8 gushtin e kaluar, në Shanghai, Massimiliano Allegri ka ngritur Superkupën e Italisë, titulli i tretë i fituar në vitin kalendarik 2015, që i është bashkuar kampionatit dhe Kupës së Italisë pa harruar finalen e Champions League, e arritur pas 12 vitesh nga hera e fundit. Sot është data 28 shtator: kanë kaluar vetëm 51 ditë nga fitorja kineze, por në shtëpinë e Juventusit duket se ka ndryshuar bota.
Shifrat kanë shtypur fjalët dhe kanë filluar të alarmojnë miliona tifozë: 6 ndeshje, 5 pikë (10 më pak në krahasim me dyshen kryesuese Fiorentina dhe Inter), 1 fitore, 2 barazime, 3 humbje (aq sa kanë qenë ato të kampionatit të kaluar në total), 6 gola të realizuar, 7 të pësuar, vendi i 13 në renditje, vetëm 2 pikë larg zonës së rënies nga kategoria.
Tani, nëse është e vërtetë se mungojnë 32 ndeshje nga fundi, se dëmtimet e njëpasnjëshme nuk mund të përdoren si justifikim, por që gjithsesi mund të jenë një shpjegim (11 dëmtime muskulore në më pak se dy muaj janë shumë), është po aq e vërtetë se drejtuesit e klubit bardhezi kanë filluar të kenë dyshime. I takon Allegrit dhe ekipit t’i largojnë në fillim me Sevilla dhe më pas me Bologna. Dy fitore radhazi para ndërprerjes së kampionatit për ndeshjet e kombëtareve do të ishin një sinjal shumë pozitiv.
Dhe nëse një lojtar simbol si Gigi Buffon ka rrëfyer se skuadra po jeton “momentin më të vështirë të pesë viteve të fundit”, do të thotë se alarmi nuk është vetëm i justifikuar, por është e nevojshme të gjendet një rrugëdalje. Edhe pse 8 formacione të ndryshme në 8 ndeshje (1 në Superkupë, 6 në kampionat, 1 në Champions), duke ndryshuar shpesh jo vetëm lojtarët, por edhe skemat, tregojnë se akoma nuk është gjetur një modul përfundimtar.
Për të mos përmendur lojtarë si Dybala, 40 milionë euro që shpesh ulen në stol ose e fillojnë ndeshje nga stoli dhe Alex Sandro që nuk duhet të jetë marrë për të qenë një rezervë. Për këtë arsye po merr formë plani B: Capello, Lippi, Montella, Klopp, Ancelotti, Mazzari, Prandelli. Për momentin janë thjesht ide. Për momentin. Sepse nëse kundër Sevilla dhe Bologna rezultatet nuk do të jenë ato që priten njëra prej ideve të mësipërme mund të kthehet në realitet./ Telesport
Jurgen Klop, do ishte me i pershtatshmi per Juven.