Veliaj: “Ujësjellësi i Puglias auditim UKT-së për të kuptuar nivelin teknik dhe financiar, ndërpresim lidhjet e paligjshme në rrjet”
Ndërmarrja Ujësjellës-Kanalizime Tiranë do t’i nënshtrohet shumë shpejt një auditi teknik dhe financiar nga Ujësjellësi i Puglias, e njëkohësisht do të jetë në fokus të investimeve për të garantuar 24 ujë të pijshëm për qytetarët e Tiranës. Përmes një memorandumi të firmosur sot nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe Presidenti i Rajonit të Puglias, Michele Emiliano, ekspertiza italiane do të ndihmojë që UKT-ja të kthehet në një ndërmarrje të suksesshme.
Në fjalën e mbajtur gjatë këtij takimi, kryebashkiaku Veliaj tha se nga sot fillon puna konkrete nga e cila do të përfitojnë 1 milionë qytetarë të Tiranës që furnizohen me ujë nga UKT. “Do të auditojmë ndërmarrjen për të kuptuar në nivelin teknik dhe financiar se çfarë nuk shkon me këtë kompani dhe ku duhet të fillojnë investimet e reja. Më pas, do të kalojmë në një fazë investimesh, ku bashkë me ujësjellësin e Puglias do të sigurohemi që çdo qindarkë që investohet të ketë një dobi konkrete”, deklaroi Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës shprehu vendosmërinë për vijimin e disiplinimit të ndërhyrjeve të paligjshme në rrjet, nëpërmjet të cilave vidhet kjo pronë publike e qytetarëve të Tiranës për interesa private, pa paguar çmimin e faturës së ujit. “Gjatë këtij viti fokusi ynë do të jetë te disiplinimi, te mbledhja e të ardhurave, te një bashkëpunim korrekt me palën italiane për t’u siguruar që sa më shpejt, nga një kompani me humbje e qytetit, ta kthejmë në një kompani që jo vetëm mban veten, por dhe shpërndan dividente me Bashkinë e Tiranës, me të cilat ne mund të bëjmë investime të tjera”, sqaroi Veliaj.
Më tej, kryebashkiaku Veliaj tha se ambicia e Bashkisë së Tiranës është që të ketë ujë 24 orë dhe uji të jetë i një cilësie të lartë në qytet. “Por, këtë nuk mund ta arrijmë nëse ne humbasim 70 % të ujit dhe furnizojmë Tiranën vetëm 11 orë në ditë me ujë. Kjo është arsyeja pse sot po lidhim një marrëveshje me një nga kompanitë më të mira të menaxhimit të ujit në Itali dhe në Evropë, për t’u siguruar që eksperienca e tyre në menaxhimin e ujit do të bëhet dhe eksperienca jonë”, tha Veliaj. Në përfundim të fjalës së atij, kryetari i Bashkisë tha se do të shikohet mundësia për alternativa të tjera të përdorimit të ujit, që jo vetëm të ketë impiant të kanaleve të zeza, por të shikohet se si mund të përdoren mbetjet nga filtrimi i ujit edhe për produkte bujqësore apo investime të natyrës së ngjashme.
Ndërsa Presidenti i Rajonit të Puglias, Michele Emiliano, tha se pala italiane do të japë eksperiencën e sak për Ujësjellës-Kanalizime Tiranë dhe kërkoi që qytetarët të ndërgjegjësohen se uji është një pronë e tyre dhe duhet ta menaxhojnë me kujdes. “Qeveria shqiptare dhe Bashkia e qytetit të Tiranës nuk do që të humbë kohë, nuk duan që të përhumben vetëm me protokolle e ceremonira, por kërkojnë t’u tregojnë njerëzve se gjërat po ndryshojnë për mirë. Sigurisht, do të duhet edhe një bashkëpunim i qytetarëve, të cilët duhet të kuptojnë e të ndërgjegjësohen se uji është një pronë e tyre dhe duhet ta menaxhojnë me kujdese”, deklaroi Emiliano.
Ai theksoi se uji është një burim i jashtëzakonshëm e simbolik nga pikëpamja qytetare, një gjë e shenjtë në çdo kulturë që trajtohet nga ndërmarrjet e ujësjellësit me maksimumin e efiçencës që mund të imagjinohet aktualisht në Evropë dhe ndoshta edhe në botë. “Nëse do të arrijmë objektivin që kreu i Bashkisë na ka bërë me dije, ne mund t’i tregojmë gjithë Shqipërisë, por ndoshta edhe të gjithë Ballkanit jugor, se sa i rëndësishëm është ky burim uji dhe se sa i rëndësishëm mund të jetë Ujësjellësi i Puglias si një instrument praktik bashkëpunimi dhe kjo për t’u shpjeguar të gjithë shqiptarëve domethënien e rrugëtimit që Shqipëria po bën për të anëtarësuar në BE”, përfundoi Emiliano.
Zoti Erion Veliaj!A e dini qe sot dt.11.11.2015 i gjithe Yzberishi ka 5 ore PA DRITA DHE PA UJE!
Ishalla mamaja e Veliajt nuk i jep italianeve ndonje nisme”adopto nje shurtore,ose adopto nje hale,ose adopto ndonje hajdut”.Me siguri italianet jane habitur me mamane e Veliajt per sensin e vjedhjes.Te erdhi dita,jepi forca .neser jemi milioniere dollari.