PD: Tahiri riktheu në Interpol Alban Ahmetajn, i përfshirë në drogë e korrupsion

13 Nëntor 2015, 11:45Politika TEMA

PD ka hedhur sërish akuza ndaj ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, duke e akuzuar atë se riktheu në polici Alban Ahmetajn, i cili u largua nga detyra e shefit të forcave operacionale pasi rezultoi i përfshirë në trafik droge.

Kreu i Departamentit të Sigurisë, Enkelejd Alibeaj kërkoi largimin e ministrit Tahiri duke e konsideruar atë si emergjencë kombëtare:

“Saimir Tahiri ka rikthyer në polici dhe në një detyrë shumë delikate në zyrën e Interpolit, Alban Ahmetajn, i cili u largua pak kohë më parë nga detyra e shefit të forcave operacionale pasi rezultoi i përfshirë në trafikun e drogës.

Pas denoncimit që bëri Partia Demokratike, megjithë mbrojtjen që pati nga Didi e Tahiri, largimi i Ahmetajt ishte i pashmangshëm.

Ai u akuzua nga oficeri i tij Demushi që u kap me sasi droge, madje iu shtua edhe afera korrupsion, pasi kishte marrë 4 mijë euro nga ky oficer për ta bërë pjesë të forcave operacionale.

E megjithë këtë të kaluar kriminale, dhe jo të largët, të pak muajve më parë, Tahiri e rikthen sërish Ahmetajn në detyrë, dhe pikërisht në Interpol.

Ahmetaj është pjesë e segmentit të ngushtë të Tahirit, e njerëzve të tij të besuar në punët e pisëta të policisë. Ai është gjithashtu donator i Partisë Socialiste.

Rikthimi i tij në zyrën e Interpolit, provon se inkriminimi është i pandalshëm në Policinë e Shtetit, dhe se me Saimir Tahirin postet kyçe janë të kapura nga bandat dhe trafikantët e drogës.

Largimi i Tahirit dhe pastrimi i Policisë së Shtetit nga të inkriminuarit e tij është një emergjencë kombëtare.

Koha nuk pret më”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje