Shkëlqim Cani: Deklaroni mallin deri në 31 dhjetor. Nuk ka rritje taksash

26 Shtator 2015, 11:33Ekonomia TEMA

Hiqeni nga mendja: nuk ka rritje taksash. Të regjistruar gjatë 25 ditëve të muajit shtator janë mbi 60 mijë punonjës të rinj. Nga 1 gushti janë regjistruar 19 mijë biznese të reja, ndërsa xhiro e deklaruar është 14 miliardë lekë më shumë se në shtator të një viti më parë….

Ministri i Financave Shkëlqim Cani ka dhënë rezultatet e deritanishme të aksionit antiinformalitet. Sipas ministrit, ende nuk është arritur të kontrollohet as gjysma e bizneseve, nga të cilët janë gjetur me shkelje më pak se 10%.

Nga 1 gushti janë regjistruar 19 mijë biznese të reja, ndërsa xhiro e deklaruar është 14 miliardë lekë më shumë se në shtator të një viti më parë.

Një tjetër tregues që përmendi Cani është se pajisjet fiskale janë shtuar në raportim, janë 16 mijë pajisje fiskale më shumë që raportojnë.

Të regjistruar gjatë 25 ditëve të muajit shtator janë mbi 60 mijë punonjës të rinj. “Kjo është një shifër që është shprehje e ecurisë së reformës”, vlerësoi ministri.

Krahas operacionit në terren, pjesë e planit të veprimit janë ndryshimet rregullative e ligjore.

Sapo Kuvendi ka miratuar ndryshime në legjislacion, kryesisht për procedurat tatimore.

Ministri përsëriti që të gjithë tatimpaguesit që kanë gjendje mallrash pa faturë, që e bëjnë deklaratën deri në 31 dhjetor 2015, u hiqet penaliteti dhe ndjekja penale, ndërsa duhet të paguajnë detyrimet.

“Nga 1 janari do të jetë tjetër histori”, tha Cani.

Kjo është, sipas tij, për t’u ardhur në ndihmë bizneseve që u shfrynë me demek, se ishin të papërgatitur, gjë që Cani gjithsesi theksoi se nuk është e vërtetë, pasi ishin paralajmëruar që në mars.

“Nuk duam as të godasim biznesin e vogël, as ta tkurrim, as ta falimentojmë, prandaj ia japim këtë mundësi”.

Cani e vuri theksin edhe te gjoba prej 500 mijë lekësh për mosdeklarimet e punonjësve dhe të pagës së saktë.

“Jemi të detyruar që të reagojmë, që njerëzit të mos punojnë në skllavëri dhe të mos mbeten pa pension”.

Ka ndëshkime dhe për administratën, punonjësit e tatimeve nuk lejohen të kenë në pronësi firma të kontabilitetit dhe konsulence, administrata doganore nuk mund të ketë agjenci doganore.

Edhe në rast se konstatohet se tatimori është palë në mashtrimin me dy balance shkon për ndjekje penale.

Një tjetër risi që ministri përmendi është vlerësimi në bazë risku.

“Nuk përzgjidhen më nga punonjësit e tatimeve se cilat do jenë subjektet që do kontrollohen, por i zgjedh vetë sistemi, në bazë të 54 treguesve, nga të cilat janë funksionale 30”.

Aktualisht janë përzgjedhur rreth 30 mijë biznese, si me risk, nga të cilat janë përzgjedhur si parësore 3000, por deri tani është bërë një rakordim për 46 biznese, sepse nuk mund të kontrollohen të gjithë njëherësh.

Kriteret e përzgjedhjes së kompanive, sipas ministrit, janë:

-si sillesh ndaj organeve, i paguan detyrimet në kohë, ke rishikim të shpeshtë deklaratash;

-performanca- paguan në një periudhë kohore më shumë apo më pak tatim fitimi, TAP, TVSH;

-sektoriale, kompania krahasohet si e ka sjelljen brenda sektorit, pagën e punëtorëve në raport me kompanitë e tjera të sektorit etj.

Këtë e bën vetë sistemi i IT dhe jo individët, duke shmangur abuzimet.

Eurobondi, jemi ende për ta emetuar nëse do jenë kushtet e mira

Cani tha se ne po vazhdojmë me variantin A për të dalë në treg për të marrë hua.

Është bërë njoftimi për Shqipërinë, që ka dalë në treg.

“Në 28 shtator për 4 ditë do të jemi në tregjet kryesore europianë, e kemi ndarë mendjen që do jetë eurobondi në euro. Ende nuk mund t’ju them a do ta marrim apo jo. Nëse do gjykojmë se norma e interesit dhe kushtet do të jenë të përshtatshme do ta marrim. Nuk jemi në presion se i kemi paratë për të paguar eurobondin e vjetër që maturohet në nëntor. Jemi te varianti A që të mos ndërhyjmë në kredidhënie në tregun e brendshëm”.

Skanimi, do bëhen rregullime

Cani tha se marrëveshja është se pagesa për marrëveshjen e skanimit të konteenjerëve, që sapo ka hyrë në fuqi, është 22 euro për deklaratë pavarësisht nëse paguhet apo jo malli, se përndryshe do i binte mbi 120 euro të paguanin ata që skanohej. Dy nga skanerat janë lëvizës.

Ai pranoi që po bëhen rregullime, që bizneset të mos paguajnë dy herë, dhe këtë të mërkurë do e kalojë Këshilli Ministrave, për ta çuar në Kuvend me shpejtësi.

Lidhur me sigurinë e skanimit për mallrat ushqimore, Cani tha se nga të gjitha kontrollet nuk ka asnjë risk.

FMN dhe taksat

Hiqeni nga mendja, tha Cani. Nuk ka rritje të taksave. Kjo është diskutuar edhe me FMN-në./ Monitor

6 komente në “Shkëlqim Cani: Deklaroni mallin deri në 31 dhjetor. Nuk ka rritje taksash”

  1. Loni says:

    Ministri me i dobet ne histori

    1. Bio says:

      T’i vish anës ti dhe kush mendon si ti…

  2. arsen says:

    Me ne fund po beni nje gje me mend. Qendroni fort se informaliteti me i madh eshte te bizneset e medha, prapa te cileve qendrojne politikanet qe blihen shume kollaj. Niseni nga bizneset e medha me force e gradualisht zbrisni me poshte.

  3. Loni says:

    Po cte rrisni me, spo mblidhni kto qe keni??!! Me ke tallet ky?

  4. Qazo says:

    Mire. I sakte dhe dibran i mencur.

  5. ILIRIA says:

    Taksat dhe sigurimet duhet ti ulni patjeter gjysem per gjysem qe te rregjistrohen te gjithe dhe te paguajne 100% sepse duke qene te larta manovrojne te gjitha bisneset VIPAT, TE MEDHENJTE dhe ta shihni si do te rregjistrohen 100% e te punesuarve te pa rregjistruar. Faleminderit

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje