaditje, apo për të pirë, që në periudhën e verës është tërësisht me pikatore.

“Prodhon mallin, por nuk ke ku e shet. Mund të kisha rreth 3 kuintalë fiq, nga ata të lashtët i themi ne; kumbullat e të tjera gjëra, që nuk i shes dot. Do vesh në pazarin e Këlcyrës, gjë që ka vështirësi, shumë vështirësi”, thotë Eqerem Shkurta.

“Gjithmonë thonë se do investojnë për bagëtinë, paguajmë gjithmonë e nuk marrim gjë”, thotë Gëzim Seranaj.

Ah po! Nuk duhet harruar, që fshati ka edhe një Qendër Shëndetësore. Është një godinë, që qëndron stoike, pa asgjë brenda.

Sigurisht ka pasur edhe një shkollë të madhe, por edhe ajo hesht, ose më mirë flet me dhimbjen e saj. Dikur mbushej me zërat e nxënësve, ndërsa sot hesht me kujtimet e asaj kohe.

“Shkolla ka qenë e bashkuar. Ka pasur gjimnaz, ka pasur bujqësore me rreth 600 e disa nxënës, 35 arsimtarë. Tani gjendja e shkollës është braktisur, sepse një pjesë e mirë e nxënësve shkojnë në Sukë, pranë shkollës së mesme aty. Kurse këtu ka mbetur cikli i ulët dhe vijojnë 3 mësues”, thotë Nafiz Xhaferri, ish-mësues.

E ç’mund të kërkosh atëherë nga banorët në kushte të tilla? Kur e ardhmja duket e zënë peng nga braktisja, e ku e vetmja mundësi është largimi? Ka pasur nga ata, që janë kthyer me shpresën e mirë që të investonin diçka në fshatin e tyre, në tokën që kanë trashëguar prej brezash, e megjithatë kanë mbetur të zhgënjyer.

“Jam kthyer. Kam 3 vite që jam kthyer nga Tirana, por kam bërë gabimin më të madh. Them të iki prapë, por ku? Unë, ato që kisha grumbulluar i investova këtu dhe mora fund. Tani i jam dorëzuar Zotit”, thotë Sokol Dragoi.

Gjendja ekonomike është kudo e vështirë, e kjo vjen jo sepse nuk duan të punojnë, por sepse kushtet nuk ua krijojnë këtë mundësi. Një vend që dikur prodhonte, që kishte arsimin, shëndetësine, ujin e gjithçka, e që sot nuk ka asnjë prej tyre. E si mundet atëherë të sigurosh frymëmarrjet?

“Unë vetë kam qenë në kemp. Jam operuar nga zemra. Marr 90 mijë, por nuk dalin të mbash fëmijët me kaq shumë probleme. Nuk jam në gjendje pune”, thotë Rrahman Habibaj.

“Po të mos kemi kafshë, do ikim edhe ne pas kafshëve, se është shumë e vështirë, jashtëzakonisht. Pa kafshë nuk bëhet gjë”, thotë kryeplaku i fshatit.

Lista, borxhe, e familje që prej shumë vitesh mbahen vetëm me shkëmbime prodhimesh të pakta mes tyre, pa pasur shpesh, për shumë kohë, as edhe një të ardhme minimale.

“Po ushqimoret; makarona, oriz, sheqer, vaj; këto gjëra”, thotë Ledio Jaupaj, duke shpjeguar se për çfarë produktesh u janë shënuar emrat në lista njerëzve.

“Ka familje që nuk i njohin fare të ardhurat, lekun se njohin fare edhe gjithçka e bëjnë me shkëmbim mall me mall”, thotë Ismail Abazi.

Punësimi nuk është e nuk duhet të jetë shpesh një skemë e ngurtë, e që komandohet me projekte të ndërlikuara. Punësimi rritet disa fish me një kanal vaditës të rregulluar, me një rrugë të shtruar, me një mundësi tregtimi të produkteve, çfarë do të bënte që sot, 80 shtëpitë e Zhepovës të mos detyroheshin të lëkundeshin në varfëri, por të punësoheshin përmes tokave të tyre, duke rritur gjithmonë e më shumë mundësitë personale.

Për këto nuk duhet shkencë, duhet vetëm pak më shumë dëshirë, apo më mirë pak më shumë kohë për të zbritur në Zhepovë e për të dëgjuar – jo thjesht për vota, – hallet e tyre.

8 komente në “REPORTAZHI/ Zhepova, fshati që pret me sytë nga qielli”

  1. deni says:

    marin, bukur. kurioz kush e keshillon ramen per problemet e zhvillimit rural?

  2. . says:

    e ka lexuar Nikoll Leshi kete artikull?

  3. Pelasgian says:

    Mizat zakonisht mblidhen siper mutave

    Ashtu jan mbledh ropshat e “drejtimit te shtetit apo paria sic e quani ju” rreth mega hales Tirane!

    Ka shume neo “demokrate” (ish bythelepirs,jo komunista) qe me ironi thone ; “Iku koha kur fshati i jepte grurin qytetit”

    Po…iku ajo kohe…tani fshati nuk ben me grure as per veten e tij!

    Nji “klase drejtuse” nese mendon vetem per nji pjese te caktuar te territorit apo popullsise eshte thjesht nje Grup Idioto-Djallzore !

    Idiote sepse koha ka tregur qe shtetet dhe perandorite e medha jan forcuar fale zmadhimit te tyre.

    T’u japesh mundesine ktyre fshatarve apo njerzve te tjere anembane Shqiperise do te thote te rrisesh ekonomine e vendit…pra te fitosh besimin e tyre,voten e tyre dhe natyrisht edhe pasurimin e tyre sepse me shume te pasur jan qytetaret aq me shume pasurohet shteti dhe automatikisht aq me shume vjedhin dhe pasurohen derrat e “politikes”(qeniet me te padobishme ne bote) !

    Ky ishte edhe celesi i zhvillimit te Anglise,Hollandes,Gjermanise.

    Kuptuan qe “Dijes” dhe “Prones” i duhej bere “sharing” dhe s’duhej lene ne kafazet e Aristokracise dhe ishte zgjedhja e duhur prandaj edhe paten sukses ndryshe nga mega perandoria ruse qe pronen dhe dijen e mbante ne duart e disa personave!

    Nji traktor,nje rruge,nje ujesjelles sot vlen neser dhe pasneser leke me shume ne dogana ,taksa,mireqenie.

    Egzistencen tuaj e kuptoj qe e keni vendos vetem tek Perfitimi dhe jo te Idealet por ju as perfitimin s’dini ta beni mire,kenaqeni me shume pak,si jevgu me kosin!

  4. Era1 says:

    Nje reportazh, i shkruar shume mire. Pershkrimi i realitetit te dhimbshem pa teprime, por me ndjeshmeri. Te ben te ndjesh dhe ti, si njerzit e Zhupoves. Dhe te ish vetem Zhupova…
    Sa per zgjidhje?!…(nuk them, qe zgjidhjen, duhet ta propozoje Marini)

  5. jugu says:

    Nikolla ska kohe te lexoje se eshte duke numeruar ato qe I dha rama per ti thurur lavde ne gazeten e tij

  6. jugu says:

    Ah se harova ai gazetari I famshem bless mane duhet ta lexoje kete

  7. jugu says:

    Bledi mane e kisha fjalen

  8. Pse says:

    Pse gjalle eshte Nikollaj Lesic….o kokrra katunarit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje