Ja pse gjykata la në burg deputetin Armando Prenga

2 Tetor 2015, 18:28Kronika TEMA

Gjykata e Lartë ka zbardhur arsyet pse caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për deputetin Armando Prenga, i dyshuar për kryerjen e tri veprave penale mbrëmjen e 4 shtatorit para Komisariatit të Policisë, Kurbin. Ai u përfshi në një konflikt mes familjes së tij dhe familjes Cali për shkak të të drejtës së shfrytëzimit të Lagunës së Patokut.

Po në vlerësim të Gjykatës, deputeti nën hetim paraqet rrezikshmëri të veçantë shoqërore. “Kolegji Penal vlerëson se në rastin konkret dyshimi i arsyeshëm në caktimin e masës së sigurimit personal ‘arrest me burg’ ndaj shtetasit nën hetim, Armando Prenga, është i mbështetur në prova të një natyre të tillë që, në gjendjen në të cilat ato ndodhen, prej tyre mund të nxirren përfundime se ndaj këtij shtetasi ekziston një shkallë e arsyeshme mundësie fajësie, për kryerjen prej tij të veprave penale ‘prodhimi dhe mbajtja pa leje të armëve luftarake’ në ambientet publike, ‘plagosjes së rëndë me dashje’ në bashkëpunim dhe të ‘kanosjes në bashkëpunim’”, thuhej në vendimin e Gjykatës.

Më tej Gjykata theksonte se dy prej këtyre veprave penale dënohen nga shtatë dhe pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet heqje lirie. Duke theksuar përputhshmërinë e masës “arrest në burg” ndaj deputetit me kërkesat ligjore për caktimin e kësaj mase, Kolegji Penal theksonte se “në rastin konkret plotësohen këto kritere, pasi si vepra për të cilën ka nisur procedimi ndaj personit nën hetim, po ashtu edhe vetë ky i fundit paraqesin rrezikshmëri të veçantë shoqërore”.

Sipas të dhënave të dosjes hetimore, të cituara në vendimin e Gjykatës, deputeti Armando Prenga në konfliktin para Komisariatit të Kurbinit, në orët e vona të datës 04.09.2015, dyshohet se ka mbajtur dhe përdorur armë zjarri luftarake të tipit pistoletë, jo të njëjtë me atë të pajisur me leje të organit kompetent. Po sipas Prokurorisë, ai ka plagosur me këtë armë shtetasin Tom Calin, duke qëlluar mbi të. Përmes këtyre veprimeve ai ka konsumuar veprat penale të “armëmbajtjes pa leje” dhe të “plagosjes së rëndë me dashje”. “Me veprimet e tij të nxjerrjes dhe drejtimit të armës ndaj shtetasve që shoqëronin shtetasin Gjok Calin në Komisariatin e Policisë Kurbin, në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë, deputeti Armando Prenga dyshohet të ketë konsumuar edhe elementet e veprës penale të ‘kanosjes në bashkëpunim’”, thuhej në vendimin e Gjykatës. Konflikti mes familjeve Cali e Prenga kulmoi mbrëmjen e 4 shtatorit ku “palët” u përfshinë në një konflikt të dhunshëm dhe të armatosur para Komisariatit të Kurbinit, ku u plagosën 7 persona. Në lidhje me ngjarjen u arrestuan gjashtë persona, pesë prej të cilëve po hetohen në masën e sigurisë “arrest në burg”.

6 komente në “Ja pse gjykata la në burg deputetin Armando Prenga”

  1. Grideria says:

    Çfar do te thoshte nje jurist i huaj per kete lloj arsyetimi?!!!

  2. LORA says:

    Nuk kisha pare,deri me sot,nje arsyetim te tille mjeran,,,,,vetem mbi hamendesime dhe asnje prove te faktuar.
    Vafshi ne ferr me gjithe llallerine dhe korporaten kriminale “gjin gjoni”.
    Kur kjo pacavure konsumohet per nje deputet ,po per njerzit e thjeshte c’behet?????????????????????

  3. Genci says:

    Duhet te qeshim ne tashi apo te qajme me keto budallalleqe??Po ik ore me gjithe kete lajm koti me sakt sajese.Ne asnje rast s’eshte provuar qe deputeti te kete qene i pranishem ne konflikt apo aq me teper te ket patur arme pa leje ne dore ne komisariat.

  4. Aha u dyshoka,tani po keni te drejt.

  5. nini says:

    Bravo gjykata , qe e coi ne vend urdherin politik te Saliut .Gjykata nuk vendos ne hamendesime ,por ne prova .Prenga ,ka deklaruar, qe kam perdor armen se mu rrezikua jeta nga Calet qe i kishin dale perpara . A eshte e vertete kjo? Ne rast te kundert ,ne qofte se eshte e drejte qe ka veper penale ne drejtim te tij .Po me duket se Prenga ishte ne list per kurthin e dekriminalizimit dhe u tregua i dobet . Ai nuk duhet te kishte vepruar ashtu ,por te lajmeronte policine dhe konflikti ,mund te ishte evituar .Punet me mire i zgjidh drejtesi dhe jo forca .

  6. Eni says:

    E çfare dekriminalizimi!!?Po ti nxjerrin nje vendim gjykate ne te gjithe europen qe e akuzon per diçka siç i nxorren vendimet e gjykatave per te tjeret e jo llafe ne ajer.Flisni e flisni, nxirrni fakte, ku jane faktet,apo jeni kthyer nje vend thashethemnaje, me tha, i thashe, na thane ,do te themi!!?Pse ne asnje rast nuk permendet qe deputeti ka reaguar sepse i eshte kercenuar jeta?Si guxon nje person ti bej prite nje personi te nje rendesie te veçante?Personi qe i ka bere priten me thike ne dore as qe eshte ndaluar por eshte i lire,si ka mundesi kjo?Ne cilin vend te europes do te ndodhte nje gje e tille?Kjo duket qe eshte nje pusi e ngritur dhe e mire organizuar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje